Predikim nga Fortlumturia e Tij, Joani
E Diela e Miroprurëseve (E Treta pas Pashkës)
Skiti i Grave Miroprurëse
Shën Vlash, Durrës
26 prill 2026

 

Të Dielat pas Pashkës janë të diela të gëzuara. Jo vetëm të gëzuara se kanë një frymë jashtëzakonisht të mirë, por ato na ndihmojnë për të kuptuar edhe më mirë Ngjalljen, sepse edhe nxënësit e Zotit filluan ta kuptonin dalëngadalë të gjithë Misterin e Ngjalljes. Misteri i Ngjalljes nuk është vetëm për t’u kuptuar nga ana intelektuale, thjesht të dish ta shpjegosh, por është për t’u ndjerë dhe për t’u përjetuar. Prandaj dhe Kisha jonë predikon vazhdimisht që këto ngjarje duhen përjetuar. Kisha Orthodhokse është e mbushur me shumë shërbesa kaq të bukura, të cilat kryhen çdo vit, sepse e Ajo e di që nëse nuk e kuptojmë Ngjalljen me zemër dhe nëse nuk e përjetojmë në jetën tonë të përditshme, nuk do ta kuptojmë dot të gjithën. Kështu do të kemi një besim shumë të cekët, që për fatin tonë të keq kështu ndodh shpeshherë. Njerëzit e shohin Ngjalljen vetëm në cekëti, nuk e përjetojnë atë. Nuk mund të kuptojmë dot asgjë, nëse nuk e përjetojmë atë.

Sot përkujtojmë disa gra me kurajë, të cilat e donin Zotin me një dashuri jashtëzakonisht të madhe, saqë mundën edhe frikën e tyre. Përkujtojmë edhe dy shenjtorë të Kishës sonë, Josifin nga Arimathea dhe Nikodhimin, të cilët patën guximin për të varrosur Trupin e Zotit. Josifi ishte anëtar i Këshillit të Lartë, ashtu si edhe Nikodhimi, dhe dinin gjithçka që kishin kurdisur farisenjtë për ta dënuar dhe për ta vrarë Zotin. Megjithatë, ai pati guxim që t’ia kërkonte Pilatit Trupin e Zotin, të cilin e mbështolli dhe e varrosi. Nëse do ta kuptojmë situatën e asaj kohe, do ta nderojmë shumë guximin dhe kurajën e tyre. Jisu Krishti ishte një person që ishte dënuar me vdekje, qoftë nga Këshilli i Judenjve, ashtu dhe nga perandoria romake, nga Pilati guvernator. Ai ishte një i dënuar me vdekje dhe ishte një kriminel në sytë e tyre dhe të shkoje për të kërkuar Trupin e Tij, ishte diçka shumë e rrezikshme. Si në kohën e diktaturës, ata persona që janë të moshuar e dinë këtë, që, nëse dikush ishte i dënuar me vdekje në atë kohë dhe të shkoje t’i kërkoje trupin, që ta varrrosje dhe t’i bëje të gjitha nderet, pa dyshim që do të arrestoheshe edhe ti. E njëjta gjë ndodhi dhe me Josifin. Judenjtë e morën dhe e hodhën në një pus shumë të madh. Tradita e Kishës thotë që, në mënyrë të mrekullueshme atij iu shfaq Zoti, për t’i shpjeguar Misterin e Ngjalljes, dhe e nxori nga pusi. Josifi nuk e ndali punën e tij, por meqenëse kishte parë Kryqëzimin dhe kishte përjetuar Ngjalljen, ai vazhdoi të predikonte kudo. Ai u bë predikues dhe përhapi Ungjillin. E njëjta gjë ndodhi edhe me Nikodhimin. Edhe ai pati kurajën për të qenë nxënës i Zotit dhe mori miro për të lyer trupin e Zotit. Nikodhimi, i cili ishte anëtar i Këshillit të Lartë, dinte gjithçka që kishte ndodhur dhe ishte ai që dha informacionet më të mëdha se çfarë kishin kurdisur judenjtë në atë kohë për ta kryqëzuar Zotin. Edhe Nikodhimi u bë një nga përhapësit e Lajmit më të rëndësishëm të Kishës, madje të të gjithë botës: Ngjalljes së Zotit dhe mundjes së vdekjes. Por theksi i Ungjillit të sotëm vendoset në disa gra të guximshme. Kushdo që lexon Ungjillin, do të shohë që këto gra, gjatë gjithë kohës që Krishti predikonte, ishin në periferi, por në fund ato u bënë protagoniste. Ato patën guximin që shpeshherë nuk e patën as edhe apostujt, nxënësit e Tij. Ata të gjithë u larguan dhe u fshehën nga frika, ndërsa ato patën guxim. Jo se nuk kishin frikë, edhe ato kishin frikë, por dashuria e madhe që kishin për Zotin e mundi frikën e tyre. Të kesh kurajë, nuk do të thotë që nuk ke frikë, por që ti vazhdon përpara me gjithë frikën që ke. Dhe ato shkuan për të kërkuar Krishtin e kryqëzuar, sepse akoma nuk e dinin dhe as nuk e kuptonin Misterin e Ngjalljes. Ato e donin Krishtin për Atë që ishte. Shumë njerëz i shkonin pas Krishtit kur Ai predikonte në shërbesën e Tij publike. Disa njerëz i pëlqenin fjalët që tregonte ai, paravolitë dhe gjithçka tjetër; të tjerët kishin shpresën që Ai do të ishte Mesia që do të çlironte popullin e Izraelit nga tirania romane; të tjerë kishin interesa të ndryshme. Në kohën e kryqëzimit u larguan të gjithë. Këto gra qëndruan pranë kryqit dhe menduan që ta mirosnin Trupin e Tij. Meqenëse Pashka ishte shumë afër dhe Trupi i Tij të mos qëndronte në kryq, Josifi kërkoi Trupin dhe e vajosën me aroma të mira, por nuk e kryen të gjithë ceremoninë sipas ligjit judaik. Këto gra donin ta bënin ceremoninë në mënyrën më të plotë dhe shkuan me guxim herët në mëngjes te varri. Varri ishte i hapur. Gjatë rrugës ato po mendonin se kush do të na e rrokullisë gurin, sepse guri ishte shumë i madh. Etërit e Kishës kanë ndalur shumë te kjo pjesë. Çfarë do të thotë që kush do të na e rrokullisë gurin?

Gjithsecili nga ne, si pasojë e mëkatit, e ka një gur të rëndë në zemër. Rrokullisja e këtij guri nuk është aq e lehtë. Zemra e njeriut ishte tempulli i Perëndisë dhe mëkati u bë një varr. Varri është i vulosur me gurin e pasioneve tona: zilitë, mëritë, inatet, krenaritë boshe, sepse krenaria është gjithmonë boshe. Nuk mund të ketë krenari reale, se për çfarë mund të jemi krenarë? Për asgjë nuk mund të jemi krenarë. Siç thotë Shën Pavli, nëse do të mburrem, do të mburrem vetëm për Krishtin, jo për veten time (1 Kor. 1:31). Dhe këto nuk e lejojnë zemrën të jetë një varr i hapur, që të shijojë Ngjalljen. Shijimi i Ngjalljes është shumë i rëndësishëm. Kisha dhe Etërit e saj kanë predikuar vazhdimisht, madje shumë prej tyre thonë diçka shumë të rëndësishme, të cilën Shën Nikolla Kavasila e ka përshkruar në mënyrë akoma edhe më të gjatë. Ai thotë: Ato shkuan me miro për ta mirosur Trupin e Zotit, por miroja e vërtetë ishte Krishti, Ai që u Ngjall dhe e përhapi miron në të gjithë njerëzit që i besonin Atij. Sepse miro nuk është vetëm vaji i jashtëm, miroja e vërtetë është ajo shpirtërore. Ajo është treguese dhe simbol i miros së vërtetë. Krishti është miroja e vërtetë e çdo njeriu. Në Librin “Kënga e Këngëve” të Solomonit për emrin e Zotit thuhet: Emri Yt, o Zot, është miro, vajosje; vajosje që derdhet vazhdimisht. Pikërisht ky është Misteri i Ngjalljes kur ne e kuptojmë që Krishti i Ngjallur e ka përhapur këtë miro te çdo njeri që pagëzohet dhe te çdo njeri që e ndjek pas Atë. Kjo është miroja që mund të shenjtërojë çdo njeri, nëse ne e rrokullisim gurin që na pengon për t’u pajtuar me Perëndinë. Pas mëkatit, ndërmjet njeriut dhe Zotit u vendos një mur shumë i madh, i cili e izoloi njeriun nga kontakti i thellë me Perëndinë. Krishti e prishi dhe e hapi këtë mur dhe ashtu si varri mbeti bosh, po ashtu i dha mundësinë gjithsecilit nga ne, që ta hapim dhe ta mundim atë. Ne krijojmë pseudo-vete dhe shpeshherë e identifikojnë veten jo me atë që jemi në të vërtetë. Nëse ne e heqim pseudo-veten, atëherë do të zbulojmë veten tonë të vërtetë. Ky është dhe kuptimi i fjalëve që thotë Zoti: Kushdo që do të vijë pas meje, le ta mohojë veten e tij (Mt.16:24). Për cilën ‘vete’ e ka fjalën Zoti? Sigurisht, për pseudo-veten. Mbi veten e vërtetë vendosen shumë shtresa të cilat ushqehen nga krenaria, xhelozia, smira, zilia, dhe vazhdimisht nga krenaritë boshe. Këto krijojnë një identitet që nuk është yni. Sado që duket paradoks, pikërisht ne mbrojmë me forcë shumë të madhe diçka që realisht nuk jemi ne. Zoti erdhi pikërisht për ta hequr këtë guri të rëndë, i cili e mbulon veten tonë të vërtetë. Nëse do ta heqim këtë, ne do të kthehemi te vetja jonë e vërtetë. Siç thotë Paravolia e Djalit Plangprishës që kur ai u pendua: “Erdhi në vete” (Lk.15:17). Kjo do të thotë që ai hoqi dorë nga pseudo-vetja, nga krenaria dhe nga gjithçka tjetër që mund të kishte menduar për veten e tij; dhe u kthye te vetja e vërtetë. Krishti erdhi për të na ngjallur shpirtërisht, për të na dhënë identitetin tonë të vërtetë, për të na dhënë emrin me të cilin Perëndia i ka krijuar njerëzit dhe jo pseudo-njerëzit, që ne i kemi krijuar vetë.

Gratë miroprurëse janë shembull shumë i madh për gjithsecilin nga ne. Ato u përpoqën të bënin një akt shumë të guximshëm, në të cilin rrezikohej dhe jeta e tyre. Sot njerëzve shpeshherë ju vjen turp për Zotin. Shumë të krishterë, të cilët ndoshta mund të jenë të devotshëm sipas mënyrës së tyre, kanë turp ta bëjnë kryqin në publik ose tek njerëzit e tjerë. Zoti thotë disa fjalë shumë të drejta dhe madje të rënda për ne: “Sepse, kushdo që do të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia, për të do të ketë turp Biri i njeriut kur të vijë në lavdinë e vet dhe të Atit e të engjëjve të shenjtë” Lk. 9:26). Neve na vjen turp për Zotin, përse na vjen turp? Para kujt na vjen turp për Zotin? Përpara njerëzve të tjerë?! Kjo është qesharake, madje është fyese për Perëndinë. Shën Nikolla i Ohrit, një shenjtor i madh thotë: Të të vijë turp për Zotin përpara njerëzve, është njësoj si të të vijë turp përpara derrit për babanë tënd ose përpara dhisë për nënën tënde. Neve nuk duhet të na vijë turp për Zotin. Ne duhet të jemi të lumtur dhe ta quajmë privilegj shumë të madh që kemi mundësinë të bëjmë shenjën e kryqit, ta ndjekim rrugën e kryqit dhe ta përhapim Lajmin e Mirë të Krishtit në të gjithë botën. Ungjillëzimi është privilegj i jashtëzakonisht i madh, por ai kërkon kurajë, kërkon dashuri. Miroprurëset i patën të dyja këto. Kjo më kujton vazhdimisht që, edhe në kohën e persekutimit, gratë ishin pjesa më e madhe e atyre që e mbajtën besimin; gra të cilat e donin Zotin dhe e ruajtën besimin e tyre, madje duke pasur dhe guximin për ta pohuar atë që shumë e shumë njerëz të tjerë e kishin mohuar. Vetëm nëse e duam Zotin, do ta ndjekim Atë. Një gjysmë dashuri dhe një gjysmë besim nuk qëndron dot, madje e shkatërron fenë. Një gjysmë fe nuk është fe, madje më mirë të mos të jetë fare. Prandaj dhe Zoti u thotë farisenjve që kishin gjysmë fe, që më shpejt do të hyjnë në Mbretërinë e Qiejve gratë e përdala dhe taksambledhësit, sesa ju (Mt. 21:31).

Nëse duam ta ndjekim realisht Zotin, duhet ta ndjekim me të gjithë shpirtin tonë. Dhe kjo nuk është nder që i bëjmë Perëndisë, është diçka që na shëron ne. Duke dashur Zotin, dashuria do të na shërojë dhe do na pastrojë. Njerëzit shpeshherë mendojnë se po i bënë këto gjëra, Zoti ka një detyrim ndaj tyre. Nëse mjeku të jep një ilaç që ti të shërohesh, ti nuk po i bën nder mjekut ngaqë po e merr mjekimin. Ti duhet ta falënderosh atë. E njëjta gjë është edhe me gjërat që bëjmë në kishë, me njerëzit e tjerë rrotull nesh, bamirësitë dhe veprat e mira. Ato nuk tregojnë që i japim borxh dikujt, por janë një lloj mjekimi për shpirtin tonë. Nëse nuk kemi dashuri në shpirt, jemi ne ata që vuajmë. Njerëzit krenarë vuajnë gjithmonë. Njerëzit me smirë janë gjithmonë në vuajtje. Njerëzit që kanë xhelozi, nuk janë asnjëherë të qetë. Duke pasur dashuri në shpirt, si për Zotin dhe për njerëzit, do të jemi ne ata që do të jetojmë në paqe. Prandaj dhe shembujt që lexojmë në Ungjill janë modele për ne. Le të përpiqemi të modelohemi sipas këtyre njerëzve, të cilët dhanë edhe jetën e tyre për të përhapur vlerat e Ungjillit dhe për të ungjillëzuar. Pa dritën e Ungjillit bota do të ishte jashtëzakonisht akoma dhe më e keqe, sepse njerëzit nganjëherë ngatërrojnë diçka. Pa dyshim që në botë ka shumë padrejtësi, ka mashtrime, ka vjedhje, luftra, vrasje, dhe gjithçka tjetër. Por pa dritën e Ungjillit do të ishte akoma më keq, sepse njerëzit e kanë një dritë. Nëse duan ta driçojnë veten e tyre, le të mundohen ta ndezin kandilin e zemrës së tyre në dritën e Krishtit.

Drita e Ngjalljes do të na shenjtërojë dhe do të na japë paqe; jo vetëm neve, por edhe mijëra e mijëra njerëzve që janë rrotull nesh. Ky është mesazhi i Ungjillit dhe kjo është shpresa jonë. Në fund të Meshës, kur bëhet Përlëshimi, pikërisht këto fjalë themi: Lavdi më Ty, o Krisht Perëndi, shpresa jonë, lavdi më Ty. Pa këtë shpresë, bota do të ishte akoma në errësirë. Zoti e solli dritën. Këtë dritë duhet ta përhapim jo vetëm në shpirtin tonë, por le ta përhapim në të gjithë botën. Kjo është thirrja. Për këtë jemi thirrur në këtë botë. Nëse pagëzohemi dhe bëhemi të krishterë, kemi një detyrim për ta përhapur këtë dritë. Një njeri që mendon se e ka marrë dritën dhe nuk e ndan me të tjerët, ajo dritë tek ai do pakësohet dhe do të fiket. Vetëm duke e ndarë me të tjerët, ajo dritë do të qëndrojë edhe në shpirtin tonë. Amin.