Krishtlindje plot lutje dhe dashuri

 

 

    Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durresit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, i ndihmuar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtrë Episkopi i Apollonisë Nikolla, Episkopi i Krujës Andoni, Episkopi i Amantias Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit Asti, nga Kryesekretari i Sinodit, Protopresviter Jani Trebicka dhe klerikë të kryeqytetit.

    Në fund të saj, Kryepiskopi dha edhe Mesazhin-Urim tradicional, që sivjet titullohej “Të mahnitshme janë ndërhyrjet e Perëndisë -Kapërcimi i së pamundurës”. Ndër të tjera Kryepiskopi tha se:  “Të papritura janë mënyrat me të cilat vepron Perëndia; të pakapshme për logjikën njerëzore. Ngjarjet e Krishtlindjes na sigurojnë për këtë të vërtetë. Jisu Krishti, Shpëtimtari i botës, nuk vjen në historinë e njerëzimit si ushtarak apo qeveritar i tërëfuqishëm. Nuk imponohet me anë të fuqisë, pasurisë dhe diturisë së jashtme. Lind në një vend të varfër, në grazhdin e një stalle, në një ambient jomikpritës, indiferent deri në armiqësor. Nëna e Tij e dhembshur, “e mbështolli me shpërgënj dhe e vuri të rrijë në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Llk.2:7)….     Paralelisht, ngjarjet historike të Lindjes së Krishtit përcaktojnë shembullin e jetës për ata që E pasojnë me devocion. Jisui u përul, duke theksuar vlerën e të përulurve. Lindi në vend të varfër, që të mos përbuzen të varfrit. U persekutua, duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. Vuajti, duke frymëzuar dhembshurinë për ata që heqin keq. U mundua si fëmijë, që të mos harrojmë të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të botës.”

    Një e veçantë në fund të Liturgjisë ishte edhe leximi i Mesazhit të Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, drejtuar Fortlumturisë së tij dhe gjithë besimtarëve orthodhoksë.  

    Ne mesdite pritja tashme tradicionale u organizua ne Seline e Sinodit te Shenjte.

    Kryepiskopin e vizitoi dhe e uroi ndermjet te tjereve edhe Presidenti i Republikes z. Bujar Nishani, Kryetari dhe Nenkryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe z. Vangjel Dule, Kryetare te komuniteteve fetare ne vend, ministra e autoritete te tjera shteterore, te partive politike, te trupit diplomatik ne vend, personalitete te ndryshme dhe besimtaret.  

    Në dalje, Presidenti z. Nishani do deklaronte “Edhe njëherë gëzuar, urimet më të mira për besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ku janë në Shqipëri, në të gjitha viset shqiptare, në diasporë, në emigracion. Paçin gjithmonë mirësi”.  

    Ndërsa Kryetari i Kuvendit z. Meta “Në këtë ditë Krishtlindje do uroja të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe gjithë popullit shqiptar mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre, natyrisht edhe në gjithë shoqërinë tonë”.    

    Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha do uronte besimtarët e krishterë nga Shkodra, ku vizitoi edhe kishën orthodhokse “Lindja e Krishtit”, duke thënë se “Nga margaritari i respektit dhe i bashkëjetesës fetare për Shqipërinë, Ballkanin, Europën dhe mbarë botën, nga zonja Shkodër dua të uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve; Gëzuar Krishtlindjen! Festën e shpresës, dashurisë e të besimit. I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre, ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e ditës së sotme, të na frymëzojë e të na bëjë optimistë për një të nesërme më të mirë. Gëzuar! ”