Për të dytin vit, në 1 tetor 2013, kur Kisha kremton tre shenjtorët e Artit Psaltik, shën Joan Kukuzelin nga Durrësi, shën Roman Melodin dhe shën Grigor Domestikun, Shkolla e Muzikës Bizantine hapi dyert me studentë të rinj.Fillimi i vitit mësimor nisi me praninë e gjithë mësuesve dhe studentëve të shkollës, me celebrimin e Shërbesës së Bekimit të Ujit që u krye nga episkopi i Amantias, Nathanaili, dhe me praninë e klerikëve të tjerë. Pas përfundimit të shërbesës, episkopi uroi të gjithë pjesëmarrësit në emër të Kryepiskopit Anastas, për “suksese dhe një vit të mbarë akademik”.
Ndërsa drejtuesi i shkollës, Theodhor Peci, në emër të stafit pedagogjik dhe studentëve falënderoi Hirësinë për praninë dhe përcjelljen e bekimeve, si dhe uroi studentët që ky vit i ri të jetë krijues dhe frytdhënës. Gjithashtu, bëri të ditur se sivjet Shkolla e Muzikës Bizantine do të funksionojë pasdite, me dy auditorë dhe me një program mësimor të kompletuar, për të mundësuar një kualifikim me nivel sa më të lartë.
Shkolla do të jetë e pranishme me korin e saj gjatë shërbesave të adhurimit hyjnor në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke theksuar rolin e psaltit në adhurimin hyjnor, që është thelbësor dhe kërkon profesionalizëm.
