Kriza financiare – Roli që mund të luajë Kisha*

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasi

Kërkim nr. 10, Tiranë, 2013.

    1) Kriza ekonomike që jetojmë në shumë vende të botës, veçanërisht ne në jug të Evropës, ka çuar miliona njerëz drejt depresionit dhe shpesh në dëshpërim. Sot gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohemi se kjo krizë ekonomike është pasojë e një krize më të gjerë shoqërore, një krize vlerash. Përbën pasojë të një koncepti teorik në lidhje me njeriun dhe natyrën, koncept i cili në epokën e kënaqjes nga bollëku i gjërave materiale, lëvizi në një drejtim krejtësisht të ndryshëm me atë të krishterë. Duke larguar nga ndërgjegjja e njerëzve dhe shoqërisë besimin te Perëndia, te Perëndia I së vërtetës, i drejtësisë dhe i dashurisë, njeriu bashkëkohor doli në përfundimin se meqenëse nuk ekziston Perëndia, të gjitha gjërat janë të lejueshme.

    Respekti ndaj personit njerëzor u zëvendësua nga sundimi i institucioneve dhe forcave apersonale. Theksimi i lirisë së njeriut u zbeh, duke i lënë vendin theksimit të lirisë absolute të tregut. Kështu, nga një shoqëri personash të lirë mbërritëm në pikën kur popuj të tërë bëhen kandidatë për skllevër të grupimeve personale, të tregtarëve anonimë të parasë që rregullojnë në mënyrë thelbësore ekonomitë e popujve, të cilët janë të njohur si “tregje”. Këto vetëqeverisin paranë si një vlerë “kontable” të papërcaktuar dhe e tregtojnë atë. Nëpër labirintet shumë kompleksë të globalizimit janë krijuar struktura të reja të sistemit kredidhënës të “një ekonomie ikonike” e cila nuk kontrollohet nga asnjë institucion shtetëror apo politik. Përkundrazi vendimet e këtyre faktorëve të panjohur, që veprojnë me fytyra të mbuluara, mund të hedhin në erë shtete dhe të dënojnë miliona njerëz në papunësi dhe shoqërinë ta flakin në mjerim. Kështu, mbarë ekonomia globale jeton tashmë një krizë të fortë strukturore të sistemit të kreditimit, që përbën provën më bindëse të krizës së vlerave të shoqërisë.

    Padrejtësia në nivel global ka arritur kulmin me faktin se 20% e popullsisë së planetit, që jeton në vende të pasura, konsumon 80% të pasurisë së tokës. Njëkohësisht, arbitrariteti financiar, korrupsioni, padrejtësia dhe pandjeshmëria që lulëzuan me cilindo model financiar atë kapitalist ose komunisti kanë çuar miliona njerëz drejt margjinalizimit social dhe në shumë raste drejt mjerimit.

    2) Në këtë krizë të dhimbshme financiare Kisha nuk mund të qëndrojë thjesht një spektatore. Është e detyruar të artikulojë me forcë fjalë profetike në tri drejtime:

   a) Kritikë të fortë ndaj anëtarëve të Kishave tona për qëndrimin jokonseguent ndaj parimeve të Ungjillit, për pjesëmarrjen e tyre, e madhe apo e vogël, në padrejtësi dhe në shthurjen sociale. Mobilizim me iniciativa krijuese të enorive, të grupimeve dhe organizmave të ndryshëm kishtarë për lehtësimin imediat dhe ndihmën e anëtarëve më të dobët të shoqërisë sonë. Lavdi Perëndisë, në këtë fushë tashmë janë ndërmarrë veprime serioze nga ana kishtare.

    b) Ushtrim i një kritike të fortë ndaj idealeve materialiste dhe sistemeve që prodhojnë padrejtësinë në përgjithësi dhe në veçanti, ndaj atyre që kanë krijuar krizën financiare. Përpjekje për të influencuar në lidershipin politik. Ftesë për shkencëtarët e shquar dhe ekonomistët që të përpunojnë zgjidhje, në respekt ndaj njeriut dhe identitetit të popujve dhe mbështetje ndaj përpjekjeve të tyre. Koncepti i përgjithshëm në lidhje me njeriun dhe krijesën është rrëzuar përpara koncepteve të lumturisë materiale. Kisha ftohet të mbrojë dinjitetin e personit njerëzor si ikonë e Perëndisë personal dhe gjithashtu shenjtërinë e krijesës si krijim i Perëndisë. Mentaliteti se njeriu është zoti i krijesës dhe si i tillë ka të drejtë të shpërdorojë ambientin natyror jo vetëm që është i gabuar, por nga pikëpamja orthodhokse është mëkat. Sipas besimit të krishterë, njeriu është pjesë organike e natyrës dhe duhet ta përdorë me respekt.

    c) Kishat në vende të ndryshme kanë rastin për të treguar një reciprocitet më të gjerë midis atyre që influencojnë në shoqëritë ku jetojnë. P.sh. duke ndikuar në popujt e Evropës Veriore për mirëkuptim dhe reciprocitet me shoqëritë në vështirësi në pjesën jugore të Evropës. Dhe anasjelltas, të kufizojnë ndjenjat e hidhërimit dhe të zemëratës së popujve më të dobët të Jugut, për shkak të sjelljes arrogante të disa shteteve evropiane të pasur financiarisht. Shembujt, sigurisht mund të shumëfishohen për shkak të antitezave në globin tonë mes shteteve të fuqishme dhe atyre të dobëta. Kishat në shoqëritë e pasura nuk kanë të drejtë që të heshtin disa herë edhe të ecin në të njëjtën vijë madje të lejojnë që të mbizotërojnë zëra arrogantë që fyejnë popujt e gjendur në sprova.

    3) Por le të rikthehemi në ambientin tonë social, atë të shoqërisë ku jetojmë. Detyrë parësore e jona është autokritika serioze. Për fatin e keq, kjo fjalë tepër e vyer është tjetërsuar. Zakonisht përdoret për të nxjerrë në pah gabimet e të tjerëve. Por së bashku me përgjegjësitë, që nuk mund të vihen në pikëpyetje, të lidershipit politik dhe financiar, na imponohet që të nxjerrim në pah dhe të kuptojmë edhe ne gabimet që kemi kryer si qytetarë. Sigurisht, jo të gjithë kanë të njëjtat përgjegjësi. Shumë njerëz të thjeshtë janë viktima dhe nuk kanë përfituar nga mirëqenia që u krijua me para të marra kredi. Por nëse kërkojmë me një vështrim depërtues, pjesa më e madhe nga ne do të zbulojnë edhe gabime individuale e mangësi. Raste në të cilat nuk bëmë rezistencë kundër korrupsionit të përhapur dhe shkeljes flagrante të ligjit.

    Duke përsëritur thjesht frazën “krizë vlerash”, rrezikojmë të humbasim në pasaktësi. Kisha “përsëri dhe përsëri” ftohet të risjellë, të theksojë, të nxjerrë në pah këto vlera me autoritet mbarëbotëror: drejtësinë, me kuptimin e qartë: “Të gjithë sa doni t’jua bëjnë juve njerëzit, kështu edhe ju ua bëni atyre” (Matth 7:12). Gjithashtu edhe të vërtetën, vetëmjaftueshmërinë, rëndësinë e masës, përpjekjen e pajtimit, dashurinë në të gjitha shprehjet dhe dimensionet.

    4) Por nuk mjafton vetëm autokritika. As roli i Kishës nuk lejohet të kufizohet në përshkrime që i dënojnë shkelësit në mënyrë të pacaktuar. Fjala profetike duhet, pa shtrembërime, të ftojë në pendim. Për shumë njerëz bashkëkohorë fjala “pendim” tingëllon shumë fetare, që i ka kaluar koha. Megjithatë, në mënyrë diakronike, mbetet aktuale dhe revolucionarizuese, që kur na e shfaqi si bërthamë të Ungjillit të Tij, Zoti ynë Jisu Krisht: “Pendohuni” (Mark. 1:15), ndryshoni mendje, sjellje, mënyrën me të cilën e shikoni jetën, na thotë në mënyrë të përsëritur. Vetëm me ndryshimin e mendjes dhe të zemrës mund të ndalojmë zakone dhe pasione që sëmurin shoqërinë tonë. Kriza financiare dhe morale, që shfaqet në pjesën më të madhe të popujve e të shteteve, lidhet me shkaqe të qarta, të cilat kanë emër dhe forma konkrete. Po kufizohem të theksoj tri rrënjë të prishjes që është nëna e krizës ekonomike.

    a) Lakmia. Kjo, sipas apostull Pavlit, është “idhujtari” (Kolos. 3:5), mohim i adhurimit për Perëndinë e vërtetë. Lakmitari tregohet i ndiferent për ligjshmërinë e metodave. Pangopësia e tij merr gjithmonë e më shumë trajta të reja të pakontrollueshme. Me një mënyrë mjaft shprehëse, apostulli i kombeve na thotë: “Ata që duan të pasurohen bien në tundim dhe kurth dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, të cilat i zhytin njerëzit në shkatërrim dhe në humbje, sepse rrënja e gjithë të këqijave është dashuria për paranë” (1Tim. 6:9). Virusi i dashurisë për paranë në kohën tonë moderne modifikohet dhe transmetohet në të gjitha shtresat shoqërore. E ashtuquajtura shoqëri e konsumit arriti në histerinë e konsumit. Ideali dhe qëllimi i njeriut modern të çdo klase u bë grumbullimi i marrë i të mirave materiale, shpesh të tepërta, me indiferencë të madhe ndaj ambientit natyror.

    Këtë pangopësi, që është shkak edhe i krizës ekologjike moderne, e dënon edhe një theolog i madh, atë dhe mësues i Kishës së vetme e të pandashme, shën Grigori i Nisës, para 16 shekujsh: “Bëj përdorim dhe jo shpërdorim. Lëre veten tënde të shijojë, por me masë. Mos u bëj shkatërruesi i të gjitha kafshëve që jetojnë në tokë dhe në det” (Fjalimi për të bërit mirë).

    b) Rrënja tjetër e prishjes është gënjeshtra. Me gënjeshtrën erdhi rënia e racës njerëzore, na njofton kapitulli i parë i Shkrimit të Shenjtë (Gjen. 3:1), ndërsa ai i fundit na thotë se do të mbetet jashtë mbretërisë së Perëndisë “kushdo që do dhe bën gënjeshtrën” (Zbul. 22:15). Gënjeshtra minon diçka më të rëndësishme, mundësinë për të dashuruar. Ndoshta kjo duket disi paradoksale. Por, me një mënyrë depërtuese, Dostojevski shpjegon duke vënë në gojën e starec Zosimait këtë këshillë: “Dhe më kryesorja nga të gjitha, mos thoni gënjeshtra… Më kryesorja është mos i thoni gënjeshtra vetes suaj. Ai që i thotë gënjeshtra vetes së tij dhe beson edhe vetë gënjeshtrën, arrin në pikën që të mos shikojë asnjë të vërtetë, as brenda tij dhe as tek të tjerët e kështu humbet çdo vlerësim për të tjerët dhe për veten e tij. Duke mos vlerësuar asnjë, pushon së dashuruari. Dhe duke mos pasur dashuri, nis të tërhiqet drejt pasioneve dhe shthurjes… Ai që i thotë gënjeshtra vetes së tij, është ai që fyhet i pari. Sepse ndonjëherë është shumë e këndshme të ndihet dikush i fyer. Kështu nuk është?” (Vëllezërit Karamazov, Vol. I). c) Mbi të gjitha, veçanërisht e rrezikshme është dashuria e sëmurë për veten, egocentrizmi, robërimi tek egoja jonë, adhurimi i interesit individual, të atij familjar, lokal dhe kombëtar. Ilaçi shërues ndaj kësaj mbetet drejtësia së bashku me ndihmën reciproke dhe vetësakrifica. E fshehta që dikush ta gjejë veten e tij është ta ofrojë atë. Theksimi dhe përjetimi i kësaj vlere përbën gjithmonë ofertën e Kishës: Mbështetja ndaj të hidhëruarve, qoftë edhe nëse ata janë vetë përgjegjës për mëkatet dhe mangësitë e tyre (shih Matth. 25:35-40). Asnjë institucion tjetër nuk mund të frymëzojë dhe të ofrojë dashuri dhe vetësakrifikim. Thënies klasike “cognito ergo sum” (mendoj pra ekzistoj), Kisha, duke marrë fuqi nga faqet më të mira të historisë së saj, shton: “dashuroj pra ekzistoj”, sipas shembullit të saj në dashurinë dhe në mënyrën e ekzistencës së Trinisë së Shenjtë.

    5) Pas fjalës kritike dhe theksimit të përgjegjësisë personale Kisha duhet të ofrojë një mesazh optimizmi dhe shprese. Kriza mund të bëhet një rast i veçantë i riper tëritjes shpirtërore. Temperatura e krizës ekonomike si edhe asaj ekologjike zbulon se ekziston një sëmundje më e përgjithshme që kërcënon mbijetesën e njerëzimit. Kriza e sotme ekonomike, me gjithë dhimbjen dhe dëshpërimin që ka shkaktuar në miliona njerëz, si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e zhvilluara, jep një mundësi të jashtëzakonshme për ndryshime në sektorë kritikë të jetës sonë globale, kombëtare dhe të asaj personale. Ne të krishterët ftohemi të jemi të parët në këto përpjekje, siç bëmë (me protagonist Këshillin Botëror të Kishave) në rastet e racizmit dhe të dhunës. Sigurisht këto nuk u fshinë me kritikën dhe veprimin tonë. Por u arrit një ndërgjegjësim më i gjerë rreth nevojës për luftimin e këtyre fenomeneve.

    Nuk është hera e parë që Kisha ndodhet në përballje me krizat. Konfliktet tragjike dhe përvojat e luftërave globale të shekullit të 20-të zgjuan ndërgjegjen dhe çuan në shfuqizimin e kolonializmit, të sistemeve fashiste, të ideologjive raciste. Gjatë kohëzgjatjes së sprovave të mëdha, kur shoqëritë mbërrijnë në kufijtë e durimit të tyre, lindin virtyte të rralla të fshehura në zemrat e njerëzve, si dashuria për të vërtetën, burrëria, toleranca, falja, vetëmohimi, drejtësia dhe dashuria për njëri-tjetrin. Këto edhe sot përbëjnë antikorpe të vyera ndaj prirjeve drejt një dobësimi të përgjithshëm të trupit tonë social. Pikërisht duhet që me sistem dhe këmbëngulje Kisha t’i bëjë aktive në ditët tona.

    Detyrimi ynë imediat është të mbështesim shpresën dhe durueshmërinë e anëtarëve tanë dhe të popujve tanë dhe me respekt të sinqertë ndaj vlerës së çdo personi njerëzor e të çdo kombi, të luftojmë për kapërcimin e drejtë të krizës ekonomike, për një reciprocitet thelbësor brenda shoqërisë sonë dhe midis popujve të globit.

______________________________
* Kryepiskopi Anastas e mbajti këtë ligjëratë në Akademinë Orthodhokse të Kretës ku, nga data 28 gusht – 5 shtator 2012, u zhvillua mbledhja e Komitetit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave. Këshilli Botëror i Kishave promovon unitetin e krishterë në besim, dëshmi dhe shërbim për një botë të drejtë dhe paqësore. Është një organizëm i përbashkët i Kishave, i themeluar më 1948 dhe sot në KBK marrin pjesë 349 Kisha Protestante, Orthodhokse, Anglikane dhe kisha të tjera që përfaqësojnë më shumë se 560 milionë të krishterë në mbi 110 vende. Ky organizëm punon në mënyrë bashkëpunuese me Kishën Romano – Katolike. Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave është i përndershmi Dr. Olav Fykse Tveit, nga Kisha Luterane e Norvegjisë. Kisha jonë përfaqësohet në këtë organizëm nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, një nga Presidentët e tij.