Edhe këtë vit, shkëlqimi i Ngjalljes ndriçoi të gjitha zonat e Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës. Java e Madhe dhe sidomos Shërbesa e Ngjalljes ishte e mbushur me emocione dhe madhështi. Kjo festë përshkroi të gjithë komunitetin orthodhoks dhe shoqërinë mbarë, sikundër ndodh me të kremtet e mëdha të Orthodhoksisë.
   Shërbesa e Ngjalljes mbushi si asnjëherë tjetër kishat dhe sheshet e tyre, jo vetëm nëpër qytete, por edhe në fshatra. Kudo që patën mundësi klerikët e Kishës sonë, së bashku me klerikët e ardhur nga Greqia për të ndihmuar gjatë këtyre ditëve arritën të kryejnë në shumicën e enorive shërbesat e Javës së Madhe dhe Shërbesën e Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht.
    Sivjet u vu re ardhja e një numri të konsiderueshëm të emigrantëve nga Greqia, të cilët ndodhen me qëndrim të përkohshëm dhe punësim atje. Pjesëmarrja e tyre me devocion në Shërbesën e Ngjalljes e bëri edhe më të hareshme atmosferën. Ishin me të vërtetë ditë, të cilat përshkoheshin nga një atmosferë e ngrohtë shpirtërore dhe që plotësoheshin me gëzimin e Ngjalljes.
    Në misterin e kungatës hyjnore u afruan shumë besimtarë; të rinj e të reja, fëmijë dhe të moshuar, që në emocionin e ngjarjeve dhe të pësimeve që i përjeton çdo anëtar i Kishës Orthodhokse, bëhet akoma më madhështor ky fakt. Dhe kjo falë punës së palodhur të klerikëve, të cilët punuan me shumë devotshmëri, në qytet dhe në fshatrat përreth. Në të gjitha kishat, pas Shërbesës së Ngjalljes vazhdoi Liturgjia Hyjnore, të cilën e ndoqën shumë besimtarë. Atmosfera e ngrohtë e Ngjalljes mbushi shpirtin dhe zemrat e të gjithë besimtarëve, kudo: në Gjrokastër, Sarandë, Himarë, Përmet, por edhe në fshatra të ndryshme.
    Në Gjirokastër, shërbesa e Epitafit edhe njëherë nxorri në rrugët e kalldrëmta besimtarët e të dyja enorive të “Metamorfozës së Shpëtimtarit” dhe të “Kryengjëjve” dhe sipas ritit tashmë i kthyer në traditë, u bashkuan në sheshin qendror, duke i dhënë gjithë qytetit një tjetër pamje. Litania e Epitafit po aq e bukur ishte edhe në Sarandë, ku dritat e llambadhave mbushën atë natë të së Premtes së Zezë gjithë bregun e detit dhe sheshin e qytetit.
    Ngjallja e Zotit tonë Jisu Krisht në Përmet, në Kishën e “Lindjes të së Tërëshenjtës” në qendër të qytetit, por edhe në kishat e tjera, mblodhi qindra besimtarë dhe u bë në atë moment një pikë, që shkëlqente për të gjithë zonën përreth.
    Në të dyja gjuhët, shqip dhe greqisht, vendi u mbush me psalmet: “Krishti u Ngjall së vdekurish…” dhe “Kristos anesti ek nekron…” atë natë si edhe në ditët në vazhdim. Eshtë një traditë e bukur në shumicën e fshatrave tona, që njerëzit gjatë gjithë javës së Pashkës ngjiten në manastiret e shumta me të cilat është e mbushur zona, por edhe në kishëza të ndryshme përreth.
    Kremtimi i kujtimit të Shën Gjergjit ishte një tjetër festë e madhe pasi një mori kishash në të gjithë trevën festojnë me këtë shenjtor, për të vazhduar kështu atmosferën paskale edhe të hënën, me të njëjtin ritëm dhe gjallëri. U ndoq nga të gjithë besimtarët edhe transmetimi televiziv i Shërbesës madhështore të Ngjalljes në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari” në Tiranë, nën kryesimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, imzot Anastasit. Në të gjitha enoritë e Gjirokastrës u lexua mesazhi paskal i Kryepiskopit Anastas.

 
“Korrespodent i Ngjalljes” – Gjirokastër