Në stendat e këtij panairi, si çdo vit, u ekspozuan edhe botimet e Kishës sonë. Përveç librave të publikuar vitet e kaluara, një vend të rëndësishëm zunë edhe librat e rinj, të cilët tërhoqën vëmendjen e publikut të gjerë.
“Gjurmë nga kërkimi i transhendentes” me autor Kryepiskopin Anastas dhe “Reflektime mbi fëmijët në Kishën Orthodhokse sot” nga Motra Magdalen, “Ringjallja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri” (DVD) nga Zyra Rinore e Kryepiskopatës ishin tre prurjet më të fundit, të cilat u shoqëruan edhe nga botimet e fundit të revistave “Kërkim” e “Tempulli”, si dhe botimet e tjera të sivjetshme, të cilat përbënin edhe më të frekuentuarat nga pjesëmarrësit në panair.
Ndihmën kryesore për mbarëvajtjen dhe prezantimin e stendës sonë e dhanë studentët e Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” si dhe të rinjtë orthodhoksë të Tiranës, të cilët me përkushtimin dhe vullnetarizmin e tyre dhanë një imazh cilësor para të pranishmëve.
Në Panairin e Librit “Tirana 2010” u prezantuan mbi 200 botime të reja, pjesa më e madhe e të cilave u sollën për herë të parë në këtë edicion të 13-të. Në stendat përkatëse u ekspozuan mbi 40 mijë libra, nga rreth 100 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe 30 shtëpi botuese jashtë kufijve të vendit.
Isidor Koti