Në dt. 12 tetor 2010 Kryepiskopi Anastas u nderua me titullin e nderit Doktor Nderi “Honorary Doctor” të Universitetit, “Apostull Andrea i Parëthirruri” të Patriarkanës së Gjeorgjisë.
Ky titull iu dha Kryepiskopit Anastas gjatë Simpoziumit Shkencor Ndërkombëtar me rastin e 1000-vjetorit të ndërtimit të katedrales historike të Svetitskhovelit dhe 1700-vjetorit të themelimit të saj, që u zhvillua po në këtë universitet. Në Universiteti “Apostull Andrea i Parëthirruri”studiojnë 3000 studentë. Në këtë simpozium merrnin pjesë edhe delegacionet e Kishave Orthodhokse Autoqefale dhe të Patriarkave, të gjithë të ftuar në festimet e këtij jubileu historik, në mes tyre edhe delegacioni i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që po kryente vizitën e saj të parë zyrtare në Kishën Orthodhokse të Gjeorgjisë me ftesë të Primatit të saj, Fortlumturisë së Tij, Ilia II, Kryepiskop i Mskhetas dhe Tbilisit dhe Patriark-Katholiku i gjithë Gjeorgjisë.
Delegacioni i Kishës Orthokse të Shqipërisë përbëhej nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij Anastasi, Mitropoliti i Gjirokastrës H. Dhimitri, Episkopi i Apollonisë H. Nikolla dhe Arkimandrit Asti.
Pas fjalës lavdëruese dhe vlerësuese drejtuar kryepiskopit Anastas si udhëheqës shpirtëror që ringjalli Kishën e Shqipërisë, që ka ofruar edhe ofron shumë në organizimin dhe veprimtarinë e gjerë sociale dhe arsimore të saj, dhe njëkohësisht si figurë shkencore e njohur botërisht nga shumë universitete iu dha ky titulli nderues nga Kryetari Këshillit Akademik i Universitetit z. S. Vardosanidze me motivacionin “Për veprimtari arsimore e shkencore dhe kontributin e jashtëzakonshëm në sistemin arsimor teologjik”, shoqëruar edhe me simbolin e “Luanit të artë”.
Më pas Kryepiskopi mbajti përpara trupit akademik, të ftuarve dhe studentëve referatin e tij shkencor “Vlerat shpirtërore të Evropës dhe përgjegjësia e të krishterëve”. Në fund Kryepiskopi Anastas i dhuroi universitetit disa libra të tij. Për nder të kësaj ngjarjeje universiteti dha edhe një kokteil për të gjithë të ftuarit.
Arkimandrit Asti Bakallbashi
|