Konstandini

    Shekulli i katërt filloi me persekutimin më të madh që ishte bërë ndonjëherë kundër Kishës së hershme, ai i perandorit Dioklecian. Lista më e gjatë e martirëve të parë vjen nga kjo periudhë (303-306). Mbas dorëheqjes së Dioklecianit u zhvillua një luftë e fortë për pushtet ndërmjet udhëheqësve perandorak. Në vitin 312, Konstandini u angazhua në një betejë me pretenduesin kryesor për fronin e perëndimit, Maksentin. Përpara betejës së urës së Milvianit, pranë Romës, Konstandini pati një vizion, ndoshta në një ëndërr. Ai pa Kryqin ose Labarumin (Chi Rho: XP) (=KR) të Krishtit me fjalët, “Në këtë shenjë, fiton”. Ai e vendosi simbolin e krishterë në tunikat dhe armët e trupave të tij, dhe ata e fituan betejën. Konstandini përnjëherë i dha liri të krishterëve që të praktikonin besimin e tyre, dhe tregoi gjithashtu parapëlqimin e tij për Krishtërimin, duke i dhënë Kishës shumë privilegje dhe avantazhe. Përpara së Konstandini të vdiste, ai ndërtoi një qytet në vendin e vjetër të Bizantit, si kryeqytetin e tij të ri perandorak – një qytet të quajtur Konstandinopojë (Konstandinupolis), qyteti i Konstandinit, në nderim të tij. Konstandini vetë u pagëzua në shtratin e vdekjes, në vitin 337. Së bashku me nënën e tij, Helena, e cila rizbuloi Kryqin e vërtetë të Krishtit në Jerusalem, Konstandini njihet si shenjt nga Kisha. Krishtërimi u bë besimi zyrtar i perandorisë, në vitin 380, nga një dekret i perandorit Theodhos.

    Luftërat e Brendshme  

           Gjatë kohës së Konstandinit, Kisha rimori pasuritë e saj dhe ishte e lirë nga persekutimi i jashtëm. Por, përnjëherë vështirësi të mëdha lindin brenda asaj, duke ia prishur paqen. Së pari, ndodhi Skizma Donatiste në Afrikën e Veriut. Skizma u quajt kështu nga Donati, teologu kryesor i grupit që e kundërshtoi peshkopin e zgjedhur me rregull të Kartagjenës, duke u nisur nga fakti, se njëri prej peshkopëve që mori pjesë në dorëzimin e tij, kishte treguar dobësi në kohën e persekutimit. Në vend që ta nxiste Kishën t’i zgjidhte problemet e saj, Konstandini bëri të kundërtën. Në fillim, ai mori anën e Donatistëve, pastaj të kundërshtarëve të tyre, duke përdorur pushtetin perandorak për të zbatuar vendimet e tij. Skizma solli si rezultat shkatërrimin përfundimtar të Kishës, dikur të lavdishme, në Afrikën e Veriut dhe krijoi precedentin e ndërhyrjes perandorake në çështjet e Kishës. Pastaj filloi debati Arian. Ariosi, një prift aleksandrinas, mësonte se Logos-i Hyjnor, Fjala e Perëndisë që u bë njeri – Jisu Krishti – nuk është Biri hyjnor i Perëndisë. Ai ishte, thjesht një krijesë si çdo gjë tjetër e krijuar nga Perëndia prej asgjësë. Sipas Ariosit, Perëndia nuk është Trinia e Shenjtë e pakrijuar. Perëndia është vetëm Ati, Krijuesi. Perëndia Atë krijoi Logos-in e Tij ose Fjalën, ose Birin si të parin dhe më të madhin e krijesave të Tij. Ky Logos, i Cili mund të quhet hyjnor vetëm si një shprehje, është mjeti i Perëndisë për shpëtimin e botës, që u lind si njeriu Jisu. Kështu, Jisu Krishti, nuk është i pakrijuari, Biri hyjnor i Perëndisë, që ka të njëjtën hyjnishmëri të pakrijuar si Perëndia Atë. Ai është një krijesë, ashtu si edhe Shpirti i Shenjtë. Perëndia nuk është Trinia e Shenjtë.

    Sinodi i Parë Ekumenik

    Debati i lindur nga mësimi i arianëve doli para vendimit të tërë Kishës në Sinodin që Konstandini thirri në Nikea, në vitin 325. Ky sinod, i njohur si Sinodi i Parë Ekumenik, dekretoi se Logos, Fjala dhe Biri i Perëndisë është i pakrijuar dhe hyjnor. Ai është i lindur – domethënë, i lindur – prej Atit, dhe jo i bërë ose i krijuar prej Atij. Ai është i bashkëqenshëm (një esencë) me Atin (homousios). Ai është Perëndi i Vërtetë prej Perëndie të Vërtetë, Fjala e Perëndisë me anë të Cilit u bënë të gjitha. Është ky Biri hyjnor i Perëndisë, i pakrijuar, i vetëmlindur, i Cili u bë njeri prej Virgjëreshës Mari si Jisu Krishti Mesia i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës.

    Sinodi i Dytë Ekumenik   

    Vendimi i Sinodit të Nikeas nuk u pranua gjithanshmërisht në Kishë për një kohë të gjatë. Kundërshtimi vazhdoi për shumë dekada. Sinode të shumtë u mbajtën në vende të ndryshme, të cilët formuluan pohime të ndryshme të besimit. Partia ariane fitoi mbështetjen perandorake dhe mbrojtësit e besimit të Nikeas u persekutuan shumë. Turbullirat vazhduan deri në 381 kur, në një sinod në Konstandinopojë, i njohur tani si Sinodi i Dytë Ekumenik, vendimi fillestar i Nikeas u riafirmua dhe u shpall hyjnia e Shpirtit të Shenjtë. Pohimi i kombinuar i këtyre dy sinodeve përbën Simbolin e Besimit, Besoren e Kishës Orthodhokse.

    Etërit e Kishës

       Mbrojtësit e mëdhenj të Orthodhoksisë Nikeane ishin: Shën Athanasi i Madh, peshkop i Aleksandrisë (v. 373) dhe peshkopët kapadoqeas, Shën Vasili i Madh (v. 379), vëllai i tij Shën Grigori i Nisës (v. 394) dhe miku i tyre Shën Grigor Teologu (v. 389). Këta etër të Kishës mësuan dhe shpjeguan besimin e vërtetë të krishterë, duke pësuar shumë për mbrojtjen e tyre të doktrinës qendrore të Krishtërimit orthodhoks, se Perëndia është Trinia e Tërëshenjtë: tre persona hyjnorë dhe të pakrijuar, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, në një dhe në të njëjtën natyrë hyjnore dhe të pakrijuar.

     Sinodet e Kishës

    Sinodi i Nikeas hartoi, gjithashtu, një numër kanonesh në lidhje me rregullin dhe disiplinën e Kishës. Këto kanone konfirmojnë parësinë e Kishës së Romës në Perëndim, të Aleksandrisë në Afrikë dhe të Antiokisë në Lindje (Kanoni 6), dhe njohjen e dinjitetit të Kishës në Jerusalem (Kanoni 7). Sinodi ndaloi praktikën e gjunjëzimit pendimtar në liturgjinë kishtare të së dielës (Kanoni 20). Sinodi i Konstandinopojës hartoi, gjithashtu kanone, njëri prej të cilëve pohon se “peshkopi i Konstandinopojës do të ketë privilegjin e nderit mbas peshkopit të Romës ngaqë Konstandinopoja është Roma e Re” (Kanoni 3).

      Sinodi i Nikeas hartoi, gjithashtu, një numër kanonesh në lidhje me rregullin dhe disiplinën e Kishës. Këto kanone konfirmojnë parësinë e Kishës së Romës në Perëndim, të Aleksandrisë në Afrikë dhe të Antiokisë në Lindje (Kanoni 6), dhe njohjen e dinjitetit të Kishës në Jerusalem (Kanoni 7). Sinodi ndaloi praktikën e gjunjëzimit pendimtar në liturgjinë kishtare të së dielës (Kanoni 20). Sinodi i Konstandinopojës hartoi, gjithashtu kanone, njëri prej të cilëve pohon se “peshkopi i Konstandinopojës do të ketë privilegjin e nderit mbas peshkopit të Romës ngaqë Konstandinopoja është Roma e Re” (Kanoni 3).

    Besorja 

  • Besoj në një Perëndi, Atë të Tërëfuqishëm, krijues të qiellit dhe të dheut dhe të gjithë të dukurave dhe të padukurave.
  • Dhe në një Zot Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve. Dritë prej Drite, Perëndi të vërtetë prej Perëndie të vërtetë, të lindur, jo të bërë, që ka të qenët një me Atin, me anën e të cilit u bënë të gjitha.
  • Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve, edhe u mishërua prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.
  • Dhe u kryqëzua për ne në kohën e Pontit Pilat, dhe pësoi e u varros.
  • Dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve.
  • Dhe u ngjit në qiejt dhe rri në të djathtë të Atit.
  • Dhe do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim.
  • Dhe në Shpirtin e Shenjtë, Zot jetëbërës, që buron prej Atit dhe adhurohet dhe lavdërohet bashkë me Atin e me Birin, që foli me anën e profetëve.
  • Në një Kishë, të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike.
  • Pohoj një pagëzim për ndjesën e mëkateve.
  • Pres ngjalljen e të vdekurve.
  • Dhe jetën e ardhëshme të amëshuar. Amin.

    Zhvillimi liturgjik 

    Shekulli i katërt dëshmoi një numër zhvillimesh liturgjike. Gjatë kësaj kohe, lutjet eukaristike të liturgjive hyjnore, të quajtura sipas Shën Vasilit të Madh dhe Shën Joan Gojartit (v. 407) u formuluan substancialisht. Predikimet kateketike të Shën Joan Gojartit së bashku me ato të Shën Qirilit të Jerusalemit (v. 386) tregojnë se misteret e Pagëzimit dhe të Mirosjes kremtoheshin në shekullin e katërt, pothuaj, ekzaktësisht siç bëhen sot në Kishën Orthodhokse. Në këtë kohë, ishin caktuar 40 Ditët e Kreshmës dhe Festa e Pashkës. Krishtlindja ishte ndarë nga festa e Epifanisë ose Theofanisë, duke u bërë kështu një festë e veçantë e Kishës për të kundërballancuar festivalin pagan të Diellit që kremtohej në 25 dhjetor (Shih Krishtlindja tek Adhurimi).

      Jeta Murgërore

    Shekulli i katërt pa, gjithashtu, lulëzimin e jetës murgërore në Egjipt – drejtuar nga Shën Andoni i Madh (v. 356) – në Siri dhe në Perëndim. Ndërmjet shenjtorëve murgërorë të kësaj periudhe ishin Pavli i Tebës, Pakomi, Hilarioni, Sava, Makario i Egjiptit, Epifani i Qipros dhe Efremi i Sirisë. Ndërmjet shenjtorëve murgërorë në Perëndim ishin Jeronimi, Joan Kasiani dhe Martini i Turit. Shenjtorët e famshëm peshkopë të shekullit të katërt ishin Shën Nikolla i Mirës në Liqi, Shën Spiridhoni i Trimithundës dhe Shën Ambrozi i Milanos.