Më 4 qershor në Manastirin e Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit qindra besimtarë u mblodhën për të marrë pjesë në të kremten e shenjtit, duke e nderuar dhe iu lutur atij të ndërmjetojë për të shpëtuar shpirtrat e popullit të Perëndisë.
 
    Besimtarë nga qytete të ndryshme të vendit kishin ardhur një ditë më parë për të marrë pjesë në shërbesat tradicionale të këtij panairi. Që në orët e para të 3 qershorit ishte krijuar një atmosferë e vërtetë kremtuese, ku shumë besimtarë qëndronin në kishë dhe përreth manastirit me qirinj në duar, me lutje e meditim në ambientin shpirtëror dhe natyrën e bukur.
 
    Në orët e pasdites mbërritën edhe 25 besimtarë nga Mali i Zi midis të cilëve 5 klerikë. Tingujt e kambanës lajmëruan fillimin e agripnisë e cila nisi në orën 21.00 të mbrëmjes dhe zgjati deri në orën 03.00 pas mesnate. Agripnia filloi me shërbesën e Pasdarkës dhe vazhdoi me Mbrëmësoren, Bekimin e 5 bukëve, Mëngjesoren dhe Liturgjinë Hyjnore. Në prani të lipsanit të shenjtorit dhe shumë besimtarëve orthodhoksë shërbesat u kryesuan nga Episkop Ilia Ketri, drejtori i Akademisë Teologjike. Bashkëmeshonin Protopresviter Atë Jani Trebicka, Atë Gjerasim Çakalli, Atë Aleksandër Lushi, Atë Emanuel Lusha dhjakonët Dhimitër Prifti dhe Mihal Prifti dhe 3 klerikë nga Mali i Zi. Kori i Akademisë Teologjike krijoi një atmosferë të pasur lutjeje dhe meditimi.
 
    Edhe të nesërmen në mëngjes, më 4 qershor, shumë besimtarë erdhën për të nderuar lipsanin e shenjtë të Shën Joan Vladimirit. Në mëngjesin e kësaj dite u krye një tjetër Liturgji Hyjnore në të cilën meshuan Atë Gjergji Trebicka, Atë Stavri Çipi, Atë Pavli Qosja, Atë Jani Ranxha dhe Atë Petraq Dedja.
 
     Kjo festë ka marrë përmasa të gjera jo vetëm për besimtarët orthodhoksë por edhe për zonën përreth, e cila e kishte shpallur këtë ditë festë të komunës Bradashesh. Banderolat ishin ftesa e parë e nisjes së panairit, ndërkohë këtë vit ishte bërë edhe rikonstruksioni i rrugës që të çon nga rruga nacionale drejt manastirit. Mesditën e kësaj të kremteje u zhvillua edhe një program artistik, i përgatitur nga kjo komunë.

 
Isidor Koti dhe Harallamb Meci