Fortlumturia e Tij, Joani, i dërgon letër urimi Patriarkut të ri të Gjeorgjisë, Shio, me rastin e zgjedhjes së tij.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë drejtuar Patriarkut Katholik të të Gjithë Gjeorgjisë.

Fort të dashurit dhe bashkëmeshtarit tonë në Zotin, Shio, përqafojmë Fortlumturinë tuaj të nderuar në Zotin.
Me rastin e zgjedhjes Suaj të denjë si Patriarku i 142-të Katholik i Gjithë Gjeorgjisë, teksa ngjiteni në Fronin më të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale Apostolike e historike të Gjeorgjisë, duke lavdëruar Perëndinë Trinitar, gëzohemi me gjithë zemër dhe bashkohemi në thirrjen: “Axios!” Jemi të bindur se Ju do ta drejtoni popullin e dashur të Gjeorgjisë drejt përparimit dhe frytshmërisë shpirtërore, njëkohësisht duke thelluar unitetin e Orthodhoksisë dhe dëshminë e saj dinamike në botën bashkëkohore, shumë të vuajtur.
Trashëgimia e fronit të të ndjerit, Patriarkut të bekuar Katholik Ilia II – një hierark i kalibrit të jashtëzakonshëm, i cili për gati gjysmë shekulli baritoi me urtësi dhe besim të palëkundur Kishën historike dhe martire të Gjeorgjisë – i kalon Fortlumturisë Suaj një trashëgimi të shenjtë dhe të rëndësishme, të cilën jemi të bindur se Ju do ta vazhdoni me zell dhe përkushtim.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, duke pasur gjithnjë ndërmend lidhjet vëllazërore që bashkojnë dy Kishat tona Motra, i bashkohet gëzimit të grigjës Suaj shpresëtare, me rastin e zgjedhjes Suaj dhe fronëzimit që do të pasojë.
“Tani, Atij që mund të na ruajë nga rënia dhe të na paraqesë të patëmetë para lavdisë së Tij me gëzim të madh, të vetmit Perëndi të urtë, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdia dhe madhështia, nderimi dhe pushteti, tani e përherë, e në jetë të jetëve. Amin” (Gjyq. 1:24-25).
Me nderim të veçantë dhe dashuri të thellë vëllazërore në Krishtin, Zotin tonë, Fortlumturisë Suaj të dashur, vëllait të shtrenjtë në Zotin,
† Joani
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Tiranë, 11 Maj 2026
————–