Persekutimet

    Shekulli i dytë pa një zhvillim të mëtejshëm të besimit të krishterë dhe persekutime më të mëdha të Kishës nga autoritetet perandorake romane, për të cilët krishtërimi ishte një “fe e paligjshme”. Të krishterët ishin të dënueshëm në sytë e romanëve jo vetëm fetarisht, por edhe politikisht. Ata shkelnin ligjet e shtetit, sepse ata kundërshtonin të nderonin një perandor tokësor si mbret, zot dhe perëndi, gjë që iu kërkohej atyre si anëtarë të shoqërisë perandorake. Ata luteshin për autoritetet civile dhe i jepnin “nderimin atij që është për nderim” (Romanët 13:1-7), por ata kundërshtonin t’i jepnin mbretit tokësor lavdinë dhe adhurimin që i përket vetëm Perëndisë dhe Krishtit të Tij. Kështu romanët shpallën: Nuk është e ligjshme të jesh i krishterë. Një nga dëshmitë e para mbi të krishterët që ne kemi nga shkrimet shekullore gjendet në letërkëmbimin e shekullit të dytë ndërmjet Plinit të Ri dhe perandorit Trajan, i cili sundoi nga viti 98 deri 117. Ky letërkëmbim tregon se krishtërimi ishte me të vërtetë i ndaluar, dhe ndonëse të krishterët nuk duhet të ndiqeshin dhe ishin të pafajshëm për akuzat e rënda kundër tyre, si flijimi i fëmijëve dhe ngrënia e mishit të njeriut (një keqkuptim i eukaristisë që kryhej në “mbledhje të fshehta”), megjithatë, ata duhet të ekzekutoheshin nëse, kur kapeshin, kundërshtonin të mohonin besimin e tyre. Persekutimi i të krishterëve në shekullin e dytë ishte gjerësisht lokal, i kryer sipas zellit të autoriteteve perandorake lokale.

    Megjithatë, persekutimet ishin të shtrira kudo dhe, në përgjithësi, të krishterët urreheshin edhe nga sundimtarët më tolerant dhe mendjehapur romanë. Ata urreheshin, kryesisht, për çfarë konsiderohej si këmbëngulja dhe intoleranca e tyre për shkak të përkushtimit të tyre të vetëm ndaj Krishtit si Zot. Ata persekutoheshin, gjithashtu për çfarë konsiderohej të ishte rrezik politik, që ata i sollën unitetit të ligjit dhe rendit në qeverimin perandorak, veçanërisht për shkak të numrit gjithmonë në rritje të personave që i bashkoheshin Kishës. Ndërmjet udhëheqësve më të famshëm të krishterë, të shekullit të dytë, ishin peshkopët: Ignati i Antiokisë (v. 110), Polikarpi i Smirnës (v. 156) dhe filozofi Justin (v. 165). Secili prej këtyre njerëzve që u vranë për besimin lanë shkrime të cilat, së bashku me Didakinë, Letrën e Diognetit, letrat e Klementit të Romës, Letrën e Barnabës, Bariun e Hermas dhe shkrimet apologjetike të Athinagoras së Athinës, Melitonit të Sardës, Theofilit të Antiokisë dhe teologut më të madh të shekullit të dytë Ireneut të Lionit, të gjithë dhanë një tablo të gjallë të besimit dhe të jetës së shekullit të dytë të Kishës.

   Mbrojtja e Besimit: Apologjistët

    Zhvillimet më të rëndësishme në shekullin e dytë, përveç persekutimeve dhe rritjes së anëtarësisë së Kishës, ishin mbrojtjet e besimit të krishterë kundër mësimeve të rreme, të ashtuquajturat apologjitë kundër herezive të krishtera, si edhe kundër judaizmit dhe paganizmit. Ishte, gjithashtu zhvillimi i doktrinës së Kishës dhe fillimet e teologjisë post-apostolike; themelimi i të njëjtit rregull bazë për Kishën në çdo bashkësi lokale të drejtuar nga peshkopët, presbiterët dhe dhjakonët; themelimet e para të liturgjisë së krishterë dhe jetës misterore të ndarë krejtësisht nga sinagoga judaike; fillimet e caktimit të kanonit të shkrimeve të shenjta të Kishës së Dhiatës së Re. Në fund të shekullit të parë dhe në fillim të shekullit të dytë, u shkruan shumë shkrime të rreme rreth Krishtit. Këto janë të ashtuquajturat shkrimet apokrife (mos të ngatërrohen me apokrifët e Dhiatës së Vjetër), të ashtuquajturët pseudoapokrifë (Shih Shën Lluka tek Shkrimi i Shenjtë). Këto shkrime të rreme mbanin emrat e apostujve dhe futën në rrethet e krishtera shumë histori fantastike dhe legjendare rreth fëmijërisë së Krishtit, jetës së Shën Marisë dhe veprimtarisë së apostujve. Së bashku më pseudoapokrifët u shfaqën, gjithashtu edhe mësimet e gnosticizmit, herezi e krishterë që e shndërronte krishtërimin në një lloj filozofie spiritualiste, dualiste dhe intelektualiste (Shih Kolosianët tek Shkrimi i Shenjtë). Të krishterët e vërtetë të besimit orthodhoks iu desh të ndesheshin me këto mësime të rreme. Rezultat i kësaj lufte ishte prodhimi i teologjisë së apologjistëve, domethënë, i atyre që e mbrojtën besimin e vërtetë dhe ungjillin origjinal të Krishtit. Rezultat i kësaj ishte, gjithashtu mësimi i vazhdimësisë apostolike në Kishë, doktrina se besimi dhe jeta e vërtetë e krishtërimit kishte kaluar nga kisha në kishë, nga brezi në brez dhe nga vendi në vend, nëpërmjet vazhdimësisë së Traditës së Shenjtë të Kishës në dorëzimin e peshkopëve, mësimi dhe praktika e të cilëve ishte e njëjtë tek të gjithë ata me mësimin e apostujve të Jisuit.  Një tjetër rezultat ishte që Kisha filloi të caktonte fort se cilat nga shkrimet i përkisnin ekzaktësisht Shkrimit të Shenjtë të Kishës dhe cilat jo, caktimi ishte bazuar në dëshminë e pastër apostolike që përmbahej në shkrimet, dhe përdorimi i tyre në Kishë në mbledhjet liturgjike.

Rregulli dhe Liturgjia e Kishës

    Në shkrimet e shekullit të dytë të apologjistëve, martirëve dhe shenjtorëve, shihet se çdo Kishë e krishterë lokale udhëhiqej nga një peshkop, i cili e kryesonte Kishën që administrohej prej presviterëve ose pleqve dhe shërbehej prej dhjakonëve. Kështu shkruan në letrat e tij Shën Ignati i Antiokisë: Ju këshilloj që të përpiqeni për të bërë çdo gjë në harmoni të perëndishme: peshkopi të kryesojë si në vend të Perëndisë, ndërsa presbiterët të funksionojnë si këshilli i apostujve dhe dhjakonët, të cilët janë më të dashurit e mi, janë besuar me shërbesën (d.m.th. veprat e mira) e Jisu Krishtit (Letra e Magnezianëve 6, 1)  Kini kujdes, pra, për të marrë pjesë në një Eukaristi; sepse një është trupi i Zotit tonë Jisu Krisht dhe një është kupa që na bashkon me Gjakun e Tij; dhe është një altar, ashtu si është një peshkop i ndihmuar nga presbiterët dhe dhjakonët, bashkëshërbyesit e mi (Letra e Filadelfianëve 4). Atje ku është peshkopi, atje duhet të jetë populli, ashtu sikurse atje ku është Jisu Krishti, atje është edhe Kisha e Përgjithshme (Katholike) (Letra e Smirnianëve 8, 2). Shën Ignati ishte i pari që e përdori termin katholik për të përshkruar Kishën. Ai është një mbiemër cilësor që tregon sesi është Kisha, domethënë, e plotë, e përsosur, e plotësuar, e tërë, duke mos i munguar asaj asgjë nga plotësia e hirit, të vërtetës dhe shenjtërisë së Perëndisë. Në Didakinë dhe në Apologjitë e Shën Justinit dhe Shën Ireneut, janë gjithashtu përshkrimet e mistereve të krishtera. Pagëzoni si më poshtë: mbas shpjegimit të të gjitha pikave, pagëzoni në emrin e Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, në ujë rrjedhës… (Didakia 7, 1).  Asnjë të mos hajë dhe të mos pijë nga Eukaristia juaj, por vetëm ata që janë pagëzuar në emrin e Zotit… (Didakia 9).  Në vetë Ditën e Zotit, mblidhuni së bashku dhe thyeni bukën dhe falenderoni (d.m.th. eukaristia, që do të thotë falënderim); por më parë rrëfeni mëkatet tuaja që flijimi juaj të jetë i pastër. Megjithatë, asnjë që grindet me vëllanë e tij të mos bashkohet me mbledhjen tuaj deri sa ata të pajtohen; flijimi juaj nuk duhet të ndyhet (Didakia 14).

Eukaristia në Apologjinë e Shën Justinit

    Dhe në ditën që quhet e Dielë, të gjithë ata që banojnë në qytete apo në fshatra mblidhen së bashku në një vend dhe lexohen përsa e lejon koha kujtimet e apostujve dhe shkrimet e profetëve. Pastaj lexuesi e mbaron leximin dhe kryesuesi na mëson dhe na këshillon gojarisht për imitimin e këtyre gjërave të shkëlqyeshme, pastaj të gjithë ngrihemi së bashku dhe i japim lart lutjet tona; dhe sikurse thashë më sipër kur mbarojmë lutjet sillet buka dhe vera dhe uji; dhe kryesuesi në mënyrë të ngjashme ofron lutjet dhe falënderimet sipas aftësisë së tij dhe populli jep pëlqimin e tij duke thënë ‘Amin’; dhe bëhet një ndarje dhe pjesëmarrje e Eukaristisë tek gjithsecili dhe atyre që mungojnë dhjakonët i sjellin një pjesë.  Dhe ata që kanë dhe duan japin çfarë ata dëshirojnë, secili sipas mendimit të tij; ajo që mblidhet depozitohet dhe kryesuesi e përdor për të ndihmuar jetimët, të vejat dhe ata që janë në nevojë nga sëmundjet apo shkaqe të tjera, për ata që janë në burg, për të huajt që janë në udhëtim dhe me një fjalë kujdeset për të gjithë ata që janë në nevojë.  Por e Diela është dita në të cilën ne mblidhemi së bashku, sepse është dita e parë në të cilën Perëndia, kur ndryshoi errësirën dhe materien, bëri botën, dhe Jisu Krishti Shpëtimtari ynë u ngjall së vdekurësh në të njëjtën ditë (Apologjia 1, 67 e Shën Justinit).