Në qytetin e Korçës Liturgjia Hyjnore filloi më herët se ditët e tjera dhe Shërbesa u drejtua nga Mitropoliti, Hirësia e Tij Joani.

    Më pas u hodh Kryqi i Shpëtimtarit tonë në shatërvanin pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, të cili e nxori 25 -vjeçari Olger Lena . Ai pas shërbesës filloi të dilte nëpër shtëpitë e besimtarëve korçarë.

    Në vazhdim të asaj dite, Mitropoliti i Korçës udhëtoi drejt qytetit të Pogradecit, për të kryer edhe aty Shërbesën e Bekimit të Ujit. Kryqi u hodh në liqen tek moli në qendër të plazhit, ku ishin mbledhur qindra vetë dhe u kap nga 18- vjeçari Altin Vila.

    Përveç besimtarëve të shumtë, ishte edhe Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, Kryetari i Bashkisë të qytetit, si edhe personalitete të tjera. Duke uruar të gjithë besimtarët e Pogradecit, Hirësi Joani u lut për më shumë paqe, gëzim dhe harmoni në familjet e tyre.

     Uji i Bekuar në të gjithë dioqezën u kremtua në një atmosferë feste popullore, mbështetur mbi traditën. Mitropoliti, Hirësia e Tij Dhimitri, ishte në këtë ditë në Sarandë, ku kreu Liturgjinë dhe Shërbesën në kishën e re të Shën Harallambit. Pastaj, i shoqëruar nga klerikët dhe besimtarët u drejtua për nga bregu i detit, ku ishin mbledhur mijëra njerëz, nga qyteti dhe fshatrat, ku u bë hedhja e kryqit në ujë.

     Ai u kap, për të tretin vit radhazi, nga Vasil Mosho, nga Mursia. Në qytetin e Gjirokastrës Bekimi i Ujit, për shkak të motit të keq u bë brenda kishës së Kryeengjëjve, ndërsa në Përmet, sipas një tradite të konsoliduar në vite, pas Liturgjisë Hyjnore në kishat “Shën Maria e Pazarit” dhe “Shën Nikolla”, kryqi u hodh në prani të banorëve të qytetit dhe të zonës, në ujërat e Vjosës.