Luftërat e Brendshme

    Në fillim të shekullit të pestë kur Aleksandria dhe Konstandinopoja po haheshin për pozicionet e tyre në Kishë dhe në perandori, Nestori, peshkopi i Konstandinopojës, shpalli kundërshtimin e tij për të nderuar Marinë, nënën e Krishtit, me titullin tradicional Theotokos (Perëndilindëse ose Hyjlindëse). Ai pretendonte se ai që lindi nga Maria ishte thjesht “njeriu” në të cilin Logos-i i përjetshëm i Perëndisë erdhi të banojë, por jo Vetë Logos-i. Kështu, Maria nuk mund të quhej me vend Theotokos, që do të thonte ajo që lindi Perëndinë. Shën Qirili, peshkopi i Aleksandrisë (v. 444), e kundërshtoi me forcë mësimin e Nestorit, duke deklaruar se ishte me vend të quhej Maria Theotokos, meqë ai që lindi prej asaj, “sipas mishit”, nuk ishte tjetër, përveçse Logos-i hyjnor i Perëndisë. I vetëmlinduri Bir i Perëndisë ishte “lindur nga Ati para jetëve” duke zbritur prej Qiellit për shpëtimin e njeriut, duke lindur në mish dhe duke u bërë njeri prej Virgjëreshës. Kështu, Biri i Perëndisë dhe Biri i Marisë është një dhe i njëjti Bir.

    Sinodi i Tretë Ekumenik

    Nestori dhe pasuesit e tij kundërshtuan t’i dorëzoheshin thirrjeve të Shën Qirilit për pendim. Kështu, në vitin 431, në qytetin e Efesit, një grup i vogël peshkopësh nën kontrollin e drejtpërdrejt të Shën Qirilit mbajti një sinod për të afirmuar doktrinën aleksandrinase dhe për të kundërshtuar atë të Nestorit. Vendimet e këtij takimi u njohën zyrtarisht, në 433, nga peshkopët e Lindjes që nuk kishin qenë të pranishëm. Sinodi i 431 u njoh më vonë si Sinodi i Tretë Ekumenik.

    Sinodi bandit

    Edhe vendimet e këtij sinodi nuk u pranuan menjëherë. Vazhdoi të ziente debati për çështjen në fjalë. Shën Qirili dhe shumica e peshkopëve të Lindjes – të cilët ishin të prirur për të kundërshtuar mësimin e tij nga frika se nuk e shprehte në mënyrë të përshtatshme njerishmërinë e vërtetë të Jisuit – mundën të arrinin një kuptim të përbashkët. Megjithatë, mbas vdekjes së tij, pasuesit fanatikë të Qirilit u ndanë përsëri nga peshkopët e Konstandinopojës dhe të Lindjes. Në 449, një numër i madh peshkopësh që e konsideronin veten besnikë të pozicionit të Qirilit, mbajtën një sinod tjetër në Efes. Ky sinod u njoh si latrocinium ose sinodi bandit. Ai formuloi një doktrinë rreth personit dhe natyrës së Krishtit që e theksonte kaq shumë hyjninë e Zotit sa që njerishmëria e Tij humbi krejtësisht. Kështu, pështjellimi dhe ndarja vazhduan ndër të krishterët.

    Sinodi i Katërt Ekumenik

    Në 451, u thirr një sinod tjetër, këtë herë në qytetin e Kalqedonit, për të zgjidhur problemin e doktrinës së Krishtit. Ky sinod, i njohur në Kishë tashmë si Sinodi i Katërt Ekumenik, arriti të  mbronte mësimin e Shën Qirilit dhe të Sinodit të Efesit të 431. Ai përmbushi, gjithashtu, kërkesat e peshkopëve të Lindjes, se njerishmëria e vërtetë e Jisuit duhej të pohohej qartë. Në përkufizimin e tij, Sinodi i Kalqedonisë ndoqi drejpërdrejt mësimin e formuluar në një letër të Shën Leonit, Papës së Romës. Përkufizimi Kalqedonas pohonte, se Jisu Krishti është me të vërtetë Logos-i i mishëruar, vetë Biri i Perëndisë “i lindur prej Atit para gjithë jetëve”. Ai afirmonte se Virgjëresha Mari ishte me të vërtetë Theotokos, meqenëse ai që lindi prej saj “sipas mishit” në Betlehem, është i pakrijuari, Biri hyjnor i Perëndisë, njëri prej Trinisë së Shenjtë. Në lindjen e Tij njerëzore, deklaroi Sinodi, Fjala e Perëndisë e mori në Veten e Tij tërë njerishmërinë, duke u bërë një njeri i vërtetë nëçdo drejtim, por pa mëkat. Kështu, sipas përcaktimit Kalqedonas, Jisui i Nazaretit është një person ose hipostazë në dy natyra – njerëzore dhe hyjnore.

    Ai është plotësisht njeri. Ai është plotësisht hyjnor. Ai është Perëndi i përsosur dhe njeri i përsosur. Si Perëndi, Ai është “i bashkëqenshëm” (homousios) me Perëndinë Atë dhe Shpirtin e Shenjtë. Si njeri, Ai është “i bashkëqenshëm” (homousios) me të gjitha qeniet njerëzore. Bashkimi i hyjnishmërisë me njerishmërinë në Krishtin quhet bashkim hipostatik. Kjo shprehje do të thotë se në njërin, personin unik të Krishtit, hyjnishmëria dhe njerishmëria janë të bashkuar në një mënyrë të tillë, që ato nuk janë të përziera së bashku, as të shkrira, as të ndara dhe as të veçuara. Krishti është një person, i Cili është si njeri ashtu edhe hyjni. Biri i Perëndisë dhe Biri i Marisë është një dhe i njëjti person.

    Monofizitët

    Vendimi i Sinodit të Kalqedonisë nuk u pranua nga nxënësit ekstremistë të Shën Qirilit të Aleksandrisë dhe as prej atyre që ishin bashkuar me ata. Këta të krishterë, të quajtur monofizitë, e kundërshtuan Sinodin e Kalqedonisë për shkak se sinodi foli për dy natyra, duke kundërshtuar kështu formulën e vjetër të Shën Qirilit që deklaronte se në mishërimin e Tij, Krishti pati vetëm një natyrë. Mbështetësit e vendimit të Kalqedonisë deklaronin dhe deklarojnë akoma se ndonëse fjalët e tyre janë të ndryshme nga ato të atit të shenjtë, doktrina e tyre është ekzaktësisht e njëjtë dhe është shprehur vetëm me një saktësi më të madhe. Mosmarrëveshja kurrë nuk u zgjidh, megjithëse dhe ndonëse u bënë shumë përpjekje për bashkim në shekullin e pestë dhe të gjashtë – dhe përsëri në vitet e fundit – kundërshtuesit e vendimit Kalqedonas mbetën të ndarë nga Kisha Orthodhokse. Sot, të ashtuquajturit të krishterë monofizitë janë: në Kishën Kopte të Egjiptit, Kishën Etiopiane, Kishën Jakovite Siriane, Kishën Siriane të Indisë dhe Kishën Armene. Këto kisha quhen shpesh Kishat Lindore të Vogla ose Kishat Orthodhokse Orientale.

    Sinodet 

    Sinodi i Tretë dhe i Katërt Ekumenik përpiloi një numër kanonesh të natyrës disiplinare dhe praktike. Sinodi i Efesit ndaloi hartimin e një “besimi të ndryshëm” nga ai i dy sinodeve të parë (Kanoni 7). Ky kanon u përdor nga Orthodhoksët në kundërshtimin e tyre për shtimin e fjalës”Filioque” në Besoren që u bë në Kishat e Perëndimit. Sinodi i Kalqedonisë i dha Konstandinopojës, Romës së Re, ”privilegje të barabarta me Romën e vjetër perandorake”, sepse kryeqyteti i ri ishte  “i nderuar me perandorin dhe senatin” (Kanoni 28).

  Perëndimi

    Shekulli i pestë pa rënien e perandorisë së krishterë në Perëndim me rënien e Romës nën barbarët. Nisja e kohëve të errta në Perëndim erdhi shpejt mbas vdekjes së një njeriu, shkrimet voluminoze dhe shumë të debatuar të të cilit ushtruan influencën e vetme më të madhe në Krishtërimin Perëndimor, si në atë Roman ashtu edhe në atë të Reformuar: Agustinit, peshkopi i Hipos (v. 430).