Nga data 12-15 Korrik 2007 në Seminarin Teologjik të Kragujevacit, Serbi, u zhvillua nga Organizata e Rinisë Orthodhokse Ballkanike, takimi i shtatë mbi Katekizmin në Ballkan (Greqi, Rumani, Serbi, Bullgari, Shqipëri) me temë: “Rrethanat mësimore dhe mënyrat metodologjike në edukim”. Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë merrte pjesë një përfaqësi nga Zyra e Katekizmit: Atë Ilia Mazniku, Robert Pelushi, Aleksandër Dimroçi dhe Marjeta Gorreja.

    Në qendër të seminarit ishte shkëmbimi i eksperiencave për organizimin e orës së katekizmit me fëmijë dhe të rinj, nxënës të shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm. Me interes u ndoq edhe prezantimi i punës së katekizmit në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ndryshe nga vendet e tjera pjesëmarrëse që e zhvillojnë katekizmin si lëndë shkollore në shkollat publike, organizohet dhe shtrihet prej klerit dhe katekistëve nëpër kisha dhe ambiente të tjera në funksion të orës së katekizmit.

    Në këtë prezantim që u shoqërua edhe me power-point pjesëmarrësit u njohën me përpjekjet dhe punën që bën Zyra e Katekizmit me bekimin dhe mbështetjen e Kryepiskopit Anastas.

    Bekim i veçantë në ditët e seminarit ishte edhe jeta liturgjike e përbashkët, si shërbesat e Mëngjesores dhe Mbrëmësores në paraklisin e Seminarit Teologjik të Shën Joan Gojartit. Në datën 12 Korrik, në qytetin Arhangelovac, në kishën e Apostujve të Shenjtë Pavël dhe Pjetër u kremtua dita e tyre (sipas kalendarit të vjetër), ku Atë Ilia Mazniku me kërkesën dhe bekimin e Episkop Jovanit, që kujdesej për mbarëvajtjen e seminarit, mbajti predikimin e rastit përpara qindra besimtarëve.

    Ai midis të tjerash e lidhi kujtimin e Apostujve edhe me veprën apostolike që kryen Kryepiskopi ynë Anastas si edhe foli për ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me interes ishte edhe vëmendja që tregoi media ndaj pjesëmarrjes së përfaqësisë së Kishës sonë Orthodhokse në këtë aktivitet, ku nuk munguan intervistat në lidhje të drejtpërdrejt nga televizionet serbe.

    Në këtë panair Episkop Jovani nderoi të ftuarit nga Kishat Orthodhokse nga Ballkani me një drekë festive. Mbasditja e kësaj të kremte do të na rezervonte një tjetër surprizë ku, jashtë axhendës, u gjendëm në krahinën Kozma, në kishën e Apostull Pjetrit, ku edhe jashtë saj u mbajt koncerti i përvitshëm me grupe folkloristike të krahinave të ndryshme.

    Ndërkohë që zhvillimet e seminarit dhe puna në grupe na dhanë mundësinë e shkëmbimit të eksperiencave në organizimin e orës së katekizmit. Programi ishte i pasur me vizita në vende të ndryshme të Kragujevacit, si ajo në manastirin e Shën Kollit, Draç; vizita në memorialin e 7000 burrave dhe fëmijëve të qytetit, të ekzekutuar njëherësh në kohën e nazizmit; vizita në shtëpinë dhe kishën e dinastisë mbretërore serbe, etj.

   Gjatë orëve të punës së seminarit, mbresëlënëse mbetën bisedat që Episkop Jovani organizonte me të gjithë ne, duke theksuar se çelësi për t’i mësuar fëmijët dhe të rinjtë me fjalën e Zotit është shembulli që duhet të japë mësuesi i katekizmit përpara tyre, duke qenë i pari që ecën dhe mbështet jetën e tij në urdhërimet e Perëndisë.

    
    Bekim i veçantë ishte pjesëmarrja në Liturgjinë e mbajtur ditën e dielë, më 15 Korrik në katedralen e qytetit, ku Atë Ilia Mazniku përcolli përshëndetjet e Kryepiskopit dhe të Kishës sonë për kreun, klerin dhe besimtarët e këtij vendi. Mbas liturgjisë, në respektin dhe nderin që na ofronte me gjithë dashurinë e tij Episkopi Jovan, morëm pjesë në një drekë të përbashkët, ku falënderimet e ndërsjellta u shoqëruan edhe me shkëmbimin e dhuratave, në shenjë mirënjohjeje dhe kujtimi për lutje për njëri-tjetrin. U larguam nga Serbia duke patur bekimin e Perëndisë të njohim një Kishë të shenjtë, me klerikë dhe besimtarë të devotshëm, bijtë e Shën Savës dhe Shën Stefanit, si dhe të shenjtorëve të tjerë të këtij vendi.

 

Aleksandër Dimroçi