Brenda kësaj stine, nuk është e rastësishme një festë e madhe që në gjuhën popullore quhet “Pashka e verës”. 15 gushti është një nga të kremtet më të mëdha për besimtarët e krishterë orthodhoksë. Është dita ku përkujtohet Fjetja e së Tërëshenjtës Mari, nënës së Zotit Krisht. Është një nga ngjarjet më të rëndësishme sepse me vdekjen e saj dhe ngjitjen trupore lart në qiell tregon fitoren mbi vdekjen, duke pasuar në këtë mënyrë ngjalljen e Birit të saj Jisu Krisht.
    Për të festuar këtë ditë, shumë besimtarë orthodhoksë në mbarë vendin ishin mbledhur në kishat pranë vendbanimeve të tyre. Në Manastirin e Ri të Shën Vlashit, në Durrës, prej natës së 14 gushtit qindra besimtarë morën pjesë në shërbesat fetare, duke e gdhirë të nesërmen me lutje dhe meditim të thellë shpirtëror. Në mëngjes në Liturgjinë Hyjnore, mori pjesë edhe Kryepiskopi Anastas. Gjatë predikimit të tij, Kryebariu i Kishës theksoi: “Në një kohë kur ka shumë probleme në familjet tona, Fjetja e të Tërëshenjtës Mari vjen për të na dhënë shpresë dhe optimizëm. Në një kohë kur shumë vetë thonë se njeriu po kthehet në xhungël si në ambientin ndërkombëtar, ashtu edhe në ambientin e vendit tonë, e Tërëshenjta është ajo që tregon rrugën e vërtetë. Ajo erdhi në botë për të lidhur njeriun me Perëndinë. Nëna jonë e Tërëshenjtë është prej gjinisë njerëzore. Ne jemi optimistë sepse e Tërëshenjta na tregon se ku mund të arrijë gjinia njerëzore”. 
    Gjithashtu Kryepiskopi iu bëri thirrje besimtarëve që ta bëjnë këtë ditë të dobishme, duke u kthyer në faktor optimizmi. “Të transmetojmë mesazhin e shpresës në çdo ambient; në familje, në punë dhe në çdo vend. Në një kohë kur fantazia jonë është e fiksuar tek shumë imazhe të tjera të këqija nga mjetet e informimit publik, është mirë që të restaurohet brenda shpirtit tonë imazhi i së Tërëshenjtës. Të përpiqemi të rrezatojmë nga përulësia, dhembshuria dhe dashuria e saj”.
    Për çdo besimtar e Tërëshenjta Mari mbetet udhërrëfyesja, ngushëlluesja dhe mbështetësja në çaste të vështira. Fjetja dhe ngjitja lart në qiell e së Tërëshenjtës Mari dhe qenia afër Birit të saj bën të mundur fuqinë dhe mundësinë e ndërmjetimit për çdo njeri, i cili i kërkon ndihmë asaj. Këto janë arsyet përse besimtarët e krishterë orthodhoksë kremtojnë 15 gushtin, kremtim i cili brenda tij ka besimin, shpresën dhe garancinë për mbarëvajtjen dhe mirëqenien në këtë jetë dhe shpëtimin për jetën tjetër.
    Isidor Koti