Mbas këndimeve nga Shkrimi i Shenjtë dhe predikimit, Liturgjia e Fjalës ose Liturgjia e Katekumenëve i afrohet mbarimit me të ashtuquajturën Lutja e Gjerë. Nëpërmjet kësaj Lutjeje populli lutet për nevojat e tij të veçanta, si dhe për nevojat e tërë Kishës, vendit dhe tërë botës. Në këtë, lutjet nuk bëhen në përgjithësi, si në Lutjen e Madhe, por në mënyrë specifike, për tërë njerëzit që kanë nevojë për bekimet, ndihmën dhe udhëzimet e Perëndisë. Kështu, lutjet bëhen për të sëmurët, vuajtësit, nevojtarët dhe të fjeturit; si dhe për gjëra të veçanta, si ndihmë kombëtare, çlirim nga kërcënime të ndryshme etj. Gjithashtu, në këtë kohë bëhen lutje të veçanta falenderimi dhe lavdërimi, si përgjigje për bekimet e ndryshme të Perëndisë. Në fund, bëhen lutje dhe për “ata që sjellin pemë dhe bëjnë punë të mira në këtë kishë të shenjtë”.

    Mbas mbarimit të Lutjes së Gjerë bëhet një lutje për katekumenët dhe pastaj ata përlëshohen prej Meshës Hyjnore. Meqenëse nuk janë të pagëzuar, ata nuk mund të blatojnë dhe të marrin dhuratat eukaristike. Në Kishën e vjetër tërë katekumenët, tërë ata që ishin në dënim për mëkatet e tyre, si dhe tërë ata që për arsye të ndryshme nuk mund të merrnin Kungatën, në këtë moment largoheshin nga Mesha. Sot, përlëshimi i katekumenëve është i rëndësishëm vetëm teorikisht, meqenëse, ata që nuk marrin Kungatën, si dhe të papagëzuarit nuk largohen më si në Kishën e vjetër, por qëndrojnë në Liturgjinë e Besnikëve.

    Mbas lutjes, ku i kërkohet Perëndisë që t’u mësojë katekumenëve Ungjillin e së Vërtetës dhe që t’i bashkojë me Kishën e Shenjtë dhe që “në kohën e duhur t’i bëjë të denjë për banjën e rilindjes, për ndjesën e mëkateve dhe për rrobën e mosprishjes” dhe mbas përlëshimit teorik të katekumenëve, thuhen dy lutje për besnikët, që janë tashmë anëtarë të Kishës, që Perëndia t’i dëgjojë lutjet e tyre dhe t’i bëjë ata të denjë që të blatojnë dhe të marrin dhuratat e Kungatës Hyjnore: Bëna të aftë me fuqinë e Shpirtit tënd të Shenjtë, që pa faje dhe pengesa, të thërrasim me dëshminë e ndërgjegjes sonë të pastër, në çdo kohë dhe vend… …jepu që të të adhurojnë gjithnjë me frikë dhe dashuri dhe të marrin pjesë në misteret e Tua të shenjta pa faj dhe pa dënim dhe të tregohen të denjë për mbretërinë tënde qiellore.