Të gjitha virtytet dhe fuqitë e Perëndisë arrihen, kryesisht, nga lutja. Pa lutjen, nuk ka jetë shpirtërore. Ashtu si thotë peshkopi rus, Theofan i Mbylluri: “Nëse ju nuk jeni të suksesshëm në lutjen tuaj, ju nuk do të jeni i suksesshëm në asgjë, sepse lutja është rrënja për çdo gjë” (Theofan i Mbylluri, shek. 19, Arti i Lutjes, bot. Igumen Haritoni).

    Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht (Matheu 6:5-6).

    Lutja duhet të jetë e fshehtë. Ky është rregulli i parë i dhënë nga Krishti. Personi që lutet duhet ta bëjë në një mënyrë të tillë që të mos shihet nga njerëzit kur lutet.

    Në traditën shpirtërore të Kishës, fjala e Krishtit “futu në dhomën tënde” është interpretuar në dy mënyra. Para së gjithash, ata e kanë kuptuar si një urdhërim fjalëpërfjalshëm. Personi që lutet duhet ta mbyllë veten fizikisht gjatë kohës së lutjes me qëllim që të lutet në fshehtësi dhe që të mos shihet nga të tjerët.

    Së dyti, këto fjalë janë kuptuar të thonë se personi që lutet duhet të hyjë brenda vetes, duke u lutur në fshehtësi në mendjen dhe zemrën e tij në çdo kohë, pa e shfaqur lutjen e tij të brendshme tek të tjerët. Kështu “dhoma” në të cilën ai duhet “të futet” është “dhoma e zemrës.”

    Dhoma e shpirtit është trupi; dyert tona janë pesë shqisat trupore. Shpirti hyn në dhomën e tij kur mendja nuk endet këtu dhe atje, duke bredhur nëpër gjërat dhe problemet e botës, por qëndron brenda, në zemrën tonë. Shqisat tona mbyllen dhe mbeten të mbyllura kur ne nuk i lemë ato të lidhen me pasion në gjërat e jashtme shqisore dhe në këtë mënyrë mendja jonë mbetet e lirë nga çdo lidhje e botës dhe nga lutja e fshehtë mendore bashkohet me Perëndinë Atin e saj.

    Perëndia që sheh në fshehtësi çdo gjë e sheh lutjen mendore dhe e shpërblen haptazi me dhurata të mëdha. Sepse kjo lutje është e vërtetë dhe e përsosur që e mbush shpirtin me hirin hyjnor dhe me dhurata shpirtërore (Shën Grigor Pallamai, shek. 14,Si Duhet Të Luten Pa Pushim Të Gjithë Të Krishterët).

    Kështu, në traditën shpirtërore të mësuesve të krishterë të lutjes, njësimi i mendjes dhe i zemrës brenda shpirtit është parë si përmbushja e kushtit themelor të lutjes, ashtu si është urdhëruar nga Krishti (kr. Arti i Lutjes).

    Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë. Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni (Matheu 6:7-8).

    Perëndia i di nevojat e popullit të Tij. Njeriu lutet për të bashkuar mendjen dhe zemrën e tij me Perëndinë. Ai lutet me qëllim që të bëhet vullneti i Perëndisë në jetën e tij. Ai lutet kështu që t’i jepet çfarëdo që ai ka nevojë nga Perëndia. Ai lutet kështu që ai të shprehë, me ndërgjegje dhe vetëdije të plotë, faktin që gjithçka që ai është, ka dhe bën varet në Perëndinë. Është njeriu ai që ka nevojë të lutet. Perëndia nuk ka nevojë për lutjet e njeriut.

    Lutja e vërtetë e krishterë duhet të jetë e shkurtër. Duhet të jetë e thjeshtë dhe normale. Nuk duhet me shumë fjalë. Me të vërtetë, nuk ka nevojë aspak për fjalë. Ajo mund të jetë qëndrimi i brendshëm, krejtësisht i heshtur i shpirtit para Perëndisë, përmbushja e fjalëve të psalmistit:

    . . . mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje (Psalmi 4:4, 46:10).

    Mësimi rreth shkurtësisë dhe heshtjes në lutje gjendet në të gjithë mësuesit shpirtëror. Shën Dimitri i Rostovit e përmbledh këtë mësim kur those se tagrambledhësi u lut vetëm “Perëndi ki mëshirë për mua mëkatarin” dhe u drejtësua; kusari i penduar u lut vetëm “Kujtomë . . .” dhe mori parajsën; dhe biri plangprishës dhe taksa-mbledhësi Zake, nuk thanë pothuaj asgjë dhe morën mëshirën e Atit dhe faljen e Krishtit (Lluka 15:20, 18:13, 19:5, 22:42; kr. Shën Dimitri i Rostovit, shek. 17, Arti i Lutjes, bot. Igumen Haritoni).

    Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t’i hapet atij që troket. ( . . .) Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë (Matheu 7:7-8, 11; shih Lluka 11:9-10, 13).

    Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj (Joani 14:13-14).

    Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, Ai do t’jua japë. Deri tani ju s’keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë (Joani 16:23-24).

    Çfarëdo që një kërkon në emër të Jisuit do t’i jepet. Kjo nuk do të thotë aspak se njeriu mund t’i kërkojë Perëndisë çdo gjë. Ai nuk mund të kërkojë për çfarë nuk nevojitet ose për çfarë është e keqe. Por, ai mund të kërkojë dhe duhet të kërkojë për “dhurata të mira”, për gjithçka që mund të kërkohet në emrin e Krishtit, për gjithçka që është e shenjtë, e pamëkat dhe e mirë. Nëse një kërkon për gjëra të mira me besim, ai, sigurisht, do t’i marrë ato, nëse Perëndia mendon se ai duhet t’i ketë ato për jetën dhe shpëtimin e tij. Ky është premtimi i Vetë Zotit.

    Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet (Joani 15:7).

    Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni (Matheu 21:22, kr. Lluka 18:1-8).

    Çdo lutje e drejtuar tek Perëndia me besim ka përgjigje. Kjo nuk do të thotë se gjithçka që kërkohet jepet gjithmonë, sepse Perëndia e di më mirë se njeriu që lutet se çfarë është e mirë për atë. Për këtë arsye mësuesit shpirtërorë e paralajmërojnë njeriun që të mos jetë këmbëngulës dhe të mos qëndrojë gjatë në kërkesat e tij konkrete ndaj Zotit. Perëndia e di më mirë çfarë nevojitet dhe për t’ia provuar këtë shërbëtorëve të Tij, Ai mund nganjëherë të dorëzohet ndaj kërkesave të tyre këmbëngulëse dhe t’u japë çfarë ata këkojnë, që nuk duhej, për t’ua bërë atyre krejtësisht të qartë, se duhet të kishin besim në diturinë e Tij. Kështu, gjithmonë është më mirë të jesh i heshtur dhe i shkurtër në lutje dhe jo shumë specifik në kërkesa. Lutja më e mirë është gjithmonë: “Jepna çfarë nevojitet, o Zot. U bëftë dëshira Jote.”

    Sa shumë herë jam lutur për çfarë më dukej e mirë, duke mos ia lënë atë Perëndisë, sepse Ai e di më mirë, çfarë është e dobishme për mua. Por, mbasi e merrja atë që kisha kërkuar e gjeja veten në rrezik, sepse nuk e kisha kërkuar atë sipas vullnetit të Perëndisë . . . (Shën Nili i Sinait, shek. 5,Tekste mbi Lutjen).