Pas takimit të parë në Sibiu të Rumanisë dhe Asamblesë së Tretë Ekumenike, që u mbajt në shtator të vitit të kaluar, rreth 40 përfaqësues nga 18 shtete të ndryshme të kontinentit tonë që punojnë në mediat e krishtera evropiane u mblodhën në Gjenevë të Zvicrës në dt. 5-7 Shtator 2008 për të themeluar zyrtarisht rrjetin e përfaqësuesve të mediave të kishave evropiane me emrin PONEC. Ky rrjet mbështetet nga Zyra e Komunikimit pranë Këshillit Evropian të Kishave (CEC). Në këtë takim mori pjesë edhe Kisha jonë.

    “Duke e konsideruar rolin e komunikimit profesional të kishave si një thirrje të veçantë, qëllimi i PONEC është të forcojë komunikimin e brendshëm, të jashtëm dhe dialogun ndërfetar përmes shkëmbimit të praktikave më të mira, duke inkurajuar lidershipin e kishave evropiane dhe për ta integruar atë në një dimension të ri, në mënyrë që zëri i kishave të krishtera të dëgjohet qartë në Evropë dhe institucionet e saj” – ishte thelbi i deklaratës së përbashkët të PONEC.

    Takimi nisi në Qendrën Ekumenike në Gjenevë. “Ekumenizmi është në vetvete komunikim. Ai ofron sfida në lëvizjen ekumenik në mbarë Evropën dhe na jep mundësinë të jetojmë brenda shembujve që sjell çdo Kishë. Komunikimi është institucion në vetvete për të balancuar interesat” – theksoi në fjalën hapëse Rev. Colin Williams, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Europian të Kishave.

    Të ndërtojmë një institucion komunikimi në familjen ekumenike. Me këtë ide e nisi fjalën e tij, drejtori i programit për Ekumenizmin në Këshillin Botëror të Kishave, Martin Robra. Ai nënvizoi faktin se marrëdhëniet e mira varen nga komunikimi i mirë, duke u ndalur në çështjen se si duhet të ndërtojmë një media ekumenike përballë një media sekulare dhe si mund ta bëjmë ne sot ekumenizmin më të komunikueshëm, më aktiv dhe më të organizuar.

    “Përballë konflikteve dhe ndasive ne duhet të jemi së bashku dhe unik. Vizioni ynë kalon përmes komunikimit. Ne duhet të kuptojmë misionin – tha ndër të tjera edhe folësi tjetër i panelit, Rev. Dr. Sitri Nyomi, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Botërore të kishave reformatore.

    Qëllimi i këtij rrjeti të ri mediatik të kishave është shkëmbimi i eksperiencave profesionale, mbledhja e informacioneve dhe lançimi i tyre në mediat kishtare kudo në Evropë. PONEC bashkon të gjithë përfaqësuesit e departamenteve të komunikimit të kishave evropiane në trupin ekumenik (kishat anglikane, katolike e vjetër, orthodhokse dhe protestante) duke ndjekur tre hapa të rëndësishëm: ndërtimi i urave të reja të komunikimit, shpresa për të ardhmen e bashkëpunimit dhe vizioni i ri në teknologjinë e re bashkëkohore. 

    Ky rrjet do të punojë përmes komunikimit të rregullt elektronik (me seksion interaktiv në faqen e internetit të Këshillit Evropian të Kishave www.cec.kek.org ) dhe në rastet e takimeve dhe mbledhjeve të këtij Këshilli.

    PONEC do të ofrojë hapësirë për anëtarët që të reflektojnë në strategjitë e komuniteteve të krishtera në Europë dhe të shkëmbejnë “praktikat e mira”. Në veçanti, PONEC është duke reflektuar për mënyrën se si mund të integrohen dimensionet e komunikimit në lidershipin e kishave evropiane, si të forcohet zëri i kishave dhe lëvizjeve ekumenike dhe të dëgjohet në mbarë Evropën, në veçanti në bashkëpunimin me institucionet evropiane, të rinovohet komunikimi përballë medias sekulare dhe si të rritet anëtarësia në mediat e krishtera, duke u përqasur me teknologjinë e re të informacionit.

     Isidor Koti