Debati i Ikonave
Në shekullin e tetë sundonjësit isaurianë në Lindje, Leo III (717-741) dhe Konstandini V (741-775) u orvatën ta nënshtronin Kishën nën sundimin e tyre. Për të arritur kontrollin e Kishës këta dy perandorë i sulmuan ligësisht të krishterët e zellshëm, sidomos murgjërit, të cilët mbronin integritetin e Kishës. Sulmi mori formën e një persekutimi të egër kundër atyre që nderonin ikonat. Subjekti i sulmit ishte vendosur në vend të përshtatshëm, sepse ekzistonte realisht një ekzagjerim i nderimit të ikonave ndërmjet njerëzve të devotshëm që arrinte kufijtë e idhujtarisë dhe paganizmit.
Një sinod i mbajtur, në 753 e dënoi zyrtarisht nderimin e ikonave nga të krishterët. Ai bëri thirrje për heqjen e të gjitha imazheve prej kishave, ndërtesave publike dhe shtëpitë e njerëzve. Ky sinod nuk ishte vetëm një lëvizje politike nga sundonjësit për të fituar pushtet mbi Kishën, por nxorri edhe një argumentim të veshur me arsye dhe të përgatitur me mjeshtëri kundër nderimit të ikonave. Baza e pozicionit të sinodit u morr, kryesisht, nga mësimi biblik se Perëndia është i padukshëm, prandaj nuk duhet të bëhen dhe nuk duhen adhuruar nga besimtarët e vërtetë imazhet e dukshme dhe të gdhendura. Ka mundësi që ky argument të ishte frymëzuar nga kontakti i ngushtë me myslimanët, të cilët ishin fanatikisht strikt në këto pika.
Peshkopët e Kishës ishin nën presionin e fortë perandorak për të dënuar zyrtarisht nderimin e ikonave. Kur ata e bënë, pasoi një persekutim i egër ndaj atyre që vazhdonin t’i mbanin dhe t’i nderonin imazhet e shenjta. Koha ndërmjet 762 dhe 775 njihet si “dekada e gjakut” meqë qindra të krishterë, kryesisht murgjër, u burgosën, u torturuan dhe, madje u vranë ngaqë i ruajtën dhe i nderuan ikonat.
Sinodi i Shtatë Ekumenik
Në vitin 787, gjatë mbretërimit të perandoreshës Irena (780-802), e cila e parapëlqente nderimin e ikonës, u mbajt një sinod në Nikea i cili përcaktoi legjitimitetin dhe përdorimin e duhur të ikonave në Kishë. Ky sinod, i njohur tani si Sinodi i Shtatë Ekumenik, ndoqi teologjinë e Shën Joan Damaskinit (v. 749). Vendimi i sinodit afirmoi se ikonat mund të bëhen dhe të nderohen, por jo të adhurohen.
Peshkopët e sinodit arsyetuan se thelbi i vërtetë i besimit të krishterë është mishërimi i Birit dhe Fjalës së Perëndisë në trup njerëzor. Perëndia me të vërtetë është i padukshëm. Por në Jisu Krishtin Perëndia i padukshëm u bë i dukshëm. Ai që sheh Jisuin sheh Atin e padukshëm (Joani 14:8). Kur mohohet në Kishë pikturimi dhe nderimi i konave, mohohet njerishmëria e vërtetë e Jisuit. Gjithashtu, mohohet që në dhe nëpërmjet Jisu Krishtit, Shpirti i Shenjtë i është dhënë njerëzve, kështu që ata mund të bëhen të shenjtë, duke i përmbushur me të vërtetë vetvetet si të krijuar “në ikonën dhe ngjashmërinë e Perëndisë” (Zanafilla 1:26).
Kështu, sinodi vendosi se kundërshtimi i ikonave të shenjta ishte kundërshtimi i faktit të shpëtimit nga Perëndia në Krishtin dhe Shpirtin e Shenjtë. Perëndia Atë dhe Shpirti i Shenjtë nuk mund dhe nuk duhen pikturuar. Krishti, Hyjlindësja Mari (Theotokos) dhe shenjtorët mund të pikturohen në formën ikonografike, sepse ato tregojnë realitetin e shpëtimit të njeriut prej Perëndisë. Ato tregojnë: shpërfytyrimin dhe shenjtërimin e vërtetë të njeriut – dhe të gjithë krijimit – nga Krishti dhe Shpirti i Shenjtë. Imazhet mund të nderohen në Kishë meqë “nderimi i bërë imazhit ngrihet tek prototipi i saj dhe ai që nderon një ikonë adhuron personin (hipostazën) e të pikturuarit” (Sinodi i Shtatë Ekumenik). Mbas sinodit të 787 sulmi kundër ikonave vazhdoi. Përfundimisht mbaroi në 843 kur ikonat u kthyen në kishat ku ato janë edhe sot.
Zhvillimi Liturgjik
Shën Joan Damaskini ishte, gjithashtu i përgjegjshëm për zhvillimin liturgjik në shekullin e tetë. Ai ishte një zyrtar i lartë i Kalifit Mysliman, i cili u bë një murg në manastirin e Shën Savas në Jerusalem. Ai shkroi shumë himne liturgjike që këndohen akoma në Kishë, si Kanoni i Mëngjesores dhe disa himne që këndohen në shërbesën e varrimit orthodhoks. Ai konsiderohet të jetë kompozitori fillestar i Oktoekut (Tetëtingullit), që është koleksioni i himneve të kënduara në Kishë, duke përdorur tetë melodi të ndryshme, një në çdo javë me rotacion gjatë tërë vitit (Shih Viti kishtar tek Adhurimi). Shën Joani është autori i traktatit të parë sistematik të dokrinës së Kishës së Krishterë Orthodhokse të quajtur Paraqitje e Plotë e Besimit Orthodhoks. Ky traktat mund të gjendet në pjesën e tretë të veprës Burimi i Njohurisë. Festa e Hyrjes së Hyjlindëses Mari në Tempull u fut në Konstandinopojë. Sipas Shën Andreas së Kretës, festa kremtohej tashmë në Jerusalem qysh prej shekullit të gjashtë. Kështu, gjatë shekullit të tetë, ajo zuri vend në kalendarin universal të Kishës Orthodhokse.
Perëndimi
Në Perëndim, në shekullin e tetë, tributë barabare vazhduan të ktheheshin në krishtërim. Misionari më i madh në këtë kohë ishte Shën Bonifaci (v. 754). Gjithashtu, në këtë shekull, peshkopët e Romës u bënë për herë të parë sundonjës shekullorë që qeverisnin pronat në Itali dhe hynë në lidhje të ngushtë me sundonjësit e sapodalë Karolingian. Ishin këta sundonjës barbarë të Shtëpisë Karolingiane, veçanërisht Sharlemanji (Karli i Madh), që restauruan perandorinë në Perëndim në bashkëpunim me peshkopët e Romës. Por, për të bërë këtë, ata duhej të sulmonin legjitimitetin e perandorisë në Lindje. Ata e bënë sulmin e tyre duke e akuzuar Lindjen për idhujtari, për shkak të nderimit të ikonave dhe duke akuzuar Lindjen për heqjen e fjalëve “dhe nga Biri” (filioque) nga Besorja e Nikeas. Këto akuza përfshiheshin në Librat Karolinë, të cilat iu dhanë Papës së Romës nga Karli i Madh, në 792.