Krishti lind, lavdërojeni! Ky është lajmmotivi që shoqëroi besimtarët orthodhoksë të qytetit të Durrësit gjatë festimit të Krishtlindjeve. Kisha katedrale orthodhokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti” erdhi në festimin e këtyre Krishtlindjeve paskremtimeve të njëpasnjëshme të përvjetorit të Pavarësisë së vendit, të Apostull Qesarit episkopit të parë të Durrësit dhe të Shën Spiridhonit, madje edhe me një këshill të ri të rifreskuar kishtar të porsa zgjedhur, me kandidatura të reja nga vetë besimtarët.

     Në këtë atmosferë të prag Krishtlindjes, më 23 Dhjetor, në Liturgjinë Hyjnore të së Dielës, të zhvilluar në këtë kishë katedrale të qytetit, u kujtuan veçanërisht me mirënjohje të madhe ndihmëtarët që jetojnë apo që kanë dhënë shpirt tek Perëndia, të cilët me kontributin e tyre vazhdojnë ta forcojnë dhuratën e madhe që dha Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, besimtarëve të qytetit të Durrësit, me kishën “Apostull Pavli & Shën Asti”. Këtë Liturgji Hyjnore e udhëhoqi Episkopi i Apollonisë, njëkohësisht dhe zv/drejtori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Imzot Nikolla, i cili me prezencën, qëndrimin dhe ndihmën e tij i ka dhënë një shtytje të fuqishme funksionimit sa më të mirë të organizimit të kishës së Durrësit.

      Ky festim i periudhës së Krishtlindjeve vazhdoi më 24 dhjetor, ku edhe u krye Shërbesa e Orëve të Mëdha të Krishtlindjeve, Mëngjesorja, Mbrëmësorja dhe Liturgjia Hyjnore. Po këtë ditë fëmijët dhe rinia e kishës sonë përhapën lajmin e Lindjes së Krishtit në shtëpitë e besimtarëve me anë të vizitave, duke kënduar kolendrat, këto këngë tradicionale të Krishtlindjeve aq shumë të pëlqyera nga besimtarët orthodhoksë të qytetit. I madh ishte gëzimi i familjeve të cilët prisnin këta fëmijë e të rinj t’u vinin nëpër dyert e shtëpive të tyre, por edhe fëmijët e të rinjtë ishin mjaft entuziastë për këtë aktivitet që kishin marrë përsipër ta çonin deri në fund. Deri vonë në mbrëmje ata trokisnin derë me derë dhe nuk munguan dhe rastet kur mes lotësh takuam dhe njerëz, të cilët tashmë në moshë të thyer, na treguan që të njëjtën gjë kishin bërë dhe ata në moshë të re dhe kjo traditë u kujtoi atyre vitet kur vetë ata ishin pjesë e grupit të kolendrave që atëherë organizohej në mëngjes duke gdhirë dita e Krishtlindjeve. Pasi përfunduan këtë aktivitet të rëndësishëm, fëmijët e të rinjtë vërtetë ishin të lodhur, por ishin gjithashtu të gëzuar dhe shprehnin dëshirën që në vitet e ardhshme do të ishin sërish të gatshëm të organizonin e të këndonin kolendrat së bashku.

    E njëjta gjë u bë dhe në datën 25 në mëngjes, por me një mënyrë tjetër tashmë që është bërë disi tradicionale këto 15 vjetët e fundit, ku një makinë dhe qendër zëri e lëvizshme, të ofruar nga 2 besimtarë të kishës sonë, shëtisnin nëpër rrugët e qytetit që nga ora 04.00 e mëngjesit duke përhapur lajmin e Lindjes së Krishtit me këngët dhe muzikën tradicionale festive, sidomos atë më tradicionalen për qytetin tonë “Mirëmëngjes zonja zotërinj…”, të krijuar po nga një durrsak orthodhoks z. Aleks Pjetri dhe kënduar për herë të parë për Krishtlindje në Durrës në vitin 1928.

     Në orën 06:00 filloi shërbesa e Mëngjesores dhe më pas Liturgjia Hyjnore, në të cilën pjesëmarrja e besimtarëve ishte shumë e madhe, për të treguar dhe një herë besimin e tyre, por dhe nevojën që ka bota e sotme për fuqinë, prezencën dhe ndihmën e Perëndisë. Gjatë Liturgjisë Hyjnore u lexua dhe mesazhi kremtues i Kryepiskopit Anastas drejtuar klerit dhe besimtarëve orthodhoksë. Në fund fëmijët e të rinjtë, të cilët kishin qenë një ditë më parë nëpër shtëpitë e besimtarëve kënduan dhe një herë përpara besimtarëve në kishë kolendrat për lajmin e gëzuar të Lindjes Trupore të Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht.                

      Karakteristike e kësaj dite ishte edhe fakti se, dhe pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, kisha vazhdonte të ishte plot me njerëz, të cilët me shprestarinë e tyre, lutjet, ndezjen e qirinjve, nderimin e ikonave kërkonin nga Perëndia atë që bota e sotme e ka të vështirë t’u afrojë, qetësinë shpirtërore dhe shpëtimin e shpirtit.

     Po në orët e paradites u pritën edhe vizitat e autoriteteve të pushtetit vendor, të partive politike, të organizatave joqeveritare, të drejtuesve të mjaft institucioneve shtetërore të qytetit si dhe vizitat e mjaft dhuruesve, të cilët me dhuratat e tyre ndihmojnë në mirëfunksionimin e kishës. Duhet theksuar se në gjithë këtë veprimtari të dendur të kishës gjatë kësaj periudhe pune intensive ndihma dhe prezenca e këshillit kishtar ishte e vlerësueshme dhe mjaft e organizuar.

 

     Thoma Çomëni dhe Joan Meni