Në një atmosferë lutëse dhe dashurie vëllazërore u krye Liturgjia e parë Hyjnore në kishëzën e re të Tre Hierarkëve në Institutin Profesional “Frymë Dashurie” në Tiranë. Më 30 janar, ditën e kremtimit të shenjtorëve mbrojtës të arsimit, mes shumë studentëve dhe stafit pedagogjik të Institutit ishte i pranishëm edhe Kryepiskopi Anastas. 
     “Duhet të përpiqemi për dijen e lartë dhe në të njëjtën kohë duhet të jemi njerëz të dashurisë që të transmetojmë Diellin e Drejtësisë. Prandaj ne kryem Liturgjinë e parë Hyjnore në kishëzën e Tre Hierarkëve dhe uroj të jeni në një nivel të lartë shpirtëror dhe arsimor në çdo kohë.” – tha në fjalën përshëndetëse Kryepiskopi Anastas.
     Më tej ai nënvizoi se këta shenjtorë janë bashkëkohorë edhe për Shqipërinë. Prania e tyre kishte ndikim edhe në vendin tonë që në shekullin e katërt. Shenjtorët nuk bëjnë pjesë në një kohë të ndryshme, por janë të bashkuar me Perëndinë dhe me hirin e dashurisë që kanë, ata mbeten mbrojtësit e gjithë bijve të tyre.
   Ata ishin dhe mbeten pararojë e dijes dhe të gjitha njohuritë e tyre i vendosën në shërbim të njerëzve të thjeshtë. Ata treguan dashuri të veçantë për të rinjtë, të sëmurët ose të përndjekurit. Ata njohën vetë Perëndinë, i Cili është dashuria e mishëruar.
     “Përpiquni që t’i keni këta shenjtorë si shembujt tuaj dhe përparoni në njohje të reja shkencore. Ajo që i bën njerëzit të jenë të vyer dhe bashkëkohorë është që ta përdorin këtë dije për të gjithë shoqërinë dhe në mënyrë të veçantë për ata që janë të privuar”- tha Kryepiskopi.
     Duke uruar gjithë personelin e shkollës dhe të gjithë studentët, Kryepiskopi Anastas u bëri thirrje që të ndërtojnë bërthamën që lidh dashurinë, njohurinë dhe besimin. Ky institut duhet të jetë në pararojë të këtyre vlerave.  Më  pas për të gjithë të pranishmit dhe studentët u shtrua një koktej dhe u pre e u nda edhe keku i Shën Vasilit, si çdo fillim viti të ri.  Pak me vonë në orën 12 në sallën e mbledhjeve u zhvillua sesioni shkencor me temë “Zhvillimi kërkon ndryshim” – kreativiteti në trajtimin e problemeve ekonomike, opsion në rrugën e zhvillimit dhe suksesit – përgatitur nga studentët e Departamentit Ekonomisë.
     Kumtesat të përgatitur nga studentët nën drejtimin e profesorëve të tyre u paraqiten me shumë interes: “Feja, tatimet, kontabiliteti dhe tatimpaguesi”, “Reformat në sistemin tatimor domosdoshmëri objektive”,  “Ekonomia dixhitale, Ekonomia e së ardhmes”, “Varfëria dhe rrugët për uljen e saj”, Standardet evropiane në kontabilitetin shqiptar”, “Burimet energjetike si faktor përparimi dhe prosperiteti të vendit”.
    
     Instituti i Formimit Profesional“Frymë Dashurie”u krijua në vitin 2000 dhe ka një profil të mirëfilltë profesional në fusha dhe shkenca të ndryshme. Ai ofron mundësinë e arsimimit pas mbarimit të shkollës së mesme, duke pasur si qëllim një vend pune të suksesshëm. Studimet në Institut zgjatin 2 vjet dhe bëjnë të mundur përgatitjen dhe afirmimin e një brezi të ri profesionistësh me njohuri bashkëkohore. Së shpejti në këtë vend do të nisin edhe veprimtaritë e shumta shpirtërore dhe kulturore me studentët e Institutit dhe të rinjtë e të rejat e zonës përreth.
Isidor Koti