Kisha në Rusi

    Me vdekjen e patrikut Tikon, Kisha në Rusi hyri në orën e saj më të errët. Mitropoliti Sergji Stragorodski shërbeu si “locum tenens” i patriarkanës nga 1927 në 1943. Kjo ishte koha e fshesave staliniane, kur literalisht miliona njerëz, përfshirë mijëra klerikë, u burgosën, u internuan dhe u vranë. Kushtetuta e Stalinit e 1936 bënte thirrje zyrtarisht për “lirinë e besimit dhe lirinë e propagandës anti-fetare”. U mbyllën qindra kisha, manastire dhe shkolla. Dhe ajo pak jetë kishtare që mbeti u kufizua krejtësisht në shërbesat liturgjike. Persekutimi i Kishës nga shteti ishte i ashpër dhe i pamëshirshëm.

    Liria Relative

    Një periudhë lirie relative erdhi në Kishën Ruse gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeverisë i nevojitej mbështetja e Kishës për përpjekjen e luftës. Për ta mbledhur popullin për të luftuar për atdheun, Kisha Ruse pati lëshime nga shteti. Shumë kisha, manastire dhe shkolla u rihapën. Në 1943, një sinod kishtar zgjodhi zyrtarisht Sergjin si patrik. Me vdekjen e tij në 1945, Mitropoliti Aleksi Simanski u zgjodh për të zëvëndësuar atë në një sinod të dytë solemn, të mbajtur në praninë e shumë  funksionarëve të Kishave të huaja.

    Përçarja e Mërgatës Ruse

    Në 1926, Mitropoliti Platon i Mitropolisë Amerikane u takua me anëtarët e Sinodit Rus në Mërgim për të diskutuar problemet e të krishterëve orthodhoksë rusë në diasporë. Në këtë kohë shumë emigrantë rusë kishin ardhur në Mitropolinë amerikane dhe, si pasojë e rrethanave, ndjenjat e nacionalizmit rus në kryepeshkopatën amerikane ishin të ndezuara. Megjithatë, kur Sinodi në Mërgim u orvat ta shtrinte juridiksionin e tij mbi Mitropolinë amerikane, Mitropoliti Platon e kundërshtoi. Kështu, ai dhe Kisha e tij “u pezulluan” nga Sinodi në Mërgim, i cili tashmë e kishte zhvilluar pozicionin që e konsideronte veten si Kisha e Vërtetë Orthodhokse Ruse, pasardhëse e Kishës së patrikut Tikon. Në të njëjtën kohë, Mitropoliti Evlogji, u takua, gjithashtu me peshkopët e Sinodit dhe po ashtu edhe “u pezullua” nga ata për kundërshtimin për të njohur juridiksionin e pretenduar mbi të gjithë orthodhoksët rusë jashtë Rusisë.

    Presioni i Moskës

    Në vitet tridhjetë pati një presion nga Moska ndaj Mitropolisë amerikane dhe Eksarkatit të Evropës Perëndimore. Kryepeshkopi Benjamin Fedçenkov erdhi në Amerikë nga BRSS duke kërkuar besnikëri ndaj Patriarkanës së Moskës. Fakti që ishte kërkuar gjithashtu, një zotim besnikërie ndaj shtetit sovjetik tregonte se Kisha Ruse nuk ishte e lirë dhe se Mitropolia amerikane nuk mund të hynte në asnjë mënyrë në lidhje normale me atë. Kështu, në 1934, Kisha Ruse e shpalli zyrtarisht Mitropolinë të jashtëligjshme dhe hapi Eksarkatin e Patriarkanës së Moskës në Amerikë. Në të njëjtin vit, Mitropoliti Platon vdiq dhe Kryepeshkopi Theofil Pashkovski u zgjodh primat në këshillin e pestë të Kishës amerikanë në Pitsburg.

    E Ardhmja Amerikane

    Në 1937, këshilli i gjashtë i Mitropolisë amerikane në Nju Jork afirmoi një lidhje “morale” me Sinodin Rus në Mërgim, por kur Sinodi kërkoi përsëri që të drejtonte Kishën Amerikane, lidhja “morale” u këput. Ky sobor bekoi, gjithashtu themelimin e Seminarit të Shën Vladimirit në Nju Jork si një shkollë diplomimi për teologjinë orthodhokse, dhe Seminarin e Shën Tikonit si një shkollë pastorale në Manastirin e Shën Tikonit në Kananin e Jugut, Pensilvani. Të dyja shkollat u hapën në 1938. Në 1945, këshilli i shtatë i Mitropolisë amerikane në Kleveland (Cleveland) vendosi për lidhje “shpirtërore” me Patriarkanën e Moskës, por kur përsëri u bënë kërkesa nga Moska për besnikëri ndaj qeverisë sovjetike, lidhjet “shpirtërore” nuk u realizuan. Në 1950, mbas vdekjes së Mitropolitit Theofil, këshilli i tetë i Mitropolisë amerikane në Nju Jork, zgjodhi si primat Kryepeshkopin Leonti Turkeviç, një nga udhëheqësit e parë të dioqezës misionare amerikane (Shih vitet 1900 – 1925). Në këtë kohë, Sinodi në Mërgim kishte hapur qendrën e tij në Amerikë dhe Patriarkana e Moskës po ushtronte presion të fortë për rivendosjen e juridiksionit mbi Kishën ruso-amerikane, e cila vazhdonte të ishte “ilegale”. Kështu, në këtë këshill të tetë, para zgjedhjes së tij si mitropolit, kryepeshkop Leonti mbajti një fjalim që afirmonte të ardhmen dhe misionin e veçantë të Kishës Amerikane, e cila ishte mbjellur në botën e re nga Kisha e Rusisë më shumë se një shekull e gjysmë më parë: “Ne do të ndjekim rrugën tonë”, deklaroi kryepeshkopi, “themelimin e një Kishe Orthodhokse në Amerikë, administrativisht të vetëqeverisur”.

    Evropa Perëndimore

    Gjatë kësaj periudhe, Patriarkana e Moskës i kërkoi një zotim besnikërie ndaj regjimit sovjetik Kishës Ruse në Evropën Perëndimore. Mitropoliti Evlogji nuk u pajtua me këtë dhe iu drejtua Konstandinopojës. Kështu, në 1931, Kisha Ruse në Evropën Perendimore u bë një eksarkat i Patriarkanës së Konstandinopojës. Në eksarkatin e mitropolitit Evlogji pati shumë kishtarë dhe teologë të famshëm rusë, të cilët, në 1925, themeluan në Paris Institutin Teologjik Orthodhoks, me emrin e Shën Sergjit. Instituti teologjik u bë qendra e mësimit orthodhoks në Perëndim ku u mblodhën njerëz të tillë, si: At S. Bulgakov (v. 1944), At V. Zenkovski (1962), Peshkopi Kasian Bezobrazov (v. 1965), Arkimandrit Qiprian Kern (v. 1960), At N. Afanasiev (v. 1966), At G. Florovski, i cili më vonë u bë dekani i Seminarit të Shën Vladimirit në Nju Jork dhe dha mësim në Shkollën Teologjike të Kryqit të Nderuar në Bruklin (Brookline) dhe Prof. A. Katashev (d. 1960), prokuratori i fundit i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ruse dhe Ministri i parë i Fesë i Qeverisë së Përkohshme, i cili shërbeu si sekretar i Këshillit të Kishës Ruse në 1917-1918.

    Duhet të përmenden, gjithashtu edhe priftërinjtë At A. Elçaninov (v. 1934) dhe At S. Çetverikov (v. 1947), të cilët, së bashku me shumë profesorë të Shën Sergjit, vepruan ngushtë me Lëvizjen e Krishterë të Studentëve Rusë, që bëri një punë të madhe ndërmjet emigrantëve rusë gjatë kësaj periudhe.

    Juridiksionet Amerikane

    Çereku i dytë i këtij shekulli ishte një kohë e shtimit të juridiksioneve kishtare orthodhokse në Amerikë. Debati rreth orthodhoksëve grekë në Amerikë ndërmjet Kishës së Greqisë dhe Patriarkanës Ekumenike u zgjidh më në fund: Krypeshkopata Amerikane, sipas statutit të saj të 1930, ishte një Kishë Greke për të krishterët orthodhoksë greqisht-folës nën juridiksionin e Konstandinopojës. Në 1937, Kryepeshkopi Athinagora Spiru, patriku i ardhshëm ekumenik, erdhi nga bota e vjetër për të drejtuar Kryepeshkopatën amerikane. Në të njëjtin vit Shkolla Teologjike Orthodhokse Greke e Kryqit të Nderuar, e cila më vonë u transferua në Bruklin, Masaçuset, u hap në Pomfret, Kënetikët (Connecticut). Athinagora shërbeu në Amerikë deri në vendosjen e tij si patrik i Konstandinopojës në 1949. Ai u zëvendësua nga Kryepeshkop Mihal Konstandinidhis.

    Në 1933, dioqeza e Antiokisë, e cila drejtohej nga Peshkopi Efthim, u nda në dy grupe. Në 1936, Mitropoliti Andon Bashir u bë udhëheqësi i grupit më të madh, ndërsa Kryepeshkopi Samuel David udhëhoqi grupin më të vogël. Të dyja dioqezat ishin nën juridiksionin e Patriarkanës së Antiokisë. Mitropolit Andoni ishte një nga hierarkët e shquar të historisë së Kishës Amerikane. Ai u dorëzua prift në 1922 dhe shërbeu për katërmbëdhjetë vjet si misionar tek të krishterët orthodhoksë sirianë derisa u bë mitropolit i Kryepeshkopatës Orthodhokse të Antiokisë, e cila, qysh prej 1925, ishte ndarë zyrtarisht nga misioni rus. Ai ishte një nga pionierët e përkrahjes së përdorimit të anglishtes në adhurimin liturgjik dhe ishte një mbështetës i hapur i unitetit juridiksional ndër të gjithë orthodhoksët në botën e re. Ai ishte një themelues dhe udhëheqës i Konferencës së Përhershme të Peshkopëve Orthodhoksë Kanonikë në Amerikë (shih SCOBA tek Vitet 1950-1979) dhe ishte, gjithashtu një udhëheqës në veprimtarinë ekumenike orthodhokse.

    Një dioqezë rumune u formua në Amerikë në 1929 e drejtuar nga Peshkop Polikarpi. Mbas 1935, nuk pati më peshkop në Amerikë për këtë grup. Mbas luftës, mbretëroi një periudhë e gjatë trazirash, gjatë së cilës një grup i orthodhoksëve rumunë u drejtuan nga Peshkop Valerian Trifa, dorëzimi peshkopal i të cilit ishte gjykuar i parregullt dhe u formua një tjetër grup nën juridiksionin e Bukureshtit. Gjatë të njëjtës periudhë, një dioqezë serbe u formua në Amerikë, e drejtuar nga Peshkopi Dionisie nën juridiksionin e Patriarkanës së Beogradit. Një dioqezë bullgare u ngrit, gjithashtu, e drejtuar nga Mitropoliti Andrei, i lidhur me Kishën kombëtare në Bullgari, e cila u themelua zyrtarisht në 1945.

    Një dioqezë orthodhokse shqiptare u themelua në Amerikë nga Peshkopi Fan (Theofan) Noli, i cili u dorëzua nga peshkopët e Mitropolisë Ruso-Amerikane*, ndërkohë që edhe një grup tjetër i vogël shqiptarësh u vendos nën juridiksionin e Konstandinopojës. Gjatë kësaj kohe, Kisha Shqiptare në atdhe, e cila ishte shpallur autoqefale në 1937, pati persekutime të mëdha. Në 1939, Patriarkana e Konstandinopjës e shuguroi Peshkopin Orest Çornok si kreun e Dioqezës Amerikane Karpato-Ruse, e përbërë nga priftërinj dhe laikë ish-unitë. Në të njëjtën kohë, Konstandinopoja themeloi, gjithashtu, një juridiksion orthodhoks ukrainas të udhëhequr nga Peshkopi Bohdan Shpilka. Gjithashtu, në këtë u formua një tjetër juridiksion ukrainas në Amerikë, i drejtuar nga Krypeshkopi Palladio, më parë i Kishës së Polonisë. Gjatë kësaj kohe, “kisha e vetë-shuguruar” ukrainase ngriti, gjithashtu, juridiksionin në botën e re. Udhëheqësi i saj në Shtetet e Bashkuara ishte Mitropoliti Joan Theodhoroviç. Gjatë kësaj kohe, ky grup argumentonte se situata e tij ishte “rregulluar” në mënyra të ndryshme, por ai nuk u njoh nga Kishat e tjera Orthodhokse.

    Lëvizja Ekumenike

    Në 1948, Këshilli Botëror i Kishave u formua në Amsterdam nga lëvizjet Besimi e Rregulli dhe Jeta e Puna, që takoheshin në vitet njëzet dhe tridhjetë. Në kohën e asamblesë së saj të dytë në Evanstan, Ilinois, në 1954, Patriarkanat e Konstandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë, Kisha e Greqisë, Mitropolia Ruso-Amerikane dhe Peshkopata Rumune në Amerikë, u bënë anëtarë zyrtarë të KBK. Gjatë kësaj periudhe, udhëheqësit e Eksarkatit Rus në Evropën Perëndimore, si edhe disa rusë që i mbetën besnikë Moskës, si Vladimir Losski (v. 1958) dhe Nikolla Zernov, luajtën, gjithashtu, një rol madhor në aktivitetin ekumenik.

____________________

 * Në fakt Fan Noli u dorëzua peshkop në Korçë, në 21 nëntor 1923, në kishën e Shën Gjergjit, nga peshkopët shqiptarë Kristofor Kisi dhe Hierotheo Andon Jaho.