Ne, të rinjtë orthodhoksë të Tiranës, shprehim solidarizimin tonë në mbrojtje të Kishës Orthodhokse Autoqefalë të Shqipërisë dhe Kryepeshkopit Anastas, duke kundërshtuar sulmet dashakeqe dhe akuzat e pavërteta që janë publikuar ditët e fundit në media.
Habitemi se si disa njerëz publikë që na kanë mësuar historinë e vendit tonë, shfaqen kaq sipërfaqësorë me realitetin e këtyre 20 viteve të Kishës Orthodhokse, duke u përpjekur të hedhin baltë mbi Kryebariun tonë shpirtëror që përcjell dashuri, paqe dhe na frymëzon në çdo veprimtari. Përpjekja për të nëpërkëmbur emrin dhe personalitetin e Kryepeshkopit Anastas dhe Kishës në përgjithësi, është një akt i shëmtuar dhe i dështuar që jo vetëm na zhgënjen, por na kujton të kaluarën e hidhur komuniste dhe ateiste, e cila censuronte lirinë dhe të vërtetën.
Ne jemi dëshmitarë okularë të ringritjes së Kishës dhe zhvillimit të jashtëzakonshëm të saj, e njohim, duke e përjetuar nga afër ndihmën dhe kontributin shumë të çmuar të Kryepeshkopit, i cili i ka qëndruar pranë në çdo moment komunitetit dhe veçanërisht rinisë orthodhokse.
Ndonëse mes shumë sfidave dhe vështirësive, Ai na ka dhënë mundësi të organizojmë aktivitete në qendrat rinore në të katër cepat e Shqipërisë, ka dhënë kontributin e tij shpirtëror dhe financiar në aktivitete të larmishme dhe veprimtari shpirtërore, sociale, edukative, kulturore, sportive etj, të cilat nuk i kemi parë dhe nuk i kemi provuar në mjediset e tjera. Ai na ka dhënë mundësi të njohim më shumë besimin, Krishtin dhe njëri-tjetrin, na ka mësuar të ndihmojmë të varfrit dhe të kryejmë vepra bamirëse, të vizitojmë të sëmurët dhe të burgosurit, të japim dashuri aty ku ajo nuk ekziston…Vepra dhe puna e Tij janë një model i pakrahasueshëm për të ardhmen e Kishës dhe për ne brezin e ri.
Në fund të kësaj deklarate, ne kërkojmë të ndalet fushata e akuzave dhe shpifjeve dhe shprehim gatishmërinë të dëshmojmë të vërtetën dhe ta mbrojmë atë, në emër të dashurisë për Perëndinë dhe njerëzit që e përfaqësojnë atë me dinjitet.
Rinia Orthodhokse e Tiranës
Tiranë, nëntor 2010