Dorëzimi i Episkopit të ri të Amantias, Imzot Ignatit, në Tiran

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, plot besimtarë,  në Tiranë, u krye sot më 3 maj 2026, të Dielën e të Paralizuarit (e katërta pas Pashkës), dorëzimi në Episkop i Arkimandritit Ignat (Todrin), si Episkop Ndihmës i Amantias pranë Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit.
Dorëzimin e kreu Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Joani, i rrethuar nga Hirësitë, Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit; Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit; Mitropoliti i Gjirokastrës; Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës; dhe Mitropoliti i Korçës.
Episkopi i sapodorëzuar, në fjalën e tij të frymëzuar, e nisi homelinë me psalmin: “Këndojni Perëndisë o mbretëritë e dheut, psalini Zotit!”, duke shprehur falënderim të thellë ndaj Perëndisë me thënien e Shën Joan Gojartit: “Lavdi Perëndisë për të gjitha.”
Me përulësi të madhe, Episkopi i ri Ignat foli për pranimin e tij të kësaj detyre të shenjtë “në një moshë kaq të re”, duke iu drejtuar fjalëve të Shën Dhositheut të Gazës: “Kush i dorëzohet Perëndisë, nuk shqetësohet më për veten, sepse e di që Perëndia kujdeset për të, më mirë se ai vetë.” Duke pranuar se “asgjë nuk vjen nga aftësitë e mia, por gjithçka është një dhuratë nga i Shumëlarti”, kërkoi me përulësi nga Sinodi i Shenjtë, kleri dhe populli i pranishëm lutje për të, sipas porosisë së Apostullit Pavël: “Lutuni pa pushim” (1 Thes. 5:17).
Me përmallim të veçantë, Episkopi i ri kujtoi dy figura që e frymëzuan dhe i shërbyen si pikë reference shpirtërore. Të parin, Kryepiskopin e ndjerë †Anastas, të cilin e quajti “Apostullin e kohëve moderne, njeriun që ngjalli kishën tonë të Shqipërisë nga varri, buzëqeshja e të cilit ngrohte çdo zemër njerëzore”. Dhe të dytin, Mitropolitin e ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, †Imzot Ignat Triandis, atin e tij shpirtëror, “i përulur, i dashur, mikëpritës, por mbi të gjitha i shumëduruar, personi që me durimin e tij më tregoi se si një kryq mbahet burrërisht”, fjalën e të cilit karakteristike — “Ka Zoti” — e mbart me vete si trashëgimi shpirtërore.
Episkopi i ri e mbylli homelinë me fjalët e profetit Isaia: “Ja ku jam, më dërgo mua!” (Isaia 6:8).
Në fjalën e Tij përgjegjëse, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, theksoi se shërbesa e Episkopit kërkon mbi gjithë virtytet përulësinë, durimin dhe dashurinë, pa të cilat asnjë bari nuk mund të udhëheqë grigjën e Krishtit. Theksoi se vetë Episkopi i ri Ignat është një dëshmi e gjallë e këtyre virtyteve: njeri i shërbesës dhe i sakrificës, që i shërbeu me përkushtim, vetëmohim dhe vetëflijim Mitropolitit të ndjerë †Imzot Ignatit të Beratit deri në fund të jetës së tij, duke qenë i palodhur në punë dhe i përulur në diakoninë e tij. Pikërisht këto virtyte, theksoi Kryepiskopi, janë themeli mbi të cilin do të mbështetet shërbesa e tij e re episkopale, si Episkop Ndihmës i Kryepiskopit, për lavdinë e Perëndisë dhe për mbarëvajtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ceremonia e shenjtë u përmbyll me thirrjen entuziaste “Άξιος” / “I Denjë” në gjuhët shqipe dhe greke nga kleri dhe populli i pranishëm.

Jetëshkrim i shkurtër
Episkopi i ri Ndihmës i Amantias, Imzot Ignati, lindi më 23 shkurt 1978 në Gradishtë të Divjakës. Formimin e përgjithshëm e kreu në shkollën e Fier-Semanit. Në vitin 1998 ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit.
Nga viti 2003 deri në vitin 2017 shërbeu si katekist dhe predikues në qytetet dhe fshatrat e Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës. Në prill të vitit 2017 ndoqi thirrjen e përkushtimit të plotë monastik dhe u dorëzua murg dhe hierodhjakon nga Mitropoliti i ndjerë i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignati, pranë të cilit shërbeu me devotshmëri dhe përkushtim.
U dorëzua Hieromonak më 12 dhjetor 2024, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e Tij Asti. Më 1 qershor 2025, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan, i dha ofiqin e Arkimandritit.
Gjatë gjithë kësaj periudhe ka shërbyer në detyra dhe përgjegjësi të larta në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë: si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë, përgjegjës i Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Manastirin e Shën Vlashit, si dhe përgjegjës i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Përveç gjuhës amtare, flet anglisht, italisht, greqisht dhe gjermanisht.
Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën kryesinë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Joan, e zgjodhi Arkimandritin Ignat (Todrin) Episkop Ndihmës të Episkopatës së Shenjtë të Amantias me vota unanime, në mbledhjen e tij të datës 28 prill 2026.