Atmosfera festive e Krishtlindjes nisi të ndihej që më parë, me përgatitjet për ta pritur sa më mirë Krishtin-Foshnje, pas një periudhe të gjatë kreshmimi dhe lutjeje, si edhe me veprimtaritë e të rinjve dhe fëmijëve etj.

     Kremtimi i parë ishte ai të Dielën e Para-Krishtlindjes, pasditen e së cilës besimtarët të mbledhur në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari”, morën pjesë në Misterin e Efqelisë, atë të lyerjes me vaj të shenjtëruar. Një traditë kjo tashmë e konsoliduar në pritje të kësaj të kremteje të madhe.

     Të hënën, 24 dhjetor, herët në mëngjes besimtarët morën pjesë në shërbesën e bukur të Orëve të Mëdha të Krishtlindjes, të mbushur me tropare dhe me lexime nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, që flasin për Lindjen e Krishtit, duke u pasuar më pas me shërbesën e Mbrëmësores dhe atë të Liturgjisë Hyjnore të Vasilit të Madh.

     E veçanta e kësaj dite ishte një grup i madh fëmijësh dhe të rinjsh, të cilët këndonin kolendrat tradicionale, duke shkuar nëpër shtëpitë e besimtarëve. Ata shkuan edhe në Kryepiskopatën e Hirshme dhe gëzuan e bashkëbiseduan me Kryepiskopin Anastas.

     Të gjitha veprimtaritë dhe përgatitjet shpirtërore të besimtarëve orthodhoksë kulmuan, në datë 25 Dhjetor, me Shërbesat festive dhe Liturgjinë Hyjnore të Krishtlindjes, të cilat u kryen nga Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili lexoi Mesazhin e festës, që këtë vit kishte si temë “Mërgimin”.

     Pas kremtimit, gëzimi dhe atmosfera festive  vazhdoi tërë ditën, nga mijëra e mijëra besimtarë e banorë të kryeqytetit, që vazhdonin të vinin në kishë për gjatë gjithë ditës. Një atmosferë e tillë ishte krijuar edhe në mjediset e Kryepiskopatës së Shenjtë, ku priteshin vizitat e urimit të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare, personaliteteve të larta shtetërore, intelektualëve të shquar dhe shumë besimtarëve. “Një ditë jo vetëm e gëzimit, por edhe e dashurisë dhe e shpresës”, do ta cilësonte Kryepiskopi Anastas, të kremten e Krishtlindjes, kur Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi do të vinte për të uruar Komunitetin Orthodhoks, duke vazhduar: “…Ne e dimë që në përpjekjet tuaja për të përmbushur misionin keni vështirësi, kështu ne me gjithë zemër ju urojmë urtësinë e Perëndisë,  fuqi dhe gëzim që të përmbushen të gjitha angazhimet tuaja dhe të ndihmoni vendin tonë të dashur të jetë në ballë të historisë evropiane, por patjetër edhe asaj ballkanike”. 

      Më pas, Presidenti Topi uroi dhe falënderoi Kryepiskopin Anastas për rolin e madh që ka luajtur për bashkëjetesën fetare në vend: “Ne vlerësojmë shumë rolin tuaj Hirësi dhe vlerësimi juaj është tek zemrat e të gjithëve, jo vetëm tek besimtarët, por besoj edhe tek politikanët, ku diku e predikojnë, diku jo. Por besoj se mesazhi më i rëndësishëm është për politikanët, që t’i kthehen dialogut, të shohin më shumë tek njerëzit e thjeshtë se sa të merren me veten e tyre”.

     Për urim erdhën e Kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli, përfaqësues të opozitës, drejtues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues të Trupit Diplomatik etj.

 

 

     Por edhe Kryeministri z. Sali Berisha, pas vizitës që bëri në qytetin e Korçës, erdhi për urim në orët e mesditës në Kryepiskopatë. Ai uroi: “… besimtarët orthodhoksë, të krishterët dhe të gjithë besimtarët shqiptarë për këtë ditë të madhe të lindjes së Krishtit… Lindja e Krishtit është ngjarja më e madhe për njerëzimin dhe prandaj ai është i hyjnizuar e i respektuar në të gjitha besimet”.

     Kryepiskopi Anastas pasi shprehu gëzimin për vizitën e Kryeministrit cilësoi: “… feja ka përherë rëndësi … Krishtlindjet tregojnë se Perëndia erdhi jo thjesht të na vizitonte, por të banonte me ne. Ky është sekreti i madh, që Krishti është bashkë me ne dhe të gjitha përpjekjet e dashurisë vijnë nga Ai”.

     Po atë ditë të rinjtë orthodhoksë u mblodhën së bashku në një darkë në ambientet e Shtëpisë së Rinisë “Bethlehem”, duke uruar njeri-tjetrin dhe duke ndarë mesazhin dhe përvojën festive mes tyre.

   

 

Julia Pjetri