Perandori Justinian I dhe Monofizitët

   Shekulli i gjashtë i historisë së Kishës Orthodhokse në Lindje u zotërua nga personi dhe politikat e perandorit Justinian I (527-65). Justiniani e kuptoi lidhjen ndërmjet Kishës dhe shtetit si një unitet dhe bashkëpunim ndërmjet priftërisë (që “ka të bëjë me gjërat hyjnore”) dhe perandorisë (që “kryeson mbi të vdekshmit”). Synimet e tij ishin të rifitonte pjesën perëndimore të perandorisë prej pushtuesve barabarë dhe për t’i kthyer monofizitët përsëri në besimin orthodhoks të Sinodit të Kalqedonisë. Ai shpresonte të bashkonte plotësisht Kishën dhe perandorinë. Justiniani e arriti synimin e tij të parë nën përpjekjet e ushtrive të tij të drejtuara nga gjenerali Belisar. Ai dështoi në synimin e dytë, ndonëse përpjekjet e tij ishin të guximshme dhe të vazhdueshme.

    Përpjekja kryesore e Justinianit për t’i kthyer monofizitët në Kishën Orthodhokse ishte nëpërmjet dënimit zyrtar të të tre teologëve, të cilët mbështetësit e Sinodit të Kalqedonisë i favorizonin në përgjithësi, por kundërshtarët e Kalqedonisë i përbuznin. Me dekret perandorak, në 544, dhe me vendim të një sinodi të mbajtur në 553 (referuar tradicionalisht si Sinodi i Dytë i Konstandinopojës dhe Sinodi i Pestë Ekumenik) Justiniani dënoi zyrtarisht të ashtuquajturët Tre Kapitujt. Këto ishin shkrime të debatueshme të Theodoretit të Kirit dhe Ibasit të Edesës si dhe shkrimet dhe personi i Theodori i Mopsuestias.

    Dënimi i Tre Kapitujve nuk u pëlqeu mbështetësve strikt të Sinodit të Kalqedonisë. Ata nuk ishin dakort me doktrinat e gabuara dhe të dyshimta të këtyre tre teologëve, por ata nuk shikonin ndonjë arsye për dënimin e tyre. Përpjekja e Justinianit për të qetësuar kundërshtarët monofizitë të Orthodhoksisë Kalqedoniane me anë të dënimit të Tre Kapitujve përfundimisht doli e pafrutshme. Masa nuk i bindi kundërshtarët të ribashkoheshin me Kishën apo Perandorinë.

    Sinodi i Pestë Ekumenik

    Përveç kundërshtimit të mësimeve joorthodhokse dhe të dyshimta të Tre Kapitujve, Sinodi i Pestë Ekumenik qartësoi me kujdes doktrinën orthodhokse të bashkimit hipostatik të hyjnishmërisë dhe njerishmërisë në Krishtin. Në seri të gjata pohimesh, Sinodi afirmoi, pa mëdyshje, besimin orthodhoks tradicional se Jisu Krishti, Biri i Perëndisë, është “një prej Trinisë së Shenjtë,” një dhe i njëjti person (hipostazë) hyjnor i Cili i ka bashkuar personalisht (hipostatikisht) në Vetvete të dy natyrat: e Perëndisë dhe njeriut, pa i shkrirë ato së bashku dhe pa lejuar në asnjë mënyrë ndarjen e tyre.

    Sinodi i Pestë dënoi, gjithashtu, zyrtarisht mësimet e Origjenit (v. 254) dhe nxënësit e tij të shekullit të gjashtë që mësonin dhe praktikonin një version “spiritualist” të krishtërimit që mbante shumë doktrina joorthodhokse. Ata mësonin se Krishti ishte i vetmi shpirt i krijuar që nuk u bë material prej mëkatit; se përfundimisht krijimi do të shpëtohet nëpërmjet shpirtëzimit të tij nga Perëndia në Krishtin Shpëtimtar.

Perandori Justinian dhe Reformimi

    Sundimi i Justinianit pa, gjithashtu, një sulm të mirëpritur kundër mbetjeve të paganizmit helenistik në perandorinë. Universiteti i Athinës u mbyll, në 529 dhe u promovua në mënyrë ekskluzive mësimi dhe kultura e krishterë. Justiniani ndërtoi shumë kisha në qytetin perandorak dhe nëpër tërë perandorinë, sidomos në Jerusalem, Betlehem dhe në Malin Sinai në Egjipt. Krijimi i tij më i madh ishte tempulli kushtuar Krishtit Dituria e Perëndisë në Konstandinopojë – kisha madhështore e Shën Sofisë. Ikonografia, gdhendja, skalitja dhe mozaiku lulëzuan gjatë kohës së tij. Bazilikat e Ravenës, selia e autoritetit perandorak në Perëndim u ngritën gjatë pushtimit barbar.

    Zhvillimi Liturgjik

    U shkruan shumë himne liturgjike, përfshirë Shkurtoren e Krishtlindjes dhe këngët e Shën Roman Himnografit (v 510). Vetë perandori Justinian shkroi himnin “O i vetëmlinduri Bir”, që këndohet akoma në mbledhjen (sinaksin) e liturgjive hyjnore në Kishën Orthodhokse.  Shekulli i gjashtë dëshmoi një përcaktim dhe qëndrueshmëri të adhurimit liturgjik nëpër tërë botën e krishtërimit lindor, sidomos, ngaqë praktikat liturgjike të kryeqytetit perandorak të Konstandinopojës u pranuan nga qytetet e tjera nëpër tërë perandorinë. Kisha e Konstandinopojës filloi të përdorte festat liturgjike të jetës së Kishës që ishin tashmë në përdorim në qendrat palestineze. Këto festa ishin: Krishtlindja dhe Fjetja e Hyjlindëses dhe Paraqitja në Tempull e Krishtit. Ka mundësi që festa e Shpërfytyrimit të kremtohej në Konstandinopojë që gjatë kësaj kohe.

    Përveç kremtimeve festive të kryeqytetit që u përhapën nëpër tërë perandorinë, u shtuan edhe elmentë të tillë si, hyrjet zyrtare liturgjike dhe këndimi i Trishenjtorit dhe Besores në liturgjinë hyjnore të Kishës. Grumbullimi i disa faktorëve shkaktoi ndryshime të shumta në ritualin liturgjik dhe në devotshmërinë e Kishës. Këta faktorë ishin: ngritja e Kishës Konstandinopolitane si modeli për kishat e tjera; zhvillimi i ritualit kishtar perandorak; shfaqja e teologjisë mistike në shkrimet nën emrin e Dionis Aeropagjitit dhe përpjekjet e pushtetit perandorak për të paqësuar monofizitët. Në këtë kohë praktikat e Kishës së Konstandinopojës u kombinuan me adhurimin fillestar Judeo-Kristian të Kishës së parë, me rregullin e lutjes që u zhvillua në manastiret e krishtera dhe me praktikat liturgjike të Kishës në Jerusalem, duke formuar sintezën e parë të madhe të adhurimit liturgjik në historinë e Orthodhoksisë.

    Pesë Patriarkanat

    Në shekullin e gjashtë, Konstandinopoja, të paktën në mendjen e të krishterëve lindorë, ishte themeluar fortësisht si selia primare në pentarkinë e krishterë, të cilën Justiniani e quante “pesë shqisat e universit”: Konstandinopoja, Roma, Aleksandria, Antiokia dhe Jerusalemi. Titulli ekumenik i jepej të gjitha zyrave kryesore në qytetin perandorak. Kur Joan Agjërimtari (528-595), peshkop i Konstandinopojës, mori titullin patrik ekumenik, emërimi u kundërshtua me forcë nga Papa Shën Grigori i Madh, peshkop i Romës (590-604), si i papërshtatshëm për një bari të krishterë. Ky është i njëjti Shën Grigor, i cili ishte një teolog dhe bari me famë shenjtërie, emri i të cilit është i lidhur tradicionalisht me Liturgjinë e Dhuratave të Parashenjtëruara, që Kisha Orthodhokse e kremton gjatë ditëve të javës së Kreshmës së Madhe (Shih Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara tek Adhurimi).

    Perëndimi

    Përveç Shën Grigorit, edhe Shën Benedikti i Nursias (rreth. 480-542) dhe nxënësit e tij murgjër do të kishin një ndikim të madh në historinë e mëpastajme të Kishës së Perëndimit. Ndër shenjtorët e këtij shekulli mund të përmenden: Shën Kolumba dhe Shën Agustini i Kantërberit, bashkëkohas të Shën Grigorit. Këta njerëz ishin nga misionarët më të shquar në Evropën Perëndimore, Angli dhe Irlandë, të cilët vepruan ndërmjet tribuve barbare. Në Spanjë, në shekullin e gjashtë, fjala “Filioque” u shtua në Besoren Nikeo-Konstandinopolitane. Ky veprim, i cili u bë për të theksuar hyjninë e Krishtit te pushtuesit barbarë – të cilët ishin arianë – u paracaktua të kishte pasoja të rënda në historinë e mëvonshme të Kishës.