![]() |
Fortlumturi, Vëlla shumë i dashur dhe i shtrenjtë në Krishtin, Kryepiskop i Justinianisë së re dhe gjithë Qipros, z. Krisostom, “I bekuar është Perëndia dhe ati i Zotit tonë Jisu Krisht, ati i dhembshurive dhe Perëndia i çdo ngushëllimi”. (2Kor 1-3).
Me ngazëllim shpirtëror dhe një mallëngjim të thellë, gjendemi sot në Qipron heroike, ku për dy mijë vjet Kisha jeton misterin e Ekonomisë Hyjnore në Krishtin nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë.
|
|
Duke adhuruar Perëndinë në këtë kishë të shenjtë historike, vetvetiu mendimi ynë shkon në rreshtat e shenjtorëve të këtij megaishulli të bekuar. Me gëzim të madh dhe me shumë shpresa gjendemi sot në mes tuaj, për t’u ngushëlluar në mënyrë të ndërsjellë dhe për të marrë frymëzim dhe fuqi nga përvoja juaj ajiopnevmatike shumëshekullore, por edhe nga përvoja juaj e fundit shpirtërore.
Le të më lejohet personalisht të shtoj se për gjysmë shekulli mendja dhe zemra ime ka qenë pranë jush, duke ndjekur me shumë dashuri përpjekjet, sprovat, sukseset tuaja…
Siç është e njohur, që nga viti 1991, pas nismës së marrë nga Patriarkana Ekumenike, mora përsipër përgjegjësinë e ringritjes së Kishës së Shqipërisë, e cila për 23 vite (1967-1990), kishte pësuar një persekutim të pandërprerë dhe nga shumë vetë konsiderohej si e vdekur. Me fuqinë dhe hirin e Perëndisë, 17 vitet e fundit u ringrit dhe jeton mrekullinë dhe ngazëllimin e Ngjalljes.
|
![]() |
![]() |
Në agimin e shekullit të 21-të gëzon një lulëzim që nuk është parë përpara në të gjitha shprehjet e jetës së saj, megjithë sprovat e mëdha dhe të shumëllojta…
E dimë se lutja dhe dashuria e shprehur në vepra e vëllezërve tanë të dashur nga Qipro, na shoqëron si në hidhërime ashtu edhe në gëzime. Sot, ndërkohë që kemi bekimin e veçantë nga Perëndia, që një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të vizitojë për herë të parë Kishën e Shenjtë të Qipros, duam të falënderojmë Perëndinë, si edhe Fortlumturinë Tuaj, bashkë me klerin dhe popullin besimtar të Kishës së shtrenjtë të Qipros, për ndjenjat Tuaja vëllazërore.
|
|
Kisha e Shqipërisë ka edhe një bekim tjetër nga Qipro, që është i panjohur për shumë vetë: praninë e një ikonografi të talentuar, të Onufër Qipriotit, që punoi në vendet e Shqipërisë së sotme nga fundi i shekullit të 16-të deri në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të 17-të. Në errësirën e skllavërisë otomane, Onufër Qiprioti dha dritë dhe ngushëllim ndër të krishterët, duke predikuar Krishtin, jo me fjalë, por me bukurinë e artit që për katër shekuj me radhë paqëson dhe frymëzon shpirtrat.
Duke u lutur në këtë kishë të shenjtë që i përkushtohet Apostull dhe Ungjillorit Joan Theologut, në kujtesën tonë jehojnë fjalët e tij: “Perëndia është dashuri, dhe ai që rri në dashuri në Perëndi rri dhe Perëndia tek ai” (1Joan 4:16), që përcaktojnë besimin, por edhe identitetin tonë. Dhe për më tepër edhe sigurimi që na fuqizon me guxim dhe guxim të pashtershëm: “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën”. (v. 18).
Dashuria e sinqertë është gjëja më esenciale që një njeri mund të ofrojë dhe të marrë e madje në orë kritike.
Me mburrje në Zotin, ndjekim heroizmin, durimin, krijimtarinë e popullit fisnik të Qipros dhe me gëzim të sinqertë, gjallërinë shpirtërore të Kishës, e cila nuk reshti për asnjë çast së mbështeturi dhe frymëzuari atë, që të qëndrojë në këmbë dhe i papërkulur, madje edhe në çastet më tragjike.
“I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i dhembshurive dhe Perëndia i çdo ngushëllimi, që na ngushëllon ne në çdo hidhërim tonin, që ne të mund të ngushëllojmë ata që gjenden në çdo hidhërim, me anë të ngushëllimit me të cilin ngushëllohemi edhe ne vetë nga Perëndia”. (2Kor 1:3-4)
Gëzohemi me të vërtetë, Fortlumturi dhe vëlla i shenjtë për veprën tuaj baritore ngushëlluese këtu, si edhe për nismat tuaja në lëmin ndërkombëtar. Jemi të sigurt se populli shpresëtar qipriot, me talentet e shumta që e ka pajisur Perëndia, duke qëndruar besnik në dashurinë e Krishtit, ka për të vazhduar rrugëtimin e tij krijues në të gjitha fushat dhe ka për të kontribuar me vendosmëri në rrezatimin e Orthodhoksisë në botën e sotme.
Ju lutemi që të pranoni falënderimet e zjarrta të të gjithë anëtarëve të përfaqësisë së Kishës së Shqipërisë për pritjen e përzemërt, që na bëtë. Nga thellësia e zemrës urojmë, që Perëndia në Trini të bekojë duarhapët mundimet tuaja dhe tu falë shëndet të hekurt dhe urtësi tejpamëse, që të vazhdoni të udhëhiqni Kishën e Qipros në një rrugëtim gjithnjë në ngjitje. Të plotësojë sa më shpejt dëshirat dhe përpjekjet tuaja për një zgjidhje të drejtë të probleme të zgjatura në kohë të megaishullit të Qipros.
Shpresojmë se kjo vizitë do të stabilizojë gjithmonë e më shumë lidhjen vëllazërore midis Kishave lokale të Qipros dhe të Shqipërisë, do të na pasurojë me përvoja të reja, mendime dhe vendime për vazhdimin e shërbesës sonë, aty ku Zoti e ka caktuar secilin, për një dëshmi të përbashkët të Krishtit të kryqëzuar dhe të ngjallur në botën e paqetë, me shumë forca dhe që varet në mënyrë të ndërsjellë.
|


