Në Hotel “Tirana International”, më 29 tetor, u zhvillua veprimtaria e Shoqërisë Biblike Ndërfetare të Shqipërisë “Së bashku”. Ajo kishte si qëllim promovimin e një përkthimi të ri ndërkonfesional të Dhiatës së Re, i cili synoi të sillte Fjalën e Perëndisë në gjuhën e sotme shqipe. Është një botim që nuk zëvendëson botimet e secilës kishë të krishterë, por i shërben kuptimit më të mirë të Dhiatës së Re nga një publik i gjerë dhe jo vetëm i krishterë.

    Ky është një përkthim nga origjinali, greqishtja e vjetër, në shqip, duke u mbështetur edhe te krahasimi me përkthimet e mëparshme: Dhiata e Re nga Kristoforidhi (Kisha Orthodhokse), “Bibla” nga Dom Simon Filipaj, (Kisha Romanokatolike), si dhe “LIM” (përdorur në kishat Ungjillore-protestante). Ai u realizua nga tre përkthyes të rinj, të kishave pjesëtare të Shoqërisë Biblike, të cilët u trajnuan posaçërisht për këtë detyrë.

    Veprimtaria u bazua në përshëndetje e vlerësime për përkthimin, nga z. Altin Hysi, Sekretar i Përgjithshëm i SHB, Hirësi Andoni, Episkop i Krujës, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë – Durrës, përkthyesi dr. Karlo Buzzeti, z. Peter Wigglesworth, Sekretar Rajonal i Shoqërisë Biblike për Evropën Juglindore, prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Kolec Topalli etj.

    Gjatë programit u lexuan edhe disa pjesë nga përkthimi i ri nga Artisti i Popullit Robert Ndrenika, z. Enkel Demi etj. Gjithashtu, pati edhe një pjesë muzikore nga një grup të rinjsh të Kishës Orthodhokse, këndimi i “Ave Maria” nga një besimtare katolike dhe një këngë për besimin tek Perëndia, nga Saimir Braho, i vëllazërisë ungjillore etj.

Ç’është Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë

    Më 14 shtator 1996 u mbajt takimi i parë i themelimit të Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e Kryepiskopit Anastas, Arqipeshkvit Rrok Mirdita, përfaqësuesve të kishave ungjillore etj.

    Ajo është një organizatë që vepron përmes bashkëpunimit të kishave të krishtera në Shqipëri, dhe drejtohet me rotacion nga primatët e tyre.

    Qëllimi i saj është të përkthejë, botojë dhe të përhapë Shkrimin e Shenjtë në një mënyrë efektive, në një gjuhë sa më të kuptueshme dhe me një çmim sa më të arsyeshëm.

    Korresp. i Gazetës “Ngjallja