Edhe në Dioqezën e Beratit, Java e Madhe, e cila u finalizua me Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht, u kremtua me madhështi. Mitropoliti i Beratit gjatë kësaj jave kreu shërbesat paskale në disa kisha në Berat, në Vlorë, në Fier. Kështu të Dielën e Dafinave dhe deri të Enjten e Madhe ai kreu shërbesat e Dhëndërit, Efqelinë dhe Kryqëzimin në kishën historike të Shën Spiridhonit, gjithashtu edhe atë Shën Gjergjit të kalasë.Të Mërkurën e Madhe, në ceremoninë e bukur të lyerjes me vajin e shenjtë, qindra shpresëtarë patën rastin dhe bekimin të vajoseshin për shërim sëmundjeje trupore dhe shpirtërore.
Të Enjten e Madhe, besimtarët iu falën të përulur Kryqit të Shenjtë, duke e gdhirë atë natë brenda në Kishë pranë Kryqit, që mbart trupin e pavdekësisë.
Të Premten e Madhe, ngarkesa emocionale dhe shpirtërore ishte më e madhe. Pasi përfunduan vajtimet e përmbivarrshme, u krye litania e epitafit në lagjen Gorricë me pjesëmarrjen e qindra besimtarëve. Ndërsa Mitropoliti kreu Shërbesën e Epitafisë në kishën e Shën Theodhorëve, në Vlorë, midis shumë besimtarëve vlonjatë.
Ngjalljen e Krishtit, besimtarët e pritën në kishën e të Tërëshenjtës Mari në kala, ku u dha edhe lajmi i triumfit të pavdekësisë. Ishte një moment i paharrueshëm, kur Hirësia e Tij Ignati, doli nga Ajovima me qiririn e ndezur, duke thënë: “Eni merrni dritë nga drita që s’perëndon”. Qindra shpresëtarë të moshave të ndryshme, vërshuan drejt tij për të ndezur llambadhet e tyre, duke i dhënë kështu një ndriçim vezullues të gjithë kishës. Në orën 24.00, në oborrin e kishës, u mblodhën të gjithë besimtarët, për të dëgjuar mesazhin e përgatitur nga Hirësia e tij Ignati, për këtë ditë të shënuar.
Ngjarjen dhe pranimin e Ngjalljes së Jisu Krishtit Mitropoliti e paralelizoi edhe me ditët e sotme ku ndër të tjera tha: “Mos vallë nuk ka në epokën tonë njerëz të tillë? Mos vallë edhe sot, me gjithë ligësinë dhe mëkatin që mbizotërojnë nuk ka njerëz të Tij, të Krishtit që u ngjall, të cilët me jetën e tyre shpirtërore dëshmojnë këtë realitet të madh, se Krishti që u ngjall dhuron jetën e re dhe të amshuar për të gjithë ata që duan? Edhe pse mund të bëhemi njerëz të rinj, të krishterë të vërtetë që do të jetojmë këtë jetë me Krishtin, duhet ta duam Atë dhe t’ia dorëzojmë veten tonë Krishtit që u Ngjall. Atëherë do të mundemi edhe ne nga përvoja dhe me gjithë zemër të shpallim dhe të vërtetojmë “Krishti u Ngjall! Vërtet u Ngjall!”. Pas fjalës së mirë paskale të ngjalljes, besimtarët u rikthyen në kishë, ku edhe vazhduan lavdërimin hyjnor edhe me Liturgjinë Hyjnore deri në orën 02.30 të së dielës.
Po atë ditë, të dielën e Pashkës së Madhe, Mitropoliti Ignat kreu Mbrëmësoren e Dashurisë në kishën e Shën Gjergjit të qytetit të Fierit, ku mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu, i cili kishte ardhur për të marrë pjesë në gëzimin e festës paskale. Hirësi Ignati në fjalën e tij të përshëndetjes tha: “Zoti President, konstatojmë me kënaqësi se vizitat tuaja në ceremonitë fetare shtojnë së tepërmi etjen e shpresëtarëve për të përqafuar më fort edukimin shpirtëror, i cili do të ndikojë fuqishëm edhe në zhvillimin arsimor, kulturor, moral dhe material të tyre, për të qenë të denjë të radhiten përkrah vendeve të zhvilluara e të qytetëruara të Evropës e të botës”.
Në fund të Shërbesës së Dashurisë Presidenti z. Alfred Moisiu përshëndeti të gjithë besimtarët, duke theksuar rëndësinë e madhe të mesazhit të Pashkës, i cili mëshon fort në dashurinë për njëri-tjetrin, në tolerancë, bashkëpunim etj.
Po atë ditë në mëngjes Shërbesa e Dashurisë u kremtua edhe në kishat e Shën Spiridhonit dhe të Shën Gjergjit në Berat.

Me rastin e festës së Pashkës u organizua edhe pritja festive, ku nderuan me ardhjen e tyre personalitete të politikës dhe kulturës, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare si edhe shumë besimtarë të Dioqezës. Me këtë rast mitropoliti theksoi se mesazhi i Pashkës është triumfi i Krishtit fitimtar ndaj vdekjes. Ai na ngazëllon shpirtrat dhe ngjall shpresat. Ky triumf ngazëllimi ndriçon në botë virtytin dhe shenjtërimin si: drejtësinë, ndershmërinë, vetësakrifikimin dhe lutjen, sepse Ai dhuroi me Ngjalljen e Tij jetën e re dhe të amshuar për të gjithë ata që e duan.
Edhe të nesërmen, dt. 24, në rrugicat dhe kalldrëmet e kalasë së moçme nuk kishte qetësi. Shumë besimtarë kishin ardhur herët në mëngjes, jo vetëm nga qyteti, por edhe nga zonat përreth për të marrë pjesë në të kremten për nder të Shën Gjergjit, në kishën me të njëjtin emër, ku u krye edhe Liturgjia Hyjnore e drejtuar nga Hirësi Ignati. Në predikimin e tij, Mitropoliti vuri në dukje guximin, shpresën, dashurinë e shenjtit dhe të të gjithë shenjtorëve, që burojnë nga dashuria për Perëndinë dhe përjetimi i Ngjalljes së Jisu Krishtit, shembull që duhet të na karakterizojë të gjithëve ne si besimtarë.
Ilia Zaka, Sotiraq Mishaxhi – Berat







