“Rruga drejt lirisë”, ishte kjo tema dhe mesazhi i konferencës së rinisë orthodhokse “Bij të Dritës”, që u zhvillua në qytetin e Pogradecit, nga19 – 21 tetor. Veprimtaria u organizua nga Zyra e Rinisë pranë Mitropolisë së Shenjtë të Korçës, e mbështetur nga Zyra Kombëtare Rinore, pranë Kryepiskopatës së Shenjtë.
               
    Morën pjesë 85 përfaqësues nga e gjithë dioqeza. Pas akomodimit të të rinjve, veprimtaria u çel me shërbesën e Mbrëmësores, që u krye nga at Spiro Degremeni, i cili shoqëroi të rinjtë gjatë gjithë konferencës.
    Më pas u bë prezantimi i aktivitetit, i qëllimit dhe i mesazhit që ai përcillte: liria në këndvështrimin orthodhoks. Në vazhdim u bë ndarja në katër grupe e të rinjve. Ato u drejtuan nga koordinatorët e kësaj konference: Vangjel Qazimllari, Vangjel Panolli, Anjeza Panolli dhe Vasil Jovan. Drejtuesit zhvilluan takim në grupet e tyre, ku shpjeguan edhe njëherë qëllimin dhe idenë e aktivitetit. Më pas për disa orë u zhvillua një program me lojëra të ndryshme argëtuese. Dita u mbyll me shërbesën e Pasdarkës së Vogël dhe më pas të rinjtë kaluan një kohë argëtimi, duke kënduar së bashku.
               
    Dita e shtunë filloi me shërbesën e Mëngjesit dhe më pas vazhdoi me zhvillimin e një blloku lojërash, që u zhvilluan në bazë grupesh. Në mesditë u mbajt kumtesa e parë, nga drejtori i Zyrës Kombëtare të Katekizmit, z. Miron Çako, i cili kishte përgatitur një temë mbi thënien e Zotit: “Mos kini frikë, Unë e munda botën”.
    Tema ishte interesante dhe të rinjve iu shpjegua nën këndvështrimin e krishterë, se frika vjen si pasojë e natyrës sonë të rënë. Si rrjedhojë, kjo frikë mund të kapërcehet vetëm duke qenë të lirë më Zotin. Kisha në jetën e saj shpirtërore ndryshon njeriun e vjetër dhe të pushtuar nga mëkatet, pasionet dhe çdo gjë tjetër, që përveçse e robëron njeriun ngjall tek ai ndjenjën e ankthit dhe të frikës.
               
    Pasditja e së shtunës do të vijonte me një ekskursion në Volorek, një vend i bukur dhe piktoresk. Pas kësaj të rinjtë shkuan në kishën e Pogradecit, e cila i kushtohet Ngjalljes së Zotit, ku nga klerikët at Todi Jovan dhe at Spiro Degremeni u krye shërbesa e Mbrëmësores.
    E diela që ishte edhe dita përmbyllëse e konferencës, filloi me vajtjen në kishë dhe pjesëmarrjen në Liturgjinë Hyjnore, e cila u krye nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani. Menjëherë mbas mbarimit të Liturgjisë, Imzot Joani zhvilloi një takim me të rinjtë dhe mbajti një fjalë mbi temën qendrore të aktivitetit, ku ndër të tjera theksoi:
               
    “Liria në kuptimin më të thellë njerëzor ashtu siç e shikon feja është diçka më tepër. Pika thelbësore për Krishterimin është pikërisht se njeriu është krijuar i lirë… Kërkesa e vazhdueshme që ka pasur njeriu për të qenë i lirë është sepse brenda tij ka ndjerë se ka një lloj skllavërimi, skllavërim nga pasionet, nga anët e jashtme, skllavërim nga gjërat e tjera të brendshme. Të gjithë ne ndjejmë se kemi një pengesë të thellë.
    Askush nuk mund të ketë një lloj lirie, nëse nuk do të ketë një lloj kufizimi. Kufizimi i kësaj bote shpeshherë ishte për t’i dhënë njeriut mundësinë që të zhvillonte liritë e tij, ashtu siç “jo”-ja e parë që Perëndia i dha Adamit ishte pikërisht që njeriu të përmbushte vetveten e tij, në kuptimin që të gjente përmbushjen e ekzistencës, duke kryer në mënyrë të vullnetshme, vullnetin e Zotit. Disa kufizime, që në kuptimin fetar janë vendosur nga verdikti hyjnor, janë të domosdoshme për të gjetur lirinë e vërtetë dhe historia e gjatë e spiritualitetit orthodhoks është e mbushur me mijëra e mijëra raste kur njerëz, që nuk kishin asnjë lloj pasurie, megjithatë kishin arritur në majat më të larta të lirisë, sepse kishin përmbushur qëllimin e ekzistencës së tyre. Praktika ka treguar se kufizimet për të arritur lirinë e plotë kanë më tepër efekt gjatë periudhës së kreshmës, kur kufizohet ngrënia… Ndalimi është për t’i dhënë trupit një lloj lirie më të madhe, për t’i dhënë trupit atë që i mungon. Historia e gjatë e njerëzimit e ka provuar, ndonëse jo teorikisht, se jo çdo plotësim i kënaqësive trupore do të thotë një gjendje lirie për trupin; ai jo vetëm që nuk është i lirë, por dalëngadalë fillon dhe skllavërohet edhe më shumë, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda dhe kufizimet e ndryshme janë ndihmë për njeriun që të arrijë lirinë e tij të plotë…”
    Mbas këtij takimi në katin e poshtëm të kishës u shtrua edhe një drekë, në të cilën mori pjesë edhe Hirësia e Tij Joani. Më pas të rinjtë u ndanë me njëri – tjetrin duke falënderuar Zotin, sepse ky aktivitet iu dha të rinjve një dritë tjetër në jetën e tyre.
     Mihal Sonellari