“Mblidhemi për të festuar kurorëzimin e mundimit të përbashkët dyvjeçar”. Me këto fjalë përshëndetëse, Kryetari i Bordit të Institutit Profesional “Frymë Dashurie”, Prof.Dr. Leandro Haxhi përshëndeti 86 studentët e sapodiplomuar. Ata mbyllën ciklin e studimeve në një ceremoni të veçantë të organizuar më 24 nëntor në ambientet e këtij Instituti.

    “Sot të dashur kolegë, kështu meritoni t’ju quaj, ju jepet një çelës për njohuritë e profesionit. Ju duhet të konkurroni me dinjitet sikurse edhe paraardhësit tuaj. Mos i mbyllni librat, çdo profesion kërkon njohuri të reja” – i këshilloi profesor Harxhi studentët e tij të veshur me uniforma të posaçme në këtë ditë festive. Ai theksoi se askush nuk e konkurron këtë Institut me kushtet bashkëkohore dhe kjo falë përkujdesjes së pandërprerë të Kryepiskopit Anastas gjatë shtatë viteve të funksionimit të shkollës.

    Instituti i Formimit Profesional“Frymë Dashurie”në Tiranë formon studentë në këto profesione: Kuadër Menaxher, Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Informatikë, Specialist në Laboratorët Mjekësorë, Restaurim dhe Konservim veprash arti, si edhe Ikonografi Bizantine.

    Sistemi i studimeve në Institut mbështetet në programe mësimore të standardeve evropiane dhe është i njëjtë me programin e shkollës “Delta” në Greqi dhe të simotrave të saj në vende të ndryshme të Evropës. Studimet zgjatin 2 vjet dhe bëjnë të mundur përgatitjen dhe afirmimin e një brezi të ri profesionistësh me njohuri bashkëkohore. Gjatë këtyre viteve pjesa më e madhe e tyre janë angazhuar me sukses në specialitetet e tyre në sektorë të ndryshëm shtetërorë e privatë.

    Tre nga studentët më të mirë të këtij viti: Nevila Musai (laborator mjekësor), Meri Kozho (llogari të kompjuterizuara) dhe Joan Sllavi (kuadër menaxher) transmetuan emocionet e tyre të akumuluara pas një pune intensive studimore, duke u shpërblyer edhe me një bursë të veçantë nga Kryepiskopi Anastas.

    Ata folën para të pranishmëve për disa nga çastet më të bukura të viteve studimore, duke falënderuar në të njëjtën kohë edhe stafin e Institutit, pedagogët dhe prindërit e tyre.

    Më pas fjalën e mori Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, i ftuar i veçantë në ceremoninë e diplomimit, duke theksuar se kjo diplomë është e vlefshme për shumë kohë, por me përpjekje për ta pasuruar me njohuri të reja. “Mundohuni që në jetën tuaj të jeni studentë dhe dhjakonë. Studentë sepse nuk mbarojnë kurrë njohuritë dhe dhjakonë sepse përherë duhet të jeni në shërbim.

    Ky është një imazh për të ardhmen”. Ai i këshilloi studentët e sapodiplomuar që të mbajnë mend ditën e parë dhe të fundit të shkollës. “Mos u trembni në ditën e parë dhe mos u entuziazmoni nga dita e fundit. Kurdoherë duhet të jeni të aftë për të përballuar sfidat e jetës”.

    
    Në fund të ceremonisë për studentët u shpërndanë diplomat nga Hirësi Andoni dhe pedagogët e Institutit, duke marrë me vete kujtimet më të bukura.

I. Koti