Me rastin e 35 vjetorit të Fronëzimit dhe të 80 vjetorit të Patriarkut të Gjeorgjisë, Fortlumturisë së Tij z. Ilia II, Patriarkana e Gjeorgjisë organizoi nga data 10-13 janar 2013 një program disa ditor festiv të mbushur me shumë aktivitete.
   Në këto festime merrnin pjesë Patriarku Ekumenik Tërëshënjtëria e Tij z. Bartolomeu, Patriarku i Serbisë Fortlumturia e Tij z. Irineu, Kryepiskopi i Çekisë dhe Sllovakisë Fortlumturia e Tij z. Kristofor dhe Mitropolitë e Episkopë përfaqësues të Patriarkanave dhe Kishave Autoqefale. Nga kisha e Shqipërisë morën pjesë Mitropoliti i Gjirokastrës z. Dhimitër dhe Episkopi i Bylisit z. Asti.
    Këto ditë u shndërruan në ditë festive, jo vetëm për Kishën Orthodhokse por edhe për të gjithë vendin, ku shteti dhe e gjithë media i kushtoi rëndësi të madhe. Kujtojmë se besimtarët orthodhoksë përbëjnë mbi 90 % të popullsisë së vendit. Delegacionet e Kishave Orthodhokse u nderuan edhe me pritjet dhe darkat zyrtare të udhëheqësve më të lartë të shtetit, Presidenti i Republikës z. Mikheil Saakashvili, Kryeministri z. Bidzina Ivanishvili dhe Kryetari i Kuvendit Popullor z. David Usupashvili.
    Programi festiv disa ditor për nder të Patriarkut Ilia të Gjeorgjisë ishte i mbushur me shumë aktiviteteve, mes të cilave Simpoziumi shkencor në Universitetin e Patriarkanës “Apostull Andrea”, Koncerti festiv në Pallatin e Kulturës të Kryeqytetit, vizitat në kisha, manastire, qendra asketike historike të Gjeorgjisë etj.  
    Programi kulmoi me Liturgjinë hyjnore patriarkale të ditës së diel dt.13 janar që u mbajt në Katedralen e Trinisë së Shenjtë në Tbilisi, në kryeqytetin e Gjeorgjisë, në prani të dhjetëra mijërave besimtarëve. Është për tu theksuar se besimtarët më të shumtë që mbushin kishat janë të rinjtë dhe fëmijët. Në fund të liturgjisë, të gjithë hierarkët përfaqësues të Kishave Orthodhokse, në emër të primatëve të Kishave të tyre përkatëse, iu drejtuan personit të nderuar, Patriarkut të Gjeorgjisë, me fjalime përshëndetëse e dhurata. Përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, lexuan mesazhin e Kryepiskopit Anastas drejtuar Fortlumturisë së Tij z. Ilia, Kryepiskop i Mtsketës-Tbilisit dhe Patriark-Katholik të gjithë Gjeorgjisë, duke i dhuruar edhe një kopje të botimit faksimile të Kodikut të Korçës të shek. X.

    Për më tepër vizitoni:
http://sstv.ge/video_promote.php?project_id=39&material_id=5348&prom_vid_id=228&archive=0&fb_action_ids=530968866921761&fb_action_types=og.likes&fb_source=timeline_og&action_object_map={%22530968866921761%22%3A452242028162843}&action_type_map={%22530968866921761%22%3A%22og.likes%22}&action_ref_map=[]