Prirjet Kryesore

    Shekulli i dymbëdhjetë pa luftën e vazhdueshme të dinastisë perandorake Komneni në Konstandinopojë me kryqtarët latinë prej perëndimit dhe uzurpimet e turqve myslimanë në Lindje. Perandori Aleks Komneni e sanksionoi zyrtarisht Malin Athos si qendrën e murgërisë orthodhokse. Efthim Zigabeni përgatiti veprën Panopli Dogmatike, një manual i doktrinave zyrtare të Kishës. Ndonëse në këtë kohë pati në perandori një interes të sinqertë për teologjinë, veprat teologjike në Krishtërimin Lindor u kufizuan në një përsëritje dhe katalogim të doktrinave tradicionale. Arti dhe arkitektura u zhvilluan në shekullin e dymbëdhjetë me monumente bizantine klasike, të tilla, si: ndërtesat dhe mozaikët e Kishës së Shën Llukës dhe Kishës së Dafnit pranë Athinës. Në Rusi, Shën Alipi (v. 1114), “ati i ikonografisë ruse”, jetoi në këtë periudhë. Disa prej arritjeve më të mëdha ikonografike dhe arkitektonike të Novgorodit, Vladimirit, Suzdalit dhe Pskovit vijnë prej kësaj kohe.

    Rusia Kieviane

    Krishtërimi në Rusinë Kieviane vazhdoi të zgjerohej dhe të zhvillohej. Raportohet se një zjarr në Kiev, në 1124, ka djegur gjashtëqind kisha – një tregues i zhvillimit të madh të këtij qyteti kozmopolitan që ishte bërë një qendër e rëndësishme e kulturës dhe tregtisë evropiane dhe bizantine. Në fillim të këtij shekulli, Princi Vladimir Monomakh (v. 1125) shkroi të famshmen e tij “porosi për fëmijët e mi”, një dokument që kishte për qëllim të drejtonte bijtë e tij në jetët e tyre si udhëheqës të krishterë. Ndikimi bizantin ishte akoma shumë i fortë në krishtërimin kievian. Kronika Primare Ruse që përmbante jetët e shumë shenjtorëve kievian, tradicionalisht u redaktua nga murgu Nestor i manastirit të guvave.

    Serbia

   Serbëve iu ishte dhënë shtetformimi nga perandori bizantin nëpërmjet përpjekjeve të sundonjësit Nemanjia (1113-1199). Djali i Nemanjës, Ratsko, shkoi në malin Athos për t’u bërë murg me emrin Sava. Ai ishte destinuar për t’u bërë shenjtori i madh kombëtar dhe udhëheqës i popullit serb. Në fund, Sava e solli atin e tij në Malin e Shenjtë për ta mbaruar jetën e tij në petkun murgëror me emrin Simeon, kanonizuar nga Kisha si Shën Simeon Miro-rrjedhësi. Perandori bizantin Angjelos i dha atit dhe birit serb manastirin e Hilandarit në Malin Athos, i cili ka mbetur gjer më sot si manastiri serb në Malin e Shenjtë.

    Perëndimi

    Së bashku me centralizimin e pushtetit papal dhe fitores së papatit mbi sundonjësit shekullar, Perëndimi i shekullit të dymbëdhjetë pa ngritjen e shkollës Viktorine të teologjisë augustiniane të drejtuar nga Hygo dhe Rikardi i Shën Viktorit (Richard de Saint Viktor) (v. 1173). Në këtë kohë Pjetër Lombard shkroi veprën e tij me influencë Sentencat, ndërkohë që në një nivel më popullor lëvizjet spiritualiste dhe dualiste të Valdezianëve dhe Albigenzianëve po bënin efektin e tyre.