|
|
Me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Zyra e Fëmijëve, Tiranë në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët” organizuan “English camp 2008” me pjesëmarrjene rreth 45 fëmijëve të moshës 9-13 vjeç, kryesisht ata që mësojnë në këtë shkollë, fëmijë nga Shtëpia Orthodhokse e Shpresës si edhe nga disa shkolla të tjera. Veprimtaria u zhvillua në ambientet piktoreske të Manastirit të Hirshëm në Shën Vlashit, pranë Durrësit, në datat 17-21 qershor.
|
Për të tretin vit radhazi, një grup të rinjsh nga SHBA dhanë kontributin e tyre, duke ndihmuar në realizimin e kampit me temë: “Të jemi mirënjohës për gjithçka që kemi: familjen, natyrën, vendin”. Fëmijët mësuan si ta shikojnë me një sy të ri botën që e rrethon, pasi çdonjëri prej tyre ka një përgjegjësi për jetën.
|
|
|
Qëllimi i parë i kampit ishte të mësonin më shumë për Perëndinë e si ta falënderonin Atë dhe qëllimi i dytë ishte praktikimi i gjuhës angleze. Programi i kampit ishte spiritual, edukativ dhe argëtues.
|
Fëmijët morën pjesë në aktivitete me punëdore, lojëra, aktrim, muzikë, biseda të ndryshme rreth temës. Çdo ditë ishte e mbushur me surpriza ku fëmijët merrnin pjesë në orën shpirtërore me tema të tilla si: “Pse është i rëndësishëm krijimi; përse duhet të kujdesemi për botën; si është prezent Perëndia në jetën tonë; çfarë bëjmë ne për të falënderuar Perëndinë; si jetojmë ne në komunitet me Perëndinë, me të tjerët dhe me mjedisin tonë; si i përdorim talentet tona në jetë etj.
|
|
|
Gjithashtu ata morën pjesë në orën e mësimit të gjuhës angleze, duke e praktikuar atë; në orën e punës së dorës ku mësuan se si bëhet një portret, si të pikturonin natyrën që ne shohim çdo ditë, si ta mbajmë mjedisin të pastër dhe ta ruajmë atë si dhe zbukurimin e një pilivese përmes së cilës u përcoll mesazhi se nëse një pilivesë ishte krijuar për të fluturuar, për të ngrënë, apo për të pirë, ne njerëzit jemi krijuar të jetojmë me Perëndinë çdo ditë, ta duam atë dhe gjithë familjen, të afërmit dhe mjedisin tonë.
|
Fëmijët ishin mjaft të entuziazmuar natën e talenteve, gjatë së cilës ata u ndanë në tri grupe me emërtime ngjyrash: blu, kafe dhe jeshile dhe shfaqën talentet e tyre në muzikë, pikturë, aktrim dhe lojëra, ku edhe u vlerësuan për to. Çmimin e fitoi grupi blu. Fëmijët mësuan edhe shumë këngë si: “This is the day”, “That the Lord has made”, “I will rejoice”, “Be glad in it” etj.
|
|
|
Kampin e vizitoi edhe zv. Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë z. Elton Gurakuqi, i cili shprehu mirënjohje dhe falënderim për organizatorët. Ai tha se: “Unë shoh tani se vajza ime është shumë e gëzuar, e qeshur dhe kënaqësia e saj është edhe e imja. Të gjithë fëmijët le të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve, pasi ato janë shpirtërore, edukuese si edhe sociale dhe ndihmojnë në rritjen e tyre”.
|
Aktiviteti u mbyll me një festival ku e nderuan me pjesëmarrjen e tyre prindërit e fëmijëve. Një prej fëmijëve, Anastasi, u shpreh se kishte kaluar shumë mirë, kishte zënë shumë shokë dhe ai do ta falënderonte Perëndinë për gjithçka.
|
|
|
|
|
|
|
|
Prandaj le të mos ngurojmë së falënderuari nga zemra pasi falënderimi është qendra e jetës sonë.
|
|
|
|
Elena Krakulli
|
|