Tani është koha për blatimin flijimor tek Perëndia. Dhe Perëndia pëlqen vetëm një blatim, Jisu Krishtin, Qengjin e Perëndisë, i Cili e blaton Vetveten përjetësisht tek Ati, për mëkatet e botës. Në Krishtin njerëzit mund të blatojnë vetveten e njeri-tjetrin dhe tërë njerëzit e tërë botën tek Perëndia. Krishti ka bashkuar gjithçka tek Vetvetja dhe i ka marrë të gjitha mbi vete. Kështu, në të dhe me anë të tij, njerëzit mund të blatojnë gjithçka që ata janë e gjithçka që kanë, tek Perëndia Atë. Ata mund ta bëjnë këtë, sepse janë në Krishtin dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë prej Tij. Në këtë moment të Meshës Hyjnore, kremtuesi lutet për vetveten, duke rrëfyer padenjësinë e tij dhe duke pohuar që i vetmi Prift i Kishës është Jisui: Se ti je blatuesi dhe i blatuari, Ai që pranon dhe që jep vetveten, o Krisht Perëndia ynë…  

    Prifti, pasi mbaron së thëni uratën e himnit Keruvik, temjanis Tryezën e Shenjtë, ikonat dhe popullin duke thënë pa zë, në qoftë se është e Dielë, “Ne që pamë Ngjalljen…”, “ejani t’i falemi…” dhe psalmin 50. Ndërkohë, populli këndon Himnin Keruvik. Ne që simbolizojmë mistikërisht keruvimet dhe i këndojmë Trinisë jetëbërëse himnin trishenjtor, le të largojmë prej nesh tërë kujdesin për jetën. Dhuratat e bukës dhe verës, që qëndrojnë për Krishtin dhe në të, për të gjithë njerëzit dhe tërë krijimin e Perëndisë – për Jetën Vetë -, i blatohen tani Perëndisë. Ato mbarten në procesion solemn, nga Tryeza e Proskomidhisë, rrotull Kishës dhe nëpërmjet Derës së Bukur në altar. Ky procesion, është quajtur Hyrja e Madhe, për t’u dalluar nga Hyrja e Vogël, e cila është bërë më parë me Ungjillin.

    Gjatë procesionit të Hyrjes së Madhe kremtuesi përsëri i lutet Perëndisë në emër të të gjithëve, me lutjen e kusarit në Kryq: “Kujtomë o Zot në Mbretërinë Tënde…” Buka dhe vera vendosen mbi altar dhe populli përfundon Himnin Keruvik: Që mbretin e të gjithave të presim, të pasuar padukurisht prej rreshtave engjëllore. Aliluia, Aliluia, Aliluia.

    Himni Keruvik dhe vargjet meditative të kremtuesit janë një shtesë e vonëshme në Meshën Hyjnore. Ato u shtuan gjatë kohës perandorake të Bizantit, për të lartësuar veprimin themelor liturgjik të Blatimit, që është lëvizja e Kishës, e cila blaton vetveten tek Perëndia Atë, nëpërmjet Kreut të saj, Kryepriftit dhe Mbretit Jisu Krisht, i cili është Shërbëtori i Përvuajtur, Qengji i Perëndisë dhe Pashka e Re; flijimi i vetëm i mjaftueshëm, i cili është i përsosur, i plotë dhe krejtësisht i pranueshëm tek Ati.

    Në blatimin liturgjik besnikët japin vetveten në flijim tek Perëndia së bashku me Krishtin. Ata e bëjnë këtë nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, meqenëse ata kanë vdekur dhe janë ngjallur me Krishtin në Pagëzim. Që veprimi liturgjik të jetë i pastër dhe i vërtetë, ai duhet të jetë shprehja e gjallë e vetëblatimit të vazhdueshëm dhe të plotë të Kishës tek Perëndia. Nëse ndonjë anëtar i Kishës nuk është në flijimin e vazhdueshëm me Krishtin tek Ati dhe nuk po “mbart kryqin e tij” me anë të fuqisë së Shpirtit, blatimi në Hyrjen e Madhe të Meshës Hyjnore bëhet për të një simbol shterpë dhe i zbrazët nga realiteti. Dhe, si i tillë, nuk është më një lëvizje drejt Perëndisë, por drejt gjyqit dhe dënimit.

    Përsëri kemi një litani dhe thuhet një lutje, që Perëndia të jetë i mëshirshëm për shkak të flijimit të Krishtit dhe që të pranojë popullin e Tij dhe blatimin e tyre, megjithëse janë mëkatarë; dhe t’i denjësojë të sjellin dhurata e therore shpirtërore dhe të marrin Kungatën e Hyjshme: O Zot, Perëndi i tërëfuqishëm, i vetmi i shenjtë, që pret therore lavdërimi prej atyre që të thërrasin me gjithë zemër, prano dhe lutjen e mëkatarëve dhe shpjere në altarin tënd të shenjtë; dhe bëna të zotët të sjellim dhurata dhe therore shpirtërore për mëkatet tona dhe për fajet e popullit të bëra nga padija. Bëna të denjë të gjejmë hir përpara teje, që të bëhet e mirëpritur prej teje therorja jonë dhe Shpirti i mirë i hirit tënd të ngrerë tendën mbi ne dhe mbi këto dhurata që ndodhen përpara dhe mbi tërë popullin tënd.