Në këtë konferencë morën pjesë rreth 80 të rinj, gjimnazistë dhe studentë, të cilët vinin nga rrethe të ndryshme të Mitropolisë sonë të Beratit. Stafi organizues i kësaj konference: Dhjakon Nikolla Lushi, që është dhe përgjegjës për katekizmin në këtë mitropoli, katekistët: Leonidha Todri, Agustin Nako, Aurel Bardho, Sevastiani Qako dhe Gabriel Shani, dhanë kontributin e tyre për mbarëvajtjen e programit të kësaj konference.
Referati i parë u mbajt nga katekistja Sevastiani Qako, e cila foli mbi temën: “Si t’i alternoj në jetën time të mirat që më ofron bota dhe shoqëria moderne, që të mund të eci në rrugën e drejtë të Krishterimit”. Pasdite, të rinjtë patën mundësinë të vizitonin Shtëpinë Muze të Shpalljes së Pavarësisë, ku u njohën më tepër me historinë e popullit tonë. Pas shërbesës së Mbrëmësores, që u mbajt në kishën e Shën Theodhorëve, të rinjtë pjesëmarrës ndoqën referatin e dytë me temë: “Si do të besojmë po të mos dëgjojmë?”, përgatitur nga katekisti Leonidha Todri.
Më tej, ai theksoi se të rinjtë rrezikohen nga udhëheqësit e rremë dhe largohen nga burimet jetëprurëse të besës tek Perëndia dhe Tradita jonë e pasur. Sipas tij, tre faktorët që ndihmojnë në këtë orientim janë: familja, shkolla dhe Kisha.
Në përfundim të referatit të tij, Imzot Ignati tha se jo vetëm në të shkuarën, por edhe sot, Kisha nuk harron detyrat e saj për rininë e krishterë me predikimin, të kremtet, meshat, misteret, letërsinë dhe botimet e krishtera të saj, me të cilat forcon moralin fetar të të rinjve.
Ditën e diel, të gjithë të rinjtë pjesëmarrës në konferencë, morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore që u mbajt në kishën e Shën Theodhorëve në Vlorë. Kjo ishte një ditë mjaft e veçantë, sepse në këtë ditë Kisha jonë kremton Hyrjen në Tempull të Hyjlindëses Mari. Në këtë liturgji, morën pjesë përveç Mitropolitit të Beratit, Hirësisë së Tij, Imzot Ignatit dhe Atë Kostandin Prifti dhe dy dhjakonët, Nikolla Lushi dhe Anastas Vrapi. Pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore dhe mbylljes së programit të konferencës të gjithë u larguan me përshtypje nga më të mirat nga kjo konferencë, e cila i ndihmoi këta të rinj dhe të reja që të rriten edhe më shumë në nivelin shpirtëror të tyre si dhe të përforcojnë më tej besimin tonë të krishterë orthodhoksë.
Agustin Nako
|
|
|
|
|
|