Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në shën Vlash, Durrës, si dhe Instituti i Formimit Profesional “Fryma e Dashurisë” me qendër në Tiranë dhe filialin në qendrën “Emaus” në Gjirokastër nisën vitin e ri akademik 2007-2008 më 1 tetor, duke i pritur studentët në proces të rregullt mësimor dhe ambiente me kushte bashkëkohore.
Kryepiskopi Anastas, si themeluesi dhe mbështetësi kryesor financiar ka synuar zhvillimin e mëtejshëm të programeve mësimore me vizionin e rritjes të standardeve akademike si dhe plotësimin e të gjitha kushteve me ambiente dhe staf të kualifikuar pedagogjik. Në Akademinë Teologjike studentët e ardhur nga qytete të ndryshme të vendit u ulën në bankat e “shkollës më të bukur të jetës” siç e quajti një prej tyre. Në programin e Akademisë përfshihen edhe përjetimi liturgjik, duke marrë pjesë në shërbesat ditore të mëngjesit, të mbrëmjes, të pasdarkës.
Studentët do të marrin pjesë gjatë vitit shkollor, të paktën një herë në javë, në programe të gjëra edukimi, duke përfshirë dhënien e mësimeve të katekizmit në zonat përreth, vizita në dy institucione për fëmijë me aftësi të kufizuara, në jetimore, në shkollën e handikapëve, në një azil pleqsh, në spital etj. përkatësisht në qytetet Durrës, Kavajë, Tiranë.
Përmes kësaj veprimtarie të pasur, ata marrin formim shpirtëror dhe akademik nëpërmjet studimeve teologjike, përjetimit liturgjik dhe jetesës në komunitet. Këtë vit pritet të rritet edhe numri i librave në bibliotekën që aktualisht ka më shumë se 15.000 libra fetarë, shkencorë, historikë, letrarë etj. Akademia konsiderohet institucioni më i rëndësishëm i Kishës sonë, duke përgatitur kuadrot e rinj në radhët e klerit dhe punëtorëve të tjerë në “vreshtin e Zotit”.
Deri në vitin 2006 kanë përfunduar studimet në këtë Akademi 193 studentë, 125 prej të cilëve janë bërë klerikë, ndërsa të tjerët shërbejnë në sektorë të ndryshëm dhe aktivitetet e larmishme të Kishës. Në Akademi japin mësim rreth 20 pedagogë, klerikë e laikë, burra e gra, nga Shqipëria, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Edhe në Institutin e Formimit Profesional “Fryma e Dashurisë” në Tiranë, filloi viti i ri akademik me 250 studentët e degëve: Kuadër Menaxher, Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Informatikë, Specialist në Laboratorët Mjekësorë, Restaurim dhe Konservim veprash arti, si edhe Ikonografi Bizantine. Sipas informacioneve nga ky Institut, i cili funksionon që prej shtatë vjetësh, këtë vit janë rinovuar programet mësimore dhe ambientet. Sistemi i studimeve në Institut mbështetet në programe mësimore të standardeve evropiane dhe është i njëjtë me programin e shkollës “Delta” në Greqi dhe të simotrave të saj në vende të ndryshme të Evropës.
Studimet në Institut zgjatin 2 vjet dhe bëjnë të mundur përgatitjen dhe afirmimin e një brezi të ri profesionistësh me njohuri bashkëkohore. Programi mësimor i Institutit ofron përveç kualifikimit profesional, edhe përvetësimin e disa gjuhëve të huaja, si edhe njohuri të programeve kompjuterike. Zbatimi i suksesshëm i programit mësimor mbështetet tek stafi pedagogjik i Institutit. Pedagogët janë të zgjedhur, mjaft prej tyre me tituj dhe grada shkencore, si edhe me eksperiencë në mësimdhënie dhe formim profesional. Edhe në degën tjetër të këtij Instituti që ndodhet në qendrën “Emaus”, në hyrje të qytetit të Gjirokastrës nisën studimet 100 studentë të viteve të para dhe të dyta në degët: Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Administrim Ndërmarrjesh, Specialist i Enteve Turistike dhe Informatikë e Zbatuar. Rreth 30 pedagogë shqiptarë dhe të huaj japin mësim në ambientet e reja të këtij Instituti të pajisur me laboratorët përkatës për secilën degë. Përveç lëndëve teorike, studentët ndjekin edhe praktikat mësimore, për të qenë të aftë dhe konkurrues në tregun e punës në përfundim të studimeve dyvjeçare.
Isidor Koti

