Më 11 shkurt u kremtua festa e martirizimit të Hierodëshmorit Vlash. Këtë ditë, Kisha dhe populli i Perëndisë arritën në të dielën e tretë të Triodhit, një kohë që i thërret besimtarët për përulësi dhe pendim.
 
    Në manastirin që mban emrin e Shën Vlashit, me qindra besimtarë adhuruan Perëndinë dhe iu lutën shenjtit të ndërmjetësojë për shpëtimin e shpirtrave. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga ndihmës drejtori i Akademisë Teologjike, Episkopi i Apolonisë, Nikolla. Atmosfera brenda dhe jashtë kishës së manastirit ishte e mbushur me lutje, meditim dhe urime të përzemërta. Kishin ardhur besimtarë nga Tirana, Durrësi, Kavaja, madje edhe nga Berati e Myzeqeja e rrethina të tjerat.
     Kjo festë është kthyer në një traditë të përvitshme kremtuese dhe brenda kësaj tradite, një prej studentëve të vitit të katër të Akademisë Teologjike, do të mbajë predikimin kremtues. Ishte Stefan Zhupa, ai që mbajti predikimin e rastit: “Të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin, gjatë gjithë historisë së Kishës Orthodhokse, shumë shenjtorë e kanë realizuar dhe e kanë përjetuar dashurinë e Perëndisë. Ata kanë treguar dashuri jo vetëm për njerëzit, por edhe për gjithë krijimin.
 

     Një ndër ta është edhe Hierodëshmori i hyjshëm Shën Vlashi, të cilin po e kremtojmë me kaq madhështi. Zoti e përuli aq shumë veten saqë u mishërua dhe vdiq në kryq nga dashuria për të shpëtuar njerëzit, kështu edhe Shën Vlashi e përuli veten shumë dhe arriti të kishte dashuri për të gjithë grigjën e Tij.” – theksoi në fjalën e tij Stefani.
     Ai iu bëri thirrje besimtarëve të përpiqen që edhe ne së bashku të imitojmë zellin e tij të zjarrtë; dashurinë, përulësinë, thjeshtësinë, mirësinë, butësinë dhe të gjithë virtytet që e karakterizonin atë.
     “Të mos mjaftohemi dhe të mos kënaqemi thjesht me dëgjimin e mësimeve të Zotit Krisht, por t’i zbatojmë ato në jetën tonë, ashtu siç bëri edhe Shën Vlashi. Zoti shumë nga ne dhe nga familjet tona i ka bekuar së tepërmi dhe nga këto bekime mundemi dhe duhet të ofrojmë diçka tek të tjerët, për të cilët kjo ofertë është jetike. Kemi mundësi të ofrojmë dashuri me një vizitë në shtëpitë e tyre, në spitale, duke u thënë një fjalë të ngrohtë dhe ngushëlluese.”
     Në këtë të kremte besimtarët iu lutën Zotit nxehtësisht që me ndërmjetimet e Shën Vlashit të bëhen të denjë të numërohen me ata që do të marrin në trashëgim Mbretërinë e përjetshme.
 
 
      Isidor Koti