KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
ZYRA E SHTYPIT
Përgjigje për artikullin e dt. 30 dhjetor 2012

Gazetës “Shekulli”
 

    Zotërinj të nderuar,

    Në gazetën tuaj  “Shekulli” të ditës së diel, dt 30.12.2012, në faqen e saj të parë (dhe ne faqet 4-5), është ndërmarrë një keqinformim i opinionit publik, duke vendosur në gojën e Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastas, fraza që nuk i ka thënë kurrë. Konkretisht keni shkruar: “Janullatosi: “shqiptarët po më kërcënojnë, Greqia të reagojë… Fëmijët mësojnë në shkollë të urrejnë Greqinë” etj. Këto janë shtrembërime të pastra të së vërtetës.

    Përkthimi i intervistës së dhënë nga Kryepiskopi Anastas në televizionin shtetëror  grek “Net”,  që botohet tek Gazeta Shekulli me shkurtime të përzgjedhura qëllimshëm, ka shumë mangësi, keqkuptime me dashje dhe hera herës përzgjidhen fraza të nxjerra jashtë kontekstit ku janë thënë. Edhe titulli i emisionit shtrembërohet, duke u quajtur “Personalitete”, kur në të vërtetë ai është “Personale”… Por, as në këtë përkthim të pasaktë të origjinalit, në greqisht nuk ekziston fare fraza që përdoret nga z. Lisien Bashkurti: “Në Shqipëri fëmijëve dhe moshave të reja nëpër shkolla u mësohen të urrejnë Greqinë dhe grekët”.  
    Z. L.B në shkrimin në lidhje me këtë intervistë, të quajtur “Harmonia Ndërfetare, pasuri e kombit shqiptar”, i mbështet opinionet e tij mbi këtë frazë të sajuar. Pasi vë në dijeni publikun për laureat  e tij diplomatike dhe akademike, ai përpiqet t’i bëjë një leksion të etikës shkencore dhe kishtare Kryepiskopit tonë, i cili siç është e njohur, ka qenë Profesor i shquar dhe Dekan i Fakultetit të Theologjisë së Universitetit Kombëtar të Athinës, është Anëtar nderi i Akademisë së Athinës dhe është nderuar me doktoratura “Honoris Causa” në filozofi dhe në theologji nga shumë universitete të vendeve të ndryshme.
    Gjithashtu edhe fraza “Shqiptarët dhe Shqipëria janë të kënaqur që Greqia është zhytur në një krizë”, nuk thuhet në intervistën e Kryepiskopit. Sa i takon fjalisë tjetër, se “Greqia është një shtet në shitje”, këto janë fjalët e kryetarit të partisë të tij, botuar në gazetën “Shqip”, të 5 nëntorit 2012. Konkretisht, z. Spahiu shkruan: se Greqia është “…një shtet që kanë dalë për shitje”.
    Në vazhdim, z. L.B. parashtron të ndryshuar një tjetër fjali të intervistës, se  “të gjithë grekët, kudo që janë, por sidomos ata në Greqi, duhet të rikthejnë në memorien e tyre historinë e tyre, pasi e kanë harruar dhe po flenë gjumë”. Dhe shton, krejtësisht në mënyrë arbitrare, se para se të thuhej kjo fjali, nënkuptohej “Shqipëria”, e cila sipas këtij interpretimi, “kërcënon me teza të dikurshme”. Në intervistën në fjalë, ky mendim i Kryepiskopit Anastas, i cili është thënë një kontekst krejtësisht të ndryshëm (në atë të krizës ekonomike që po kalon Greqia), nuk ka kurrfarë lidhjeje me Shqipërinë. I referohet detyrimit që kanë grekët për të kujtuar historinë e tyre dhe që të mobilizojnë forcat dhe virtytet e ndihmës së ndërsjellë për njëri-tjetrin, të thjeshtësisë dhe të vetësakrificës.  Është e çuditshme se z. L. B., madje edhe duke e theksuar faktin se ka shërbyer si diplomat, e lexon këtë frazë si “ngjallje të urrejtjes midis popullit shqiptar dhe popullit grek”. Në një vend tjetër ai shton se “do të doja që hirësia e tij të kontribuonte në përmirësimin dhe jo në përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë midis dy popujve” etj… Është e njohur botërisht se Kryepiskopi Anastas, për më shumë se njëzet vite ka dhënë dhjetëra intervista dhe ligjërata dhe përpiqet pareshtur për miqësinë e dy popujve, për nevojën e bashkëpunimit harmonik, të mirëkuptimit dhe të reciprocitetit të ndërsjellë. Prandaj, midis shumë të tjerave, është zgjedhur President Nderi i Konferencës Botërore të Fesë dhe Paqes “Fetë për paqen”, (World Conference for the Religion and Peace “Religions for Peace”), organizmit më të rëndësishëm ndërfetar në botë, me seli në Nju Jork, i atashuar edhe pranë OKB, ku janë pjesëtarë të gjitha fetë e botës.
    Për më tepër, z. profesor shton vërejtjen e papërshtatshme dhe po aq fyese, se gjoja Kryepiskopi Anastas “ha bukën e popullit shqiptar”. Por Kryepiskopi nuk mbahet nga fonde që vijnë nga Shqipëria. Ka pensionin e tij nga koha kur ishte profesor Universitetit të Athinës. Përkundrazi, jo vetëm nuk “ha bukën e popullit shqiptar” , por gjatë gjithë këtyre 21 viteve, me nismat dhe aktivitetet e tij, ka kontribuar që të vijnë në Shqipëri shumë miliona euro. Me këto iniciativa që ka ndërmarrë në fushat e arsimit, shëndetit, zhvillimit bujqësor, kulturës, ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë me mijëra familje shqiptare të kenë një jetë dinjitoze. Është shumë i çuditshëm fakti se si mund të ekzistojnë kaq shumë shtrembërime të pasakta dhe shpifëse të bëra nga një intelektual, në një tekst kaq të shkurtër!
    Sa i takon lajmit të theksuar në titullin e artikullit tuaj: “Kryepiskopi, probleme me shëndetin. Vuan nga kanceri”, Kryepiskopi Anastas përmendi në intervistën e tij edhe  këtë çështje vetëm për t’iu dhënë forcë atyre që përballen me probleme të vështira shëndetësore. Në vitin 2005, u diagnostikua me kancer të tiroideve, por pas një operacioni të suksesshëm, ai u shërua plotësisht dhe të gjithë e dimë se vazhdon të punojë pa u lodhur dhe të jetë mjaft aktiv si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij, me një krijimtari të pasur.
    Zoti L. B. në fund të artikullit të tij, jep siguri se “Aleanca Kuq e Zi, nuk e ka kërcënuar në asnjë lloj forme e mënyre Anastas Janullatosin”. Është mjaft i çuditshëm fakti se si Sekretari i marrëdhënieve me jashtë i Aleancës Kuq e Zi, nuk ka dijeni për letrën zyrtare që kjo forcë politike i dërgoi Presidentit të Republikës  në 17 dhjetor 2012, “T’i hiqet Urdhri ‘Skënderbeu’ kryepeshkopit Janullatos” (Ky Urdhër iu akordua Kryepiskopit Anastas me motivacionin “Për kontributin dhe veprimtarinë e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit, si dhe për forcimin e pasurimin e mëtejshëm të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare të popullit shqiptar”). Pas parashtrimit të shumë shpifjeve dhe akuzave për sjellje antikushtetuese dhe antishqiptare nga ana e Kryepiskopit, kjo letër zyrtare e AK përfundon me fjalët: “Ka ardhur koha t’i themi Anastas Janullatosit: ik me paqe nga Shqipëria. Mbylli vitet e fundit të jetës tënde sa më larg këtij vendi” etj. Pikërisht kjo letër e Aleancës Kuq e Zi njohu një publicitet të gjerë si brenda ashtu edhe jashtë vendit si dhe krijoi shqetësimin tani të njohur nga të gjithë. Pas saj, 42 klerikë të Kryepiskopatës (episkopë, priftërinj, dhjakonë,) botuan një përgjigje të qartë dhe ezauruese, në të cilën midis të tjerave theksohet:
   “…Ata që e njohin Kryepiskopin Anastas, midis tyre edhe ne klerikët e Kryepiskopatës, të gjithë qytetarë shqiptarë, që e ndjekim nga afër dhe që bashkëpunojmë me të gjatë gjithë viteve të pranisë së tij këtu në Shqipëri, e dimë fare mirë se pohimet e mësipërme të paturpshme janë sajesa të një fantazie të sëmurë, krejtësisht të pabaza, absolutisht të padrejta dhe përbëjnë shtrembërim të së vërtetës…
    Kryepiskopi Anastas, ka 20 vjet që jeton dhe punon pa u lodhur bashkë me ne. Gjatë kësaj kohe ka qëndruar gjithmonë pranë popullit, madje edhe në kohët më të vështira (1997,1999), duke ndihmuar me dashuri dhe vetësakrifikim jo vetëm orthodhoksët por të gjithë sa kanë nevojë, pa dallim bindjesh fetare e politike. Njihet më së miri, jo vetëm në Shqipëri por edhe në arenën ndërkombëtare, kontributi i jashtëzakonshëm i Kryepiskopit Anastas në ringritjen e plotë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në lulëzimin më të madh që ka njohur historia e Kishës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë njihet ky kontribut edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, në sektorët e shëndetit, arsimit, përkujdesjes sociale dhe kulturës, si dhe në vitin 1999, kur me iniciativën e tij, mobilizoi organizmat e krishterë ndërkombëtarë për të ndihmuar 33.000 refugjatë kosovarë. Vetëm ata që janë të verbuar nga fanatizmi nuk duan t’i shikojnë këto gjëra. Por vepra kolosale e Kryepiskopit Anastas nuk mund të shembet me fjalë fyese, gënjeshtra të fabrikuara, dyshime të pabaza dhe akuza shpifëse. Ne, qindra mijërat e orthodhoksëve shqiptarë dhe të qytetarëve të tjerë të paanshëm, që ndjekim nga afër punën e tij, e njohim fare mirë realitetin.
    Kapërcehen dhe kufijtë e qesharakes, kur njerëz, pa kurrfarë lidhjeje me Orthodhoksinë, por edhe minues të njohur të saj, shfaqen si mbrojtës të orthodhoksëve shqiptarë e si njohës të Historisë Kishtare të Orthodhoksisë madje, dalin dhe në përfundime për çështje të së Drejtës Kanonike Kishtare. Ata arrijnë deri aty sa marrin përsipër t’u japin këshilla të krishterëve orthodhoksë shqiptarë se cila duhet të jetë udhëheqja e tyre kishtare. Ne klerikët shqiptarë dhe qindra mijëra besimtarë orthodhoksë, shtetas shqiptarë, që ndjekim me përkushtim udhëheqësin tonë, nuk jemi as naivë dhe as më pak patriotë.”.

     Shpresojmë, se duke qenë korrektë ndaj parimit të objektivitetit, do ta botoni këtë përgjigje në gazetën tuaj.

     Tiranë, 8 janar, 2013

Zyra e Shtypit
e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë