Prilli i sivjetshëm shënon 70-vjetorin e një ngjarje epokale për Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, atë të dhënies së Autoqefalisë së Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike, që e futi atë si të barabartë në familjen e Kishave. Ishte kurorëzuar ëndrra e besimtarëve orthodhoksë dhe përpjekjet e filluara nga komuniteti i Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli), për të vazhduar më pas me kongreset e viteve 1922 dhe 1929, të cilat gjetën realizimin e tyre kanonik me këtë akt tepër të rëndësishëm dhe historik.

Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937 Kryepiskopi Kristofor me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës Veniaminit. Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe Episkop i Beratit, Evllogj Kurilla Episkop i Korçës, Pandejleimon Kotoko Episkop i Gjirokastrës.
Me rastin e shpalljes së Autoqefalisë në kishën katedrale të Tiranës u celebrua një Liturgji panagjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këtë ceremoni qe i pranishëm edhe mbreti Zog. Nga Episkopi i Gjirokastrës Pandejleimon Kotoko u lexua përmbledhja e Tomosit Patriarkal për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.
Në 70-vjetorin e kësaj dite historike, më 15 prill 2007, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”, në Tiranë, u mbajt një Liturgji Hyjnore Sinodike.
Thoma Dhima
TOMOSI PATRIKANOR DHE SINODIK
MBI BEKIMIN E AUTOQEFALISË SË KISHËS
ORTHODHOKSE NË SHQIPËRI
VENIAMINI, me mëshirë të Perëndisë,
Kryepiskop i Konstandinopojës, Romës së Re
dhe Patrik Ekumenik
Nr. 609 i prot.
Kisha e Shenjtë e Krishtit, si një nënë e dhembshur, duke shfaqur hapur përkujdesjen dhe interesimin saj të pandërprerë kundrejt popullit të shpresëtarëve, nuk rresht së zbatuari detyrën e kujdesimit të shenjtë çdo herë me mënyrën e përshtatshme sipas kohës dhe vendit. Kur është e nevojshme, blaton dhuratat e saj më të begata për plotësimin e nevojave që dalin, në mënyrë që adminstrimi i punëve kishtare të bëhet për ta pa pengesa dhe frytshmëria më Zotin, e cila është padyshim qëllimi i kujdesimit dhe i drejtimit kishtar, të jetë më e madhe. Kështu pra edhe tani, meqenëse të krishterët shpresëtarë orthodhoksë të të bekuarit prej Perëndisë Shtet të ri Shqiptar iu drejtuan Fronit tonë të Shenjtë Apostolik Patrikanor dhe Ekumenik, nën strehën e fuqishme të të cilit, si trashëgimi e vyer, prej shekujsh kanë gjetur mbrojtje e, me hirin e Krishtit, në vreshtin e Tij kanë gjetur shpëtim, morën guximin t’i drejtohen Atij, si një nëne të dhembshur, duke parashtruar nevojat e tyre të tanishme kishtare, me urimin e ngrohtë dhe kërkesën që zona e tyre kishtare të bekohet dhe të shpallet provincë kishtare më vete, e pavarur, autoqefale, përderisa në kushtet e reja të situatës së atjeshme politike vetëm ky organizim mund të ndikojë për mirë në mbarëvajtjen dhe zhvillimin e punëve kishtare dhe të jetë i mjaftë të sigurojë e të përçojë përparimin e pandërprerë të tyre në përparimin në tërësi të Shtetit të bekuar Shqiptar. Vetë Shteti i perëndimbrojtur Shqiptar, duke u kujdesur në mënyrë të besueshme për mbarëvajtjen pa pengesa e të lirë të nënshtetasve të vet, ka ofruar garanci për mëvetësinë dhe lirinë e plotë të Kishës Orthodhokse, e cila gjendet brenda kufijve të tij. Prandaj dhe modestia jonë, së bashku me fort të nderuarit dhe të shenjtët Mitropolitë dhe fort të ndershmit bashkëmeshtarë dhe vëllezër më Shpirtin e Shenjtë, duke shqyrtuar me interesim plot dashuri kërkesën e tyre birësore dhe me udhërrëfyes dispozitat e kanoneve të shenjta dhe rendin e praktikën kishtare, vendosëm të pranojmë me dashamirësi kërkesën që na drejtuan bijtë tanë shpirtërorë të Krishterë Orthodhoksë të Shqipërisë dhe të japim nga ana jonë bekimin dhe miratimin për organizimin e pavarur dhe autoqefal të punëve të tyre kishtare.
Duke gjykuar pra edhe sinodikisht më Shpirtin e Shenjtë, urdhërojmë dhe shpallim në këto çaste të hareshme që të gjitha eparkitë dhe komunitetet orthodhokse që përfshihen në të perëndishpëtuarin Shtet Shqiptar të jenë këtej e tutje të bashkuara në një organizim të pavarur e autoqefal kishtar me emërtimin “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë”. Kjo Kishë, e cila është motra jonë shpirtërore, të rregullojë e të administrojë këtej e tutje çështjet e saj kishtare në mënyrë të pavarur e autoqefale sipas rendit dhe të drejtave sovrane edhe të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të ketë dhe të njohë si autoritet suprem administrativ kishtar Sinodin e Shenjtë, të përbërë prej Kryepriftërinjve orthodhoksë kanonikë të Shqipërisë, me Kryetar të tij çdo herë Fort të Hirëshmin Kryepiskopin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Për zbatimin e unitetit të shenjtë kanonik me Fronin tonë fort të Shenjtë Apostolik Patrikanor Ekumenik dhe me të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale, si dhe për ta dëshmuar këtë, Hirësia e Tij Kryepiskopi i çdohershëm i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë ka për detyrë që, sipas rendit të Kishës së Shenjtë Orthodhokse, të njoftojë për zgjedhjen dhe hipjen e tij në fron nëpërmjet Letrave fronëzuese edhe Kishën tonë të Madhe të Krishtit, edhe të gjitha Kishat Orthodhokse Autoqefale motra. Po ashtu duhet të bëjë për këtë qëllim homologjinë dhe premtimin e parashikuar në lidhje me zbatimin e padevijueshëm të besimit dhe shpresëtarisë orthodhokse prej Kishës së Shenjtë që drejton dhe që i është besuar, dhe të gjithçkaje tjetër që Kanonet e Shenjta e Hyjnore dhe rendi i Kishës së Shenjtë Orthodhokse urdhërojnë, si dhe të kujtojë sipas rendit në diptikë emrin e Patrikut Ekumenik dhe të Patrikëve të tjerë fort të shenjtë dhe të Kryetarëve Fort të Hirshëm të Kishave të Shenjta Orthodhokse Autoqefale. Urdhërojmë gjithashtu që edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale motër e Shqipërisë të marrë Miron e Shenjtë prej Kishës sonë të Madhe të Krishtit.
Po ashtu, rekomandojmë që, për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare, të cilat i kapërcejnë caqet e juridiksionit të Kishave Autoqefale në veçanti, Hirësia e Tij Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë t’i drejtohet Fronit tonë fort të Shenjtë Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo Episkopatë të orthodhoksëve, shpjegues të drejtë të së vërtetës, duke kërkuar në këtë mënyrë mendimin dhe opinionin e vlefshëm të Kishave motra.
Duke gjykuar pra në këtë mënyrë, gjë që pasqyrohet edhe në ato çka vendosëm dhe miratuam në mbledhjen e rregullt sinodike të 12 prillit të këtij viti, vërtetojmë për të gjitha kohët edhe nëpërmjet këtij Tomosi Patrikanor e Sinodik të shkruar e të nënshkruar në Kodikun e Kishës sonë të Madhe të Krishtit, i cili i është lëshuar dhe dërguar njëkohësisht me përmbajtje të njëjtë e të pandryshuar edhe Hirësisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, vëllait tonë të dashur dhe bashkëmeshtartit, zotit Kristofor, Kryetar i Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shenjtë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Urojmë që Perëndia, me hirin dhe mëshirën e të parit dhe të Madhit Kryeprift e Bariut Krisht, të mbështesë gjithmonë të themeluarën me sukses Kishë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të shtojë e të përçojë drejt saj hirin dhe bekimin e Tij për lavdi të emrit të Tij të Shenjtë e në dobi të tërësisë shpresëtare të saj, si dhe në të njëjtën kohë për ngazëllimin e të gjitha Kishave të shenjta Autoqefale motra.
Në vitin shpëtimtar 1937, muaji prill (12), Epimenezi V.
Shprehet Patriku i Konstandinopojës
+VENIAMIN
+ Maksimi i Halkidhonës, + Polikarpi i Prusës,
+ Gjermanoi i Sardës dhe Pisidhisë, + Leoni i Theodhorupolit,
+ Meleti i Kristupolit, + Gjermanoi i Enit, + Ioakimi i Dherkës,
+ Thomai i Pringjiponezit, + Genadi i Iliupolit,
+ Konstandini i Irinupolit, + Dhorotheu i Laodhikisë.
70 vjet nga Tomosi Patrikanor që dha Autoqefalinë
Autoqefalia e Kishës dhe ripërjetimi i saj pas rënies së diktaturës komuniste
Prilli i sivjetshëm shënon 70-vjetorin e një ngjarjeje epokale për komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, atë të njohjes së Autoqefalisë së Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike, e cila e futi si të barabartë në familjen e Kishave. U kurorëzua ëndrra e besimtarëve Orthodhoksë dhe përpjekjet e filluara nga komuniteti i Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli), për të vazhduar më pas me kongreset e viteve 1922 dhe 1929, të cilat gjetën realizimin e tyre kanonik me këtë akt tepër të rëndësishëm dhe historik.
Më 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës nëshkruan Tomosin Patrikanor të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua Imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937, Kryepiskopi Kristofor me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë iu përgjigj me një letër falënderimi Patrikut të Konstandinopojës, Veniaminit.
Sinodi i Parë Kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe, Mitropolit i Beratit, Evllogjio Kurilla, Mitropolit i Korçës, Pandeleimon Kotoko, Mitropolit i Gjirokastrës.
Me rastin e shpalljes së Autoqefalisë në kishën katedrale të Tiranës u celebrua një Liturgji panagjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës. Në këtë shërbesë qe i pranishëm edhe Mbreti Zog. Nga episkopi i Gjirokastrës Pandeleimon Kotoko u lexua përmbledhja e Tomosit Patrikanor për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë.
Me këtë rast, po botojmë në faqjen 5 edhe TOMOSIN e plotë të dhënies së Autoqefalisë.
Në mesin e viteve ‘30, pas një periudhe të tejzgjatur krize kishtare, Orthodhoksët e Shqipërisë vërenin me keqardhje se pasojat e shkaktuara nga veprimet e deriatëhershme për shpalljen e autoqefalisë dëmtonin gjithnjë e më tepër historinë shumëshekullore dhe praninë e tyre në vend. Në kongresin e organizuar në Korçë, në maj të vitit 1936, ata shprehën hapur verdiktin e tyre për depolitizimin e çështjes dhe zgjidhjen e menjëhershme të saj. Kërkesa e tyre vuri në lëvizje palët e implikuara dhe shënoi zhvillime të reja, duke filluar me dhënien e dorëheqjes prej Kryepiskopit të atëhershëm Visarion Xhuvanit vetëm pak ditë më pas.
Në shkurt të vitit 1937 qeveria shqiptare autorizoi episkopin e Sinadëve, Kristoforin, dhe avokatin Josif Kedhi të rinisnin një cikël të ri negociatash me mitropolitin e Trapezundës, Krisanthin, si përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike. Kësaj here bisedimet u kurorëzuan me sukses dhe pak kohë më vonë, më 18 mars të po atij viti, u nënshkrua në Athinë një marrëveshje paraprake, në bazë të së cilës Patriarkana Ekumenike lëshoi më 12 prill 1937 Tomosin Patrikanor dhe Sinodik, me të cilin i jepte Kishës së Shqipërisë autoqefalinë.
Shpresëtarët Orthodhoksë të Shqipërisë e pritën këtë ngjarje të hareshme me një ndjenjë lehtësimi, duke kremtuar në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e kungimit kishtar me Kishën e Madhe të Krishtit dhe Kishat e tjera Orthodhokse të botës. Shpallja kanonike e Kishës së Shqipërisë në autoqefale konfirmonte edhe një herë pafuqinë e prirjeve të ndryshme jokishtare për t’u përballur me ndërgjegjen orthodhokse të anëtarëve të saj, me lidhjet e tyre të ngushta me besimin e të parëve dhe me vendosmërinë e tyre për t’ua përcjellë atë të pacënuar brezave të ardhshëm. Po ashtu, konfirmonte misionin ekumenik të Patriarkanës së Konstandinopojës në ruajtje të përbashkësisë së besimit orthodhoks, përparësia e së cilës qëndron mbi çdo lloj interesi apo tendence tjetër.
Ndërkaq qetësia kishtare nuk zgjati shumë. Vetëm dy vjet pas shpalljes së autoqefalisë të Kishës së Shqipërisë, pushtuesit italianë u përpoqën të pengonin kryerjen e misionit të saj historik, duke kaluar ndër të tjera edhe në akte proselitizuese në dëm të besimtarëve të saj, ndërsa ardhja në pushtet e komunistëve në nëntor të vitit 1944 e vështirësoi akoma më shumë gjendjen.
Në kuadrin e së famëkeqes “luftë e klasave” dhe të konfliktualitetit të ideologjisë marksiste me doktrinën dhe botëkuptimin fetar, regjimi komunist kufizoi në një masë të konsiderueshme jo vetëm funksionimin pa pengesa të autoqefalisë, por edhe të çdo shprehjeje të jetës orthodhokse në përgjithësi. Me persekutimet e shumta, me burgosjet dhe ekzekutimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm, por sidomos me largimin e dhunshëm të Kristofor Kisit nga froni i kryepiskopit më 25 gusht 1949, largim i cili u pasua në nëntor të po atij viti nga ligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, propaganda komuniste u përpoq të vendoste Kishën Orthodhokse nën kontroll, për ta përdorur në vijim në interes të saj.
Shpërthimi i fushatës ateiste më 1967 dhe intensifikimi i persekutimit fetar çoi në ndalimin e plotë të çdo shfaqjeje të dukshme fetare. Të gjithë klerikët u zhveshën, disa prej tyre u burgosën, të tjerë u internuan, ndërsa ata që mbetën u detyruan t’u nënshtroheshin punëve të rënda e të vështira për të siguruar bukën e gojës. Qindra ambiente kulti u shkatërruan apo u kthyen në stalla e depo. “Atmosfera revolucionare”, e krijuar në mënyrë artificiale, shtoi akoma më shumë frikën dhe tmerrin që mbizotëronte gjithandej. Me kalimin e kohës, sidomos kur asnjë prej episkopëve të mëparshëm nuk gjendej më në jetë, një grup klerikësh dhe laikësh orthodhoksë, midis të cilëve edhe prifti nga Vlora dhe më pas Episkopi i Apollonisë, i gjithmonëkujtuari Kozma Qirjo, teologët Theofan Popa e Dhimitër Beduli, mësuesi nga Qeparoi Petro Xhuveli, motrat Cico nga Korça e sa e sa të tjerë, me shpirt sakrifice e martirizimi, morën përsipër mbajtjen gjallë të ndërgjegjes orthodhokse të mijëra besimtarëve si dhe ruajtjen të paprekur të traditave të të parëve. Dëshira e tyre e zjarrtë ishte rehabilitimi i lirisë fetare dhe riorganizimi i Kishës Orthodhokse. Dështimi i ideologjisë komuniste dhe mbarimi i luftës së ftohtë në fund të viteve ‘80 gjeti shumë prej tyre të plakur, të tjerë i gjeti të dërrmuar, të tjerë të rraskapitur, por të gjithë duke iu lutur Perëndisë e duke pritur me durim episkopin e tyre.
Më 8 janar 1991 Patriarkana Ekumenike caktoi si eksark të saj për Shqipërinë Episkopin e atëhershëm të Andrusës dhe profesorin e Universitetit të Athinës Anastas Janullatosin, i njohur në arenën botërore kristiane për veprimtarinë e tij hierapostolike. Misioni i tij ishte kontaktimi me pjesëtarët e bërthamës kryesore, klerikë dhe laikë, vlerësimi objektiv i gjendjes dhe riorganizimi i Kishës.
Klika ateiste reagoi menjëherë. Gazeta e Partisë së Punës “Zëri i Popullit” botoi më 30.01.1991 një artikull, me anë të të cilit konfirmonte kundërshtimin e komunistëve ndaj përkrahjes që Patriarkana Ekumenike u ofronte Orthodhoksëve të Shqipërisë. Vetë R. Alia kishte deklaruar disa herë se ky veprim i Fanarit përbënte ndërhyrje arbitrare e të jashtëligjshme në dëm të “autoqefalisë shqiptare”, duke bërë të qartë se Eksarku i Patriarkanës ishte person i padëshiruar. Me sa duket, nuk e dinte se në atë kohë në Shqipëri, jo vetëm thjesht nga pikëpamja praktike, por edhe në kuptimin teologjik të fjalës, për shkak mungese episkopi, nuk ekzistonte fare Kishë, aq më tepër autoqefale. Ripolitizimi i çështjes së autoqefalisë, i cili është një term thellësisht kishtar, që nuk shpreh veçse një realitet të caktuar kishtar në një territor të caktuar kishtar, episkopët e të cilit, në bazë të kanoneve dhe traditave të shenjta të Kishës Orthodhokse Lindore, fitojnë të drejtën për të administruar sinodikisht pushtetin që Zoti ynë Jisu Krisht u dorëzoi nxënësve të Vet, krijoi në vazhdim një tension të madh. Argumentet e R. Alisë u dëgjuan dhe u ricikluan pambarim edhe pas zgjedhjes (24.06.1992) dhe fronëzimit (02.08.1992) të Eksarkut të Patriarkanës Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Madje u ngrit edhe një komitet “për mbrojtjen e autoqefalisë” nga njerëz që s’kishin kurrfarë lidhjeje me Kishën Orthodhokse! U identifikuan shpesh herë si qarqe joorthodhokse, por në të vërtetë përfaqësonin një sistem të tërë, platforma politike e të cilit funksiononte si zgjatim i ideve të fushatës ateiste të vitit 1967, e përshtatur në një mjedis të ri propagandistik. Qëllimi i tyre imediat ishte të pengonin dhe të goditnin rehabilitimin e institucionit të fesë dhe, për pasojë, instalimin e demokracisë së vërtetë dhe rehabilitimin e plotë të lirisë.
Ndërkaq, Kryepiskopi Anastas, ndryshe nga akuzuesit e tij, nuk e shikonte autoqefalinë, e cila gjithsesi ishte inekzistente, si etiketë, por si një objektiv që duhej realizuar. Brenda pak vitesh jeta kishtare njohu një lulëzim të paparë. U dorëzuan dhjetëra priftërinj dhe u përgatitën qindra kuadro, u zhvillua arsimi kishtar dhe u inkurajua vepra hierapostolike. Më 1998 u krijuan premisat që çuan në krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe që bënë të mundur funksionimin e autoqefalisë, e cila u konsolidua akoma më shumë para disa muajsh me zgjedhjen dhe hirotonisjen e tre episkopëve të tjerë, ndërsa ekzistenca e kuadrove të tjerë në moshë të re, të aftë e të mirëpërgatitur, të cilët do të thirren në të ardhmen për t’i dhënë një shtysë akoma më të madhe veprës që po kryhet, përbëjnë garanci të plotë se Kryepiskopi Anastas është kujdesur edhe për perspektivën e saj në vitet që vijnë.
Arritjet e mësipërme, falë të cilave Kisha jonë është sot me të vërtetë autoqefale, janë bashkëudhëtare me përpjekjet e të gjitha komuniteteve fetare për rehabilitimin dhe konsolidimin e institucionit të fesë. Njëkohësisht, janë bashkëudhëtare me përpjekjet e qytetarëve shqiptarë për demokraci dhe përparim shoqëror, prandaj dhe e radhitin protagonistin kryesor të ripërjetimit të autoqefalisë, Kryepiskopin Anastas, ndër personalitetet më të shquara të historisë së lëvizjes demokratike në Shqipëri për periudhën paskomuniste.
Pirro Kondili
Shenim: Fotoja me poshte eshte e Imzot Kristoforit Kissit, Kryepiskopit të parë KANONIK të Kishës sonë.