Mishërimi

 … Dhe Ai u Mishërua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë Njeri

 

    Biri hyjnor i Perëndisë u lind si njeri prej Virgjëreshës Mari me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë (Mattheu 1; Lluka 1). Kisha na mëson që lindja virgjërore është plotësimi i profecisë së Dhiatës së Vjetër (Isaia 7:14), dhe është gjithashtu plotësimi i dëshirës së gjithë njerëzve për shpëtim, dëshirë dhe shpresë që gjendet në tërë fetë dhe filozofitë e historisë njerëzore.

    Vetëm Perëndia mund ta shpëtojë botën. Njeriu vetëm nuk mund ta bëjë, sepse është vetë njeriu që duhet të shpëtohet. Prandaj, sipas doktrinës orthodhokse, lindja virgjërore është e nevojshme jo për shkak të një idolizimi të rremë të virgjërisë ose si refuzim i seksualitetit normal njerëzor, por Shpëtimtari nuk mund të jetë thjesht si çdo njeri tjetër, që ka nevojë për shpëtim. Shpëtimtari i botës nuk mund të jetë thjesht si njeri prej racës së Adamit, lindur në mish si gjithë të tjerët. Ai duhet të jetë “jo i kësaj bote”, që të mund të shpëtojë botën.

    Jisui lindi prej Virgjëreshës Mari, sepse ai është Biri hyjnor i Perëndisë, Shpëtimtari i botës. Mësimi i Kishës Orthodhokse thotë që Jisui nuk është “thjesht një njeri” si gjithë të tjerët. Ai është me të vërtetë një njeri real, një njeri i plotë dhe i përkryer me trup, mendje dhe shpirt njerëzor. Por ai është Biri dhe Fjala e Perëndisë që u bë njeri. Për këtë arsye Kisha e quan Marinë Theotokos (Hyjlindëse), që do të thotë “ajo që lindi Perëndinë”. Sepse ai që lindi prej Marisë është, siç këndon Kisha Orthodhokse në Krishtlindje: “…ai që prej përjetësie është Perëndi”.

    Sot Virgjëresha lindi të Përmbiqenëshmin, dhe dheu i afron një shpellë të Paafruarit! Engjëjt me barinjtë e lavdërojnë! Magët udhëtojnë me yllin! Për ne Perëndia i përjetshëm lindi si një foshnjë! (Shkurtorja (Kondaqi) e Krishtlindjes). Jisui i Nazaretit është Perëndi, ose më saktë, Biri hyjnor i Perëndisë në mish njerëzor. Ai është një njeri i vërtetë në çdo gjë. Ai lindi, u rrit i bindur ndaj prindërve dhe gjithashtu u rrit në urtësi dhe në shtat (Lluka 2:51-52). Ai pati një jetë familjare me “vëllezër e motra” (Marku 2:31-34), që sipas doktrinës orthodhokse nuk ishin fëmijë të lindur nga Maria, e cila është “gjithmonëvirgjëra”, por fëmijë të Josifit të ve. Si njeri Jisui përjetoi të gjitha përvojat normale njerëzore si rritjen dhe zhvillimin, urinë dhe etjen, lodhjen, dëshpërimin dhe dhimbjen dhe zhgënjimin. Ai gjithashtu njohu tundimin njerëzor, vuajtjen dhe vdekjen. Ai i mori këto gjëra mbi veten e tij “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë”.

    “Edhe meqenëse fëmijët marrin pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu mori pjesë prej këtyre gjërave, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, dhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët nga frika e vdekjes ishin tërë jetën në skllavëri. Sepse me të vërtetë nuk u ndihmoi engjëjve, por farës së Abrahamit. Prandaj duhet t’u ngjante në gjithçka vëllezërve të tij… që të bëjë shlyerje të fajeve të popullit. Sepse meqenëse ai vuajti dhe u tundua vetë, ai mund t’u ndihmojë atyre që tundohen” (Hebrenjtë 2:14-18). Krishti erdhi në botë duke u bërë si të gjithë njerëzit, me përjashtim të mëkatit. I Cili nuk mëkatoi, dhe as u gjend kobim në gojën e tij. Kur u përqesh, ai nuk përqeshte; kur vuajti, ai nuk kërcënonte; por e jipte vetveten në duart e atij (Perëndisë Atë) që gjykon me drejtësi (1 Pietri 2:22; Hebrenjtë 4:15).

    Jisui u tundua, por ai nuk mëkatoi. Ai ishte i përsosur në çdo gjë, krejtësisht i bindur tek Perëndia Atë; duke folur fjalët e Tij, duke bërë veprat e Tij dhe duke plotësuar vullnetin e Tij. Si njeri, Jisui e përmbushi përsosmërisht rolin e tij si Njeriu i Përsosur, si Adami i ri dhe i fundit. Ai bëri çdo gjë që njeriu dështoi t’i bënte, duke qenë në gjithçka përgjigja më e përsosur njerëzore ndaj iniciativës hyjnore të Perëndisë në drejtim të botës. Në këtë kuptim, Biri i Perëndisë si njeri “ripërmblodhi” jetën e Adamit, d.m.th. tërë racën njerëzore, duke e sjellë përsëri njeriun dhe botën e tij tek Perëndia Atë dhe duke lejuar kështu një fillim të ri të jetës, të çliruar nga fuqia e mëkatit, nga djalli dhe vdekja.

    Si Mesia-Shpëtimtar, Krishti përmbushi gjithashtu tërë profecitë dhe pritjet e Dhiatës së Vjetër, duke plotësuar dhe kurorëzuar në një përsosje finale dhe absolute gjithçka që ishte filluar në Izrael për shpëtimin njerëzor dhe kozmik. Kështu, Krishti është përmbushja e premtimit bërë Abrahamit, përmbushja e Ligjit të Moisiut, përmbushja e profetëve dhe Ai vetë, Profeti Final, Mbreti dhe Mësuesi, Kryeprifti i Shpëtimit dhe në të njëjtën kohë, Flijimi i Përsosur, Pashka e Re dhe Dhuruesi i Shpirtit të Shenjtë mbi gjithë Krijimin. Në rolin e tij si Mesia-Mbreti i Izraelit dhe Shpëtimtari i botës, Krishti insiston në identitetin e Tij me Perëndinë Atë dhe e quan vetveten Udha, e Vërteta dhe Jeta, Ngjallja dhe Jeta, Drita e Botës, Buka e Jetës, Dera e Vathës, Bariu i Mirë, Biri Qiellor i Njeriut, Biri i Perëndisë dhe Perëndia Vetë, Ai që Rron (Ungjilli i Joanit).

Mbrojtja e Doktrinës së Mishërimit

    Në Kishën Orthodhokse fakti qendror i besimit të krishterë, që Biri i Perëndisë erdhi në tokë si një njeri real, i lindur prej Virgjëreshës Mari për të vdekur dhe për t’u ngjallur përsëri, për t’i dhënë jetë botës, është shprehur dhe mbrojtur në mënyra të ndryshme. Predikimi i parë dhe mbrojtja e parë e besimit qëndron në pohimin që Jisui i Nazaretit është me të vërtetë Mesia i Izraelit, dhe që Mesia Vetë – Krishti – është me të vërtetë Zot dhe Perëndi në formë njerëzore.

    Të krishterët e parë, duke filluar me apostujt insistuan në faktin që Jisui është me të vërtetë jo vetëm Krishti dhe Biri i Perëndisë, por që Ai me të vërtetë jetoi, vdiq dhe u ngjall së vdekurish në mish, si një qenie e vërtetë njerëzore. Nga kjo e njihni Frymën e Perëndisë; çdo frymë që rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish është nga Perëndia; edhe çdo frymë që nuk rrëfen që Jisu Krisht ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia (1 Joani 4:2). Sepse shumë kobimtarë hynë në botë, të cilët nuk rrëfejnë se Jisu Krishti erdhi në mish… (2 Joani 7).

    Në vitet e para të besimit të krishterë, mbrojtësit e fesë – apologjistët dhe martirët – patën si dëshminë dhe detyrën qendrore mbrojtjen e doktrinës që Jisui, duke qenë Biri i Perëndisë në mish njerëzor, jetoi në tokë, vdiq, u ngjall prej Atit dhe u lavdërua si i vetmi Mbret, Zot dhe Perëndi i botës.

Sinodet Ekumenikë

    Në shekullin e tretë dhe të katërt u përhap një mësim i gabuar në lidhje me Krishtin. Sipas këtij mësimi Jisui është me të vërtetë Biri dhe Fjala e Perëndisë e mishëruar, por Biri dhe Fjala nuk është plotësisht hyjnor, por një krijesë – ndonëse krijesa më e lartë. Kështu, sipas këtij mësimi, Biri i Perëndisë dhe Personi i dytë i Trinisë së Shenjtë ishte një krijesë e bërë nga Perëndia si të gjitha krijesat e tjera. Ky ishte mësimi i Ariosit, një prift nga Aleksandria e Egjiptit.

    Kundër këtij mësimi Etërit e shenjtë, si Athanasi i Aleksandrisë, Vasili i Madh, vëllai i tij, Grigori i Nisës dhe Grigor Theologu i Nazianzit, e  mbrojtën përcaktimin e besimit të Sinodit të Parë e të Dytë, që thoshte se Biri dhe Fjala e Perëndisë – i mishëruar në formë njerëzore si Jisui i Nazaretit, Mesia i Izraelit, – nuk është një krijesë, por është me të vërtetë hyjnor, si Perëndia Atë dhe Shpirti i Shenjtë. Kjo ishte mbrojtja e doktrinës së Trinisë së Shenjtë (shih kapitullin Trinia e Shenjtë), që ruajti për Kishën e të gjithë kohërave besimin që Jisui është me të vërtetë Biri Hyjnor i Perëndisë, që ka të qenët një me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë, njëri nga Trinia e Shenjtë.

    Në të njëjtën kohë, në shekullin e katërt, Kisha gjithashtu luftoi kundër mësimit të një farë Apollinari. Ai thoshte se ndonëse Jisui është me të vërtetë Biri dhe Fjala e mishëruar e Perëndisë, mishërimi qëndron vetëm në marrjen e një trupi njerëzor dhe jo në plotësinë e natyrës njerëzore. Sipas kësaj doktrine, Jisui nuk kishte një shpirt njerëzor real, as mendje njerëzore, por Biri hyjnor i Perëndisë, që ekziston përjetësisht me Atin dhe Shpirtin, vetëm thjesht banoi në trupin dhe në mishin njerëzor, si në një tempull.

    Për këtë arsye, çdo deklarim doktrinor zyrtar i Kishës Orthodhokse, duke përfshirë të gjitha deklarimet e Sinodeve Ekumenikë, insiston gjithmonë, që Biri i Perëndisë u bë njeri prej Virgjëreshës Mari, me një shpirt racional dhe me një trup; me fjalë të tjera, që Biri i Perëndisë u bë njeri realisht, me tërë kuptimin e fjalës dhe që Jisu Krishti ishte dhe është një qenie njerëzore e plotë, duke qenë dhe duke patur gjithçka që një qenie njerëzore ka dhe është. Ky është mësimi i Ungjillit dhe i Shkrimeve te Dhiatës së Re në përgjithësi. “Edhe me qenë se bijtë kanë marrë pjesë në mish dhe në gjak, edhe Ai gjithashtu mori pjesë në të njëjtën natyrë… që t’u ngjante në gjithçka vëllezërve të Tij.” (Hebrenjtë 2:14 – 17).

    Herezia e Nestorit

    Gjatë tërë shekullit të pestë pati një debat të madh rreth kuptimit të drejtë të natyrës dhe personit të Jisu Krishtit. Sinodi i Tretë Ekumenik, mbajtur në Efes më 431, mbrojti mësimin e Shën Qirillit të Aleksandrisë. Ky mësim mbronte faktin që Ai që kishte lindur prej Virgjëreshës Mari, ishte vetë Biri hyjnor i Perëndisë, në mish njerëzor. Ishte e nevojshme të mbrohej ky fakt, sepse disa në Kishë ndiqnin mësimin e Nestorit, peshkop i Konstandinopojës, i cili mësonte që Virgjëresha Mari nuk duhet të quhej Theotokos (Hyjlindëse) – një term tashmë i përdorur në teologjinë e Kishës – sepse, sipas tij, ajo lindi njeriun Jisu, njeriun që u bë Biri i Perëndisë në mishërimin dhe jo Birin Vetë.

    Në këtë mësim ishte një ndarje ndërmjet Birit të Perëndisë, të lindur në përjetësi prej Perëndisë Atë dhe Birit të Njeriut, të lindur prej Virgjëreshës në Bethlehem; dhe që, ndonëse kishte një “lidhje” reale ndërmjet tyre, Maria lindi thjesht njeriun. Për këtë arsye, ajo mund të quhet Theotokos vetëm nga një farë kuptimi simbolik i fjalës dhe prej një devotshmërie të tepruar, por dogmatikisht do të ishte më e saktë të quhej Kristotokos (Krishtlindëse) ose Anthropotokos (Njerilindëse).

    Shën Qirilli i Aleksandrisë dhe Etërit e Sinodit të Efesit e kundërshtuan doktrinën e Nestorit dhe shpallën që termi Theotokos (Hyjlindëse), për Virgjëreshën Mari është krejtësisht i saktë dhe i plotë dhe duhet të mbahet nëse besimi i krishterë do rrëfehet i plotë dhe jeta e krishterë do jetohet saktësisht.

Termi duhet të mbrohet, sepse nuk mund të ketë ndarje ndërmjet Birit të përjetshëm dhe Fjalës së Perëndisë, lindur prej Atit para gjithë shekujve, dhe Jisu Krishtit, Birit të Marisë. Djali i Marisë është Biri i përjetshëm dhe hyjnor i Perëndisë.

Ai – dhe askush tjetër – u lind prej saj si një fëmijë.

Ai – dhe askush tjetër – u mishërua prej saj në mish njerëzor.

Ai – dhe askush tjetër – u bë njeri në shpellën e Bethlehemit.

Do të ishte e pamundur të mos kishte “lidhje” ndërmjet Birit të Perëndisë dhe Birit të Marisë, sepse ata janë në fakt një dhe i njëjti person Biri i Perëndisë u lind nga Maria.

Biri i Perëndisë është hyjnor; Ai është Perëndi.

Prandaj, Maria lindi Perëndinë në mish, Perëndinë si njeri.

Prandaj, Maria është me të vërtetë Hyjlindëse.

    Thirrja e Shën Qirillit dhe e Sinodit të Efesit ishte kjo: Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut – një Bir!

 

Sinodi i Kalqedonisë

    Mësimi rreth Jisu Krishtit, Birit të mishëruar të Perëndisë, u zhvillua dhe u shpjegua më tej në Sinodin e Katërt Ekumenik të Kalqedonisë. Ky lloj shpjegimi ishte i nevojshëm sepse ishte një tendencë për të theksuar natyrën hyjnore të Krishtit aq shumë, sa që natyra e Tij njerëzore pothuaj ishte mohuar fare.

    Në Sinodin e Katërt u bë formulimi i famshëm që thotë se Jisu Krishti, Biri dhe Fjala e mishëruar e Perëndisë është një person (ose hipostazë) që ka dy natyra të plota: hyjnore dhe njerëzore. I frymëzuar veçanërisht nga letra e Shën Luanit, papës së Romës, Sinodi i Katërt insistoi që Jisui është krejtësisht çfarë Perëndia Atë është, në lidhje me Hyjninë e Tij. Kjo ishte një referencë direkte në Besoren e Nikeas që shpallte Birin e Perëndisë “që ka të qenët një me Atin”, që thjesht do të thotë, çfarë është Perëndia Atë, Biri është gjithashtu: “Dritë prej Drite, Perëndi i Vërtetë prej Perëndie të Vërtetë”.

    Gjithashtu, Sinodi insistoi që në mishërim Biri i Perëndisë u bë krejtësisht si të gjitha qeniet e tjera njerëzore, duke rrëfyer që Jisu Krishti ka gjithashtu “të qenët një” me të gjitha qeniet njerëzore në njerishmërinë e Tij. Kjo doktrinë mbronte mësimin e besës apostolike të shkruar në Ungjijtë dhe në shkrimet e tjera të Dhiatës së Re, për shembull, në letrat e Apostull Pavlit: “I cili duke qënë në formë të Perëndisë, nuk e numëroj për rrëmbim të qenurit si një me një me Perëndinë; Por zbrazi veten e tij, edhe mori formë shërbëtori, e u bë porsi njerëzit në ngjashmëri; Edhe duke u gjendur në fytyrë porsi njeri, e përunji veten e tij, e u bë i bindur deri në vdekje, edhe vdekje kryqi” (Filipianët 2:6-8; shih: Hebrenjtë 1-2, Joani 1).

    Fjalët e mëposhtme janë fjalët bazë për përcaktimin e besimit në Sinodin e Kalqedonisë:

Duke ndjekur Etërit e Shenjtë ne mësojmë me një zë se:

Biri i Perëndisë dhe Zoti ynë Jisu Krisht duhet të rrëfehet si një dhe i njëjti (Person), dhe Ai është i përsosur si Hyjni dhe i përsosur si njeri, Perëndi i Vërtetë dhe Njeri i Vërtetë, i përbërë me një shpirt të arsyeshëm dhe trup (njerëzor), dhe që ka të qenët një me Atin përsa i përket Hyjnisë së Tij dhe që ka të qenët një me ne përsa i përket njerishmërisë së Tij; i bërë në të gjitha si ne, me përjashtim vetëm të mëkatit; i lindur prej Atit përpara gjithë shekujve sipas Hyjnisë së Tij: por në këto kohë të fundit, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, u lind (në botë) prej Virgjëreshës Mari, Hyjlindëses (Theotokos), sipas njerishmërisë së Tij.

Ky Jisu Krisht, i vetëm dhe i njëjti, i vetëmlinduri Bir (i Perëndisë), duhet të rrëfehet që ka dy natyra, të papërziera, të pandryshuara, të pandara dhe të paveçuara (d.m.th. pa u shkrirë së bashku Hyjnishmëria me Njerishmërinë, kështu që karakteristikat e veçanta të secilës nuk janë ndryshuar apo humbur; dhe gjithashtu nuk janë të ndara që të jenë dy Bij) dhe këto dy natyra i ruajtën veçoritë e tyre, të bashkuara në një Person dhe Hipostazë dhe jo të ndara në dy persona, por si një dhe i njëjti Bir i vetëmlindur, Perëndia Fjalë, Zoti ynë Jisu Krisht, si thanë dhe profetët e lashtë për Atë (p.sh. Emanueli i Isaisë 7:14) dhe si Jisu Krishti na ka mësuar, dhe si Besorja e Etërve na është dhënë.

    Një numër të krishterësh nuk e pranuan Sinodin e Kalqedonisë dhe u ndanë me ata që e pranuan atë. Ata e bënë këtë sepse menduan që Sinodi kishte ringjallur doktrinën e gabuar të Nestorit, nga insistimi në “dy natyrat” mbas mishërimit, ndonëse në sinod u theksua fort “bashkimi” i dy natyrave. Këta të krishterë janë quajtur monofizitë (që do të thotë “një natyrë”) dhe ata vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të ndarë nga Orthodhoksët e Kalqedonisë. Ato janë kishat Koptike, Etiopiane dhe Armene. Shpresojmë, që një ditë, me ndihmën e Perëndisë, kjo grindje do të zgjidhet. Sido që të jetë e ardhmja, Kisha Orthodhokse thekson që mësimi i Sinodit të Kalqedonisë është në pajtim të plotë me doktrinën anti-Nestoriane të Shën Qirilit dhe të Sinodit të Tretë Ekumenik të Efesit.

    Forca e Sinodit të Katërt, sipas pikëpamjes orthodhokse, është, sepse ai përcaktoi qartë faktin që kur Biri i Perëndisë u lind si njeri prej Virgjëreshës Mari, Hyjlindëses, Ai nuk pushoi së qenuri Perëndi dhe nuk ndryshoi Hyjninë e Tij, ndonëse u bë një njeri i plotë dhe i përsosur në mishërimin. Sepse vetë Shpëtimi kërkon bashkimin e përkryer të Hyjnishmërisë me Njerishmërinë, në një Person të Jisu Krishtit; një bashkim ku Perëndia është Perëndi dhe Njeriu është Njeri, dhe ku të dy bëhen një, në një unitet të përkryer: pa shkrirje ose ndryshim, dhe pa ndarje apo veçim.   

Perandori Justinian dhe Sinodi i 5-të Ekumenik

    Në shekullin e gjashtë, perandori Justinian, donte të riafirmonte faktin që pasuesit e Sinodit të Kalqedonisë besonin realisht që Jisu Krishti është Biri i mishëruar dhe Fjala e Perëndisë, njëri nga Trinia e Shenjtë. Ai donte ta bënte këtë, kryesisht për të bindur ata që nuk e pranonin Sinodin e Katërt, se përkufizimi i tij nuk rifuste gabimin e Nestorit. Për të realizuar këtë, perandori thirri sinodin, që tani njihet si Sinodi i Pestë Ekumenik i Konstandinopojës, më 553, i cili shërbeu për të sqaruar më tej pozicionin orthodhoks në lidhje me personin dhe veprimin e Krishtit.

    Më poshtë janë disa nga përkufizimet kryesore të këtij sinodi:

Nëse dikush e kupton shprehjen “vetëm një Person i Zotit tonë Jisu Krisht, në kuptimin e bashkimit të shumëhipostazave (ose personave) dhe kështu kërkon të fusë në misterin e Krishtit dy hipostaza ose dy persona, dhe mbasi ka futur dy persona flet për një Person vetëm në kuptimin e dinjitetit, nderimit dhe adhurimit… (dhe) do të shpifë kundër Sinodit të Kalqedonisë, duke pretenduar që ai e përdori këtë shprehje (një hipostazë dhe person) në këtë kuptim të pabesë… le të jetë mbi të anatema.

 

Nëse dikush nuk do ta quajë me një pranim të vërtetë… të tërëshenjtën, të lavdëruarën dhe gjithmonë virgjëreshën Mari, Hylindëse (Theotokos) … duke besuar që ajo lindi një njeri të thjeshtë dhe që Fjala e Perëndisë nuk u mishërua në atë… dhe do të shpifë sinodin e shenjtë të Kalqedonisë sikur ai e ka deklaruar Virgjëreshën Mari në këtë kuptim të pabesë… le të jetë mbi atë anatema.

Nëse dikush duke përdorur shprehjen “në dy natyra” nuk rrëfen që Zoti ynë i vetëm Jisu Krisht u zbulua në Hyjnishmëri dhe në Njerishmëri, dhe nuk kupton me këtë shprehje një ndryshim të natyrave të bashkuara në një mënyrë të pashprehur dot, pa u shkrirë, bashkim në të cilin as natyra e Fjalës nuk u ndryshua në atë të mishit, as ajo e mishit në atë të Fjalës, sepse secila mbeti në natyrën e saj, bashkimi është hipostatik (d.m.th. në një person); por do ta marrë shprehjen për të ndarë pjesët… le të jetë mbi atë anatema.

Nëse dikush nuk rrëfen që Zoti ynë Jisu Krisht që u kryqëzua në mish është Perëndi i vërtetë dhe Zot i Lavdisë dhe njëri nga Trinia e Shenjtë, le të jetë mbi atë anatema.

    Për të theksuar më tej, që Sinodi i Kalqedonisë ishte me të vërtetë orthodhoks, perandori Justinian shkroi një himn doktrinor, i cili këndohet akoma në Meshën Hyjnore. Ai e rrëfen Zotin Jisu Krisht si Perëndi të përsosur dhe si njeri të përsosur.

    “O i vetëmlindur Bir dhe Fjalë e Perëndisë, që je i pavdekshëm, dhe denjove për shpëtimin tonë, të mishërohesh prej Hyjlindëses së shenjtë dhe gjithmonë Virgjërës Mari, duke u bërë njeri pa ndryshuar; që u kryqëzove, o Krisht Perëndi, dhe shkele vdekjen me vdekje, që je një prej Trinisë së Shenjtë dhe lavdërohesh bashkë me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë, shpëtona.”

 

    Herezia Monothelite

    Në shekullin e shtatë, pyetja se si duhet kuptuar, përcaktuar dhe pohuar personi dhe veprimi i Jisu Krishtit, vazhdoi të shkaktojë ndarje ndërmjet besnikëve. Disa prej tyre thoshin që mbasi Biri i Perëndisë u bë njeri, Ai pati vetëm një veprim dhe vullnet (dëshirë) – veprimi theandrik dhe vullneti i Fjalës së bërë mish. Këta njerëz, të quajtur monothelitë, insistonin që Një Person i Krishtit, duke bashkuar natyrat e Perëndisë dhe të Njeriut në një Person, e shkriu sëbashku vullnetin dhe veprimin hyjnor me atë njerëzor, në një mënyrë të tillë, sa që nuk mund të dalloheshin më.

    Sinodi i Gjashtë Ekumenik, u mbajt në Konstandinopojë, në vitet 680-681. Duke ndjekur mësimet e shën Maksim Rrëfyesit (Konfesori), i cili ishte burgosur dhe torturuar për doktrinat e tij, sinodi dekretoi që ashtu si Krishti është realisht hyjnor i plotë dhe njerëzor i plotë, bashkim i përsosur i Hyjnores dhe Njerëzores në një Person, gjithashtu Ai duhet të ketë një veprim dhe vullnet real njerëzor dhe një veprim dhe vullnet real hyjnor – sipas secilës nga natyrat e Tij – dhe këto dy vullnete dhe veprime, siç dhe natyrat vetë, nuk duhen kuptuar të shkrira apo të përziera së bashku në një, sa që të humbasin karakteristikat dhe veçoritë e tyre natyrore.

    Ky vendim u bazua në faktin që meqenëse Biri i Perëndisë mbeti plotësisht hyjnor në mishërimin, Ai vazhdonte të kishte aktivitetin dhe vullnetin e Tij hyjnor; dhe meqenëse Ai u bë plotësisht njerëzor, Ai duhet të kishte gjithashtu një aktivitet dhe vullnet të plotë njerëzor; dhe që shpëtimi i njerëzimit e kërkon që të mbetet në Shpëtimtarin e mishëruar ky dallim – por jo ndarje – në aktivitetet dhe vullnetet e Tij.

    Më poshtë është një pjesë e përkufizimit të besimit në Sinodin e Gjashtë:

…Në Atë janë dy vullnete natyror dhe dy veprime natyror të pa ndarë, të pashkrirë së bashku, të pandryshuar dhe të paveçuar, sipas mësimit të Etërve të shenjtë. Dhe këto dy vullnete natyror nuk janë në kundërshtim me njëri-tjetrin (Perëndia mos e dhëntë!) …por vullneti i Tij njerëzor ndjek dhe jo duke i bërë rezistencë, por si subjekt, vullnetin e Tij hyjnor dhe të gjithëfuqishëm… […]

Sepse ashtu si trupi i Tij i shenjtë dhe i panjollë nuk u prish sepse ishte hyjnizuar, por vazhdoi në natyrën dhe gjendjen e tij, ashtu edhe vullneti i tij njerëzor, ndonëse i hyjnizuar, nuk ishte i nënshtruar, por i ruajtur… në të njëjtin Zot Jisu Krisht Perëndinë tonë të vërtetë, d.m.th. një veprim hyjnor dhe një veprim njerëzor… Sepse ne nuk pranojmë vetëm një veprim natyror në Perëndinë dhe në krijesën.

[…] …duke e besuar Zotin tonë Jisu Krisht të jetë njëri nga Trinia, dhe ne themi që mbas mishërimit dy natyrat e Tij u treguan në një hipostazë të Tij [ose person] në të cilën ai bëri mrekulli dhe pësoi vuajtje… […]

Prandaj ne rrëfejmë dy vullnete dhe dy veprime të ndodhura njëkohësisht dhe në mënyrën më të përshtatshme në Atë, për shpëtimin e racës njerëzore. 

    Herezia Ikonoklaste

 

    Në shekullin e tetë dhe të nëntë, çështja e personit dhe natyrës së Krishtit vazhdoi në debatin rreth nderimit të ikonave të shenjta në kishë. Pati në këtë kohë shumë njerëz, duke përfshirë këtu edhe sundimtarë, që pretendonin se nderimi i ikonave ishte i gabuar dhe idhujtari. Ata thoshin se Perëndia është i padukshëm dhe ka urdhëruar në Ligjin e Dhiatës së Vjetër që njerëzit të mos bëjnë “figura”, prandaj është e gabuar të pikturohen dhe të nderohen figurat e Krishtit dhe të shenjtorëve.

   Mbrojtësit e nderimit të ikonave të shenjta, të udhëhequr nga Shën Joan Damaskini dhe Theodhor Studiti, mbroheshin duke thënë se pika qendrore e besimit të krishterë është që “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” dhe që “ne pamë lavdinë e Tij” (Joani 1:14). Duke iu referuar Shkrimeve të Shenjta, ata insistonin që besimi në mishërimin e Birit të Perëndisë të çon në nderimin e ikonave, meqenëse Jisu Krishti është një njeri real me një trup dhe shpirt real njerëzor, dhe si i tillë mund të pikturohet.

    Ata thoshin se ata që ishin kundër ikonave të shenjta e bënin mishërimin një “fantazi” dhe e mohonin njerishmërinë reale të Birit të Perëndisë. Kështu ata i referoheshin fjalëve të vetë Jisuit në dialogun e tij me Filipin: Filipi i thotë: “Zot tregona Atin, edhe na është mjaft”. Jisui i thotë: “Kaq kohë jam me ju, edhe s’më ke njohur, Filip? Ai që më ka parë mua, ka parë Atin; edhe qysh thua ti tregona Atin?” (Joani 14:8-9).

    Mbrojtësit e nderimit të ikonave i referoheshin gjithashtu shkrimeve apostolike të Shën Joanit dhe Shën Pavlit. “Atë që ishte që në kryet, atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që vumë re, edhe duart tona e prekën, në lidhje me Fjalën e Jetës – Edhe jeta u shfaq dhe ne e pamë atë…” (1 Joani 1:1-2). “Sepse Perëndia i kësaj jete verboi mendimet e atyre që s’besojnë, që të mos ndriçojë mbi ata drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shembëllesa (në greqishte ikona) e Perëndisë” (2 Korinthianët 4:4).

    “I cili është shembëllesa (në greqishte ikona) e Perëndisë së padukshme, i parëlinduri i gjithë krijesës; Sepse me anë të tij u krijuan të gjitha, sa janë mbi qiejt edhe sa janë mbi dhé…të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë …Sepse mbi atë i pëlqeu Atit të rrijë me tërë plotësinë…” (Kolosianët 1:15-19). “Perëndia pasi u foli qëmoti etërve tanë me anë të profetëve shumë herë e me shumë mënyra, në këto ditë të pastajme na foli me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjithave, me anë të cilit bëri edhe botën. Ai është ndriçimi i lavdisë së Perëndisë dhe vula e qenies së Tij, që i mban të gjitha me fjalën e fuqisë së Tij…” (Hebrenjtë 1:1-3).

    Sinodi i Shtatë Ekumenik, i mbajtur në Nikea në vitin 787, deklaroi zyrtarisht, që besimi i krishterë duhet të lëçitet “me fjalë dhe me figura”. Sinodi, gjithashtu, përcaktoi qartë, se

ikonat duhen bërë, por nuk duhen adhuruar – sepse vetëm Perëndia Vetë është i denjë për adhurim – por ato duhet të nderohen e respektohen.

    Gjithashtu, sinodi bëri pohimin e mëposhtëm rreth Krishtit, në lidhje me nderimin e ikonave:

…ne i mbajmë të pandryshuara traditat kishtare, që na janë dhënë me shkrim apo me gojë, njëra prej të cilave është pikturimi i ikonave, e pranueshme në historinë e predikimit të Ungjillit, një traditë e dobishme në shumë drejtime, por veçanërisht në këtë, që mishërimi i Fjalës së Perëndisë ishte real dhe jo thjesht një fantazi, sepse kjo ka rëndësi dhe kuptim reciprok.

    Më vonë, doktrina e hyjnisë reale dhe njerishmërisë reale të Jisu Krishtit u dëshmua dhe u mbrojt nga shenjtorë të tillë si Simeoni Teologu i Ri (v.1022) dhe Grigor Pallamai, kryepeshkop i Selanikut (v.1359). Ata e mbrojtën këtë doktrinë në mësimet e tyre rreth shenjtërimit dhe hyjnizimit real të njeriut, nëpërmjet kungimit të gjallë me Perëndinë, që realizohet nëpërmjet Jisu Krishtit në Shpirtin e Shenjtë, në Kishë. Në dhe nëpërmjet Krishtit, Fjalës së mishëruar, personat njerëzore mund të mbushen me Shpirtin e Perëndisë dhe mund të jenë në kungim të vërtetë me Perëndinë Atë, duke marrë pjesë në qenien e pakrijuar, jetën dhe dritën e Trinisë së Shenjtë. Nëse Jisu Krishti nuk ishte Perëndi i vërtetë dhe Njeri i vërtetë, kjo do ishte e pamundur. Por nuk është e pamundur. Kjo është përvoja që ka njeriu për shpëtimin dhe çlirimin, në jetën e Kishës së Krishtit.