Rusia: Koha e Trazirave

    Në shekullin e shtatëmbëdhjetë Rusia hyri në “kohën e trazirave”. Boris Godonov, i cili sundoi prej 1598, vdiq në 1605. Vasil Shuiski sundoi deri në 1610 kur u kurorëzua një car polak. Gjatë kësaj kohe të trazimit social, polakët e vunë vendin nën kontrollin e tyre. Ata e kapën Moskën dhe manastirin e Shën Sergjit. Patriku Gjermogjen, udhëheqësi kombëtar, u burgos dhe e lanë të vdiste nga uria në 1612, më vonë u kanonizua si shenjt. Qysh prej mbarimit të mbretërimit të Ivanit III, Rusia u rrethua me ngatërresa politike, uri dhe fatkeqësi kombëtare. Shën Juliana Osorgini (v. 1604) u lavdërua nga Kisha në kanonizimin e saj për kujdesin, dashurinë e saj përdëllimtare për njerëzit që vuanin.

    Rusia: Skizma e Besimtarëve të Vjetër

    “Koha e trazirave” u pasua në Rusinë e Veriut nga Skizma e Besimtarëve të Vjetër. Mihal Romanov (v. 1645) u kurorëzua car në 1613. Ati i tij Filareti (v. 1633) u bë patrik i Kishës dhe sundimtari aktual i vendit në 1619. Nga 1645-1676 Aleks Romanov, një njeri i devotshëm dhe besimtar, sundoi si car. Në 1652 Aleksi zgjodhi mitropolitin mjaft të njohur dhe të talentuar të Novgorodit, Nikon, si patrik të Kishës Ruse. Në fillim Nikoni e refuzoi këtë pozitë. Ai pranoi, kur mori zotimin e udhëheqësve të Kishës dhe të shtetit se ata do t’i bindeshin pa mëdyshje ungjijve, kanoneve, etërve të Kishës dhe atij personalisht si “atit dhe kryebariut” të Kishës Ruse. Gjatë Kreshmës së Madhe, në 1653, Nikoni filloi reformën e praktikave të Kishës që po e coptonin Kishën dhe kombin.

    Reformat e Nikonit ishin të arsyeshme dhe jorevolucionare për standartet moderne. Ato kërkonin rregullimin e praktikave liturgjike ruse në përputhje me ato të Kishave të tjera Orthodhokse Lindore. Ato kërkonin korrektimin e fjalëve dhe gabimeve në shkrim të teksteve liturgjike. Konkretisht, kjo reformë kishte qëllim që rusët: ta bënin kryqin me tre gishta në vend të dy gishtave; ta këndonin “aliluia” tre herë gjatë psalmodisë në vend të dy herë, dhe të bënte ndryshime të tilla të ngjashme. Në Rusinë e kohës së Nikonit reforma të tilla – që duken të vogla sot – ishin shpërthyese. Ato e mohonin drejtpërdrejt teorinë e “Romës së tretë” dhe praktikave të Kishës dhe shtetit rus. Ato e vendosnin Orthodhoksinë Ruse në kontrollin e patriarkanave të lindjes, që aktualisht po vuanin nën turqit, për shkak të mëkateve të tyre (sipas mendësive ruse).

    Në 1657 car Aleksi u kthye nga luftimet në frontin polak dhe e gjeti Kishën dhe kombin në kaos. Kundërshtimi ndaj Nikonit kryesohej nga priftërinjtë e enorive, të cilët vetë po konsideroheshin “reformatorë”, ngaqë ata kishin kërkuar një kthim ndër njerëzit tek bindja strikte ndaj riteve dhe zakoneve tradicionale të Kishës Ruse. Nikoni, që vepronte si regjenti i carit në mungesë të tij kishte besim se Aleksi do ta mbështeste në veprimet e tij duke dënuar ata që ishin të pabindur ndaj atij si “ati dhe kryebariu” i Kishës Ruse. Por, cari nuk ishte i kënaqur me veprimin e Nikonit. Deklarimi i tij hapur i pakënaqësisë e bëri patrikun që të jepte dorëheqjen në 1658, mbasi e qortoi carin publikisht. Nga ajo kohë deri në 1666 Rusia nuk pati patrik.

   Aleksi u përpoq të pajtohej me Nikonin, por më kot. Në 1666 patrikët e Lindjes u këshilluan. Një sinod u thirr në Moskë, i kryesuar nga peshkopët e Aleksandrisë dhe Antiokisë. Ai u kurdis nga mitropoliti i paskrupullt i Gazës Pais Ligaridhi. Së pari, sinodi çkishëroi kundërshtarët e reformës së Nikonit – disa milionë besimtarë – nga Kisha. Këta kundërshtarë të Nikonit, të udhëhequr nga Kryeprifti Avakum, u quajtën Besimtarët e Vjetër ose Ritualistët e Vjetër. Pastaj sinodi e zhveshi Nikonin për dezertimin nga detyra dhe për mosrespektin e treguar ndaj carit. Sinodi nuk e pranoi zyrtarisht Sinodin e Njëqind Kapitujve që ishte mbajtur në 1551 – më i nderuari nga soborët e Kishës Ruse. Kështu sinodi i 1666-1667 e mohoi teorinë e “Romës së tretë” dhe supremacinë e pretenduar të Kishës Ruse mbi të gjitha Kishat e tjera.

    Nikoni mbeti nën arrest derisa vdiq, në 1681. Ndonëse ai kurrë nuk e ndryshoi pozicionin e tij dhe kurrë nuk e braktisi kundërshtimin e tij ndaj sinodit të 1666-1667, ai u varros në kishë me gjithë dinjitetin patriarkal. Kundërshtarët e Nikonit, Besimtarët e Vjetër sektarë, nuk e pranuan sinodin dhe shkuan në skizëm me Kishën zyrtare Ruse. Udhëheqësit e tyre, si Avakumi, u ndoqën dhe u persekutuan mizorisht. Ata u internuan dhe u dënuan me punë të rëndë, gjë që i bëri të dashur në masat e popullit të cilët e mbajtën frymën e tyre rigoroze, konservative dhe të paepur. Kryeprifti Avakum u dogj i gjallë së bashku me tre mbështetës të tij, në 1682, për “blasfemi të rënda… të lëshuara kundër carit dhe familjes së tij.” Autobiografia e tij është bërë klasike në literaturën ruse.

    Në 1682 Pjetri i Madh u bë car. Përpjekja e tij ekstreme dhe e dhunshme për ta oksidentalizuar Rusinë dhe kundërvënia e tij e ashpër ndaj mënyrës tradicionale ruse i bënë kundërshtarët të mendonin për të si Anti-Krishti. Besimtarët e Vjetër, në dëshirën e tyre për të ruajtur të pastër besimin orthodhoks dhe ritualet e Rusisë, arritën t’i ruanin format e vjetra ruse të ikonografisë dhe psalljes liturgjike, të cilat, përndryshe do të kishin humbur në histori.

    Uniatizmi

    Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, në jug të Rusisë, uniatizmi vazhdonte me forcë, ndonëse një pjesë e madhe e territorit ishte rifituar nga rusët. Vëllazëritë laike në Ukrainë dhe Galici i shërbyen mirë Orthodhoksisë gjatë kësaj kohe, nëpërmjet kundërshtimit të tyre absolut të lëvizjes unite. Ndërmjet këtyre udhëheqësve laikë ishin: Konstandin Ostrozhski (v. 1608) dhe Mileti Smotritski, i cili shkroi Vajtimet e Kishës së Lindjes në 1610.

    Pjetër Mogila

    Në 1615 u themelua Akademia Teologjike e Kievit. Në 1620, Theofani, patrik i Jerusalemit, fshehtazi prej qeverisë, dorëzoi shtatë peshkopë për orthodhoksët. Në 1633 Vladislavi IV, pasardhësi i Sigismundit, dha lejen për një mitropolit orthodhoks të Kievit. U zgjodh Pjetër Mogila (v. 1647), njeriu kryesues i shkollës teologjike të Kievit. Mogila ishte një anti-roman i zjarrtë, por ai ishte shkolluar në shkollat latine dhe kishte një respekt të madh për mësimin skolastik latin. Nëpërmjet veprave të tij të shumta, që përfshinin dhe një përkthim në sllavisht të katekizmit të jezuitit Kanisius dhe një libër shërbesash priftërore, ndikimet latine hynë në Kishën Orthodhokse në formulime doktrinale dhe praktika liturgjike. Veprat e Mogilës u gjykuan të pranueshme nga peshkopët orthodhoksë në një sinod në Kiev (1640) dhe përsëri në Jashi, në Moldavi (1643). Megjithatë, së bashku me forcat oksidentalizuese të politikave të Pjetrit të Madh, ato ishin shkaku kryesor, për pothuaj dyqind vjet robërie nga ndikimet perëndimore në teologjinë dhe devotshmërinë e popullit orthodhoks.

    Qiril Lukaris

    Qiril Lukaris (v. 1638), shërbeu si patrik i Aleksandrisë dhe patrik i Konstandinopojës në shtatë raste të ndryshëm nën turqit, para se ata përfundimisht ta mbysnin atë. “Konfesioni i besimit” i tij u dënua përnjëherë nga i njëjti sinod i Kishës në Kiev dhe Jashi, që përkrahu orthodhoksinë e katekizmit të Mogilës dhe të librave të shërbesave. “Konfesioni” i Qirilit ishte një pohim besimi tërësisht kalvinist. Në 1662 një sinod i patrikëve të Lindjes në Jerusalem konfirmoi vendimet e sinodit në Jashi dhe publikoi një “Konfesion të Besimit të Patrikëve të Lindjes”.

    Lindja

   Në shekullin e shtatëmbëdhjetë turqit shkatërruan pavarësinë e Kishave serbe dhe bullgare. Ata i nënshtruan ato drejtpëdrejt nën Konstandinopojën, duke vendosur kështu sundimin “fanariot” grek mbi të krishterët orthodhokse jo-grekë të perandorisë turke. Në këtë kohë, në Rusi, peshkopi Shën Dimitri i Rostovit (v. 1709) publikoi shkrimet e tij shpirtërore që përfshijnë një botim dymbëdhjetë vëllimesh të Jetëve të Shenjtorëve. Igumeni i shenjtë, Shën Jobi (v. 1651) i manastirit të Poçaevit jetoi, gjithashtu në këtë kohë.

    Perëndimi

    Në perëndim popujt po e rimerrnin veten nga trazirat fetare të reformës dhe kundër-reformës. Amerika po kolonizohej nga sektarë fetarë nga Anglia: Puritanë, Kongregacionalistë, Baptistë dhe Kuekers, të cilët ishin anëtarë të Shoqërisë së Miqve, themeluar nga Xhorxh Foks (George Fox, v. 1691). Në 1611 në Angli, u botua Versioni i Mbretit Xheims i Biblës. Kisha Romane e kësaj kohe u turbullua nga lëvizja e Jansenizmit, doktrinë e cila mbronte pikëpamjen se hiri u jepet vetëm të zgjedhurve të Perëndisë. Në këtë kohë, në Francë, Vinsent dë Pol (Vincent de Paul, v. 1660) themeloi urdhërin e tij përkushtuar në veprat e bamirësisë dhe shërbimit ndaj të varfërve dhe të sëmurëve.