|
Atmosferës festive të Krishtlindjes i paraprinë tri veprimtari të rëndësishme.
Dhjetë ditë më parë e në vijim kishat, rrugët e qytetit u zbukuruan me banderola dhe drita shumëngjyrëshe, sheshi kryesor i Beratit dhe çdo shtëpi e tij u pajis me bredha, ku spikatnin lodra, shirita, llambushka dhe dhurata të fshehura nën to për të lumturuar fëmijët buzagazë, këta engjëj të shpresës së madhe.
|
|
|
Më 20 dhjetor, ditën e Hierodëshmor Ignat Hyjmbajtësit, në kishën e Shën Spiridhonit u mbajt Liturgjia Hyjnore, e drejtuar nga Mitropoliti, Hirësi Ignati, i i shoqëruar me pjesëmarrjen e dhjetëra priftërinjve, të ardhur nga enori të ndryshme të Dioqezës. Gjatë liturgjisë, të pranishmit e shumtë ndoqën me interesim të madh hirotonisjen në dhjak të ish-katekistit Nikolla Lushi, i cili iu shtua radhës së gjatë të klerikëve shqiptarë, të dorëzuar gjatë këtyre 16 viteve.
|
![]() |
![]() |
Natën e 23 dhjetorit, duke u gdhirë 24 dhjetori, në selinë e Mitropolisë dhe në shtëpitë beratase u pritën me ngazëllim, me bujari dhe me qerasje simbolike grupet e rinisë orthodhokse, të cilët mbanin në duar kutitë me ikonën e Krishtlindjes dhe me yllin udhërrëfyes, duke kënduar me frymëzim këngën e kolendrave: “Zotërinj e Zonja, erdhëm t’ju gëzojmë, se në Bethlehem lindi një mbret sot…”. Është për t’u theksuar se kjo traditë e bukur po rilind gjithmonë e më shumë nga viti në vit.
|
|
Më 25 dhjetor, besimtarë të panumërt u nisën qysh në orën pesë të mëngjesit nga drejtime të ndryshme për në kishën e Shën Spiridhonit në Gorricë dhe në ish-katedralen e Shën Marisë, në kala, ku në orën gjashtë u celebrua me madhështi Liturgjia Hyjnore.
|
![]() |
![]() |
Në të dyja këto kisha, në mbarim të liturgjisë, u lexua dhe u dëgjua me vëmendje të posaçme mesazhi i Hirësi Ignatit, drejtuar klerit dhe besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë të Dioqezës së Beratit, ku, ndër të tjera, theksohet: “Kush do t’i bëjë njerëzit vëllezër? Kush do të bëhet Shpëtimtar dhe Çlirimtar për çdo njeri dhe për tërë njerëzimin?
|
|
Kush tjetër, përveç Atij që u lind në Bethlehem, i Biri i Virgjëreshës dhe i Perëndisë, Jisu Krishti, i Adhuruari ynë? Sepse Engjëlli tha: “Mos kini frikë; se ja, ju sjell lajmin e mirë për një hare të madhe, që do të ketë gjithë populli, se sonte ju ka lindur në qytetin e Davidit Shpëtimtari, që është Krishti, Zoti” (Lluka 10-11). Mesazhi përfundoi me porosinë e vyer: “… Në kishat tona, këtu, ja ku është Perëndia i pasur që u varfërua për t’u pasuruar të gjithë ne. Le t’i afrohemi me pendim dhe t’i kërkojmë ndjesë. Le të marrim vendim për një jetë të virtytshme. Dhe atëherë do të jemi të sigurt se Grazhdi Hyjnor do të bëhet edhe për ne stacion dhe liman Shpëtimi.”
|
![]() |
|
Të ngazëlluar nga kjo festë madhështore e mbarë njerëzimit, besimtarë të shumtë bënë një vizitë të paharruar në selinë mitropolitane, ku gjithashtu erdhën për të uruar edhe Prefekti i Beratit, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, Kryetari i Bashkisë me anëtarët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Myftinisë së Beratit, të cilët i priti me ngrohtësi dhe përzemërsi të veçantë Mitropoliti i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, i cili shkëmbeu me të gjithë thirrjen e zjarrtë të paqes, bashkëpunimit, tolerancës, vëllazërimit për të mirën dhe begatinë e bashkëqytetarëve tanë. |
|
|
|
|
Ilia Mihal Zaka




