KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPERISE
Rr. e Kavajës Nr. 151, Tiranë. Tel. 234117 Fax. 232109
Nr. 103/1 Prot. Tiranë, 28 Mars 2007
D e k l a r a t ë
Herë pas here shfaqet nëpër stacione televizive e gazeta individi Nikolla Marku nga Elbasani, i cili bën deklarata fyese, sulme shpifëse dhe propozime qesharake për Kishën Orthodhokse.
Jemi të detyruar të ritheksojmë, se zotëria në fjalë nuk bën pjesë dhe as ka ndonjë lidhje me Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila është e vetmja që njihet nga shteti dhe gjithë komunitetet e tjera fetare në Shqipëri, si dhe organizmat fetarë ndërkombëtarë. Ai përfaqëson vetëm veten e tij dhe qarqet që e përdorin për qëllime që zakonisht nuk kanë lidhje me besimin.
Është e papranueshme dhe e dënueshme që një njeri i tillë, i ndihmuar nga disa media dhe ndonjë politikan, të keqinformojë dhe çorodisë opinionin e gjerë publik me deklarata të përçarta; një njeri që shfaqet si prift, ndërkohë që ai nuk njihet si klerik nga asnjë Kishë Orthodhokse e botës, nga asnjë Kishë e komunitetit tjetër të krishterë dhe nga asnjë organizëm ndërkristian.
Sekretariati i Sinodit të Shenjtë