Erdhën edhe këtë vit Krishtlindjet! Urimet e Shën Joan Gojartit “Ejani të kremtojmë, ejani të festojmë” ishin refreni i një sërë shërbesash kishtare dhe aktiviteteve mbreslënëse kulturore të organizuara nga Mitropolia e Hirshme e Beratit në këto ditë festive.
Prej vitesh tashmë, festat e fundvitit e kanë pikënisjen në datën 20 dhjetor, ditë e cila përkon me të kremten e Shën Ignat Hyjmbajtësit, emrin e të cilit mban dhe feston Mitropoliti. Liturgjia Hyjnore me pjesëmarrjen e klerikëve të shumtë, si dhe urimet e përzemërta të besimtarëve në Mitropolinë e Hirshme, nisën festimet e këtyre ditëve të shenjta.
Gatimet tradicionale, zbukurimet e qytetit edhe të shtëpive nuk munguan, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë. Nuk munguan edhe sivjet zërat e lajmëtarëve të vegjël, të cilët të organizuar në grupe, mbrëmjen e 23 dhjetorit, përshkuan të gjithë bulevardin e qytetit. Fëmijët mbanin në duar një kuti të shndritshme me një yll në mes që simbolizon yllin e Betlehemit, ata shkuan shtëpi më shtëpi, duke ndarë lajmin që ndryshoi botën.
Data 24 dhjetor, vigjiljet e Krishtlindjeve si gjithmonë kanë veçantinë e tyre. Besimtarët morën pjesë në orët e krishtlindjeve, mbrëmësoren e madhe, si dhe në Liturgjinë Hyjnore të Shën Vasilit. Mbrëmjen e kësaj dite ishte organizuar nga Mitropolia e Beratit një festë e bukur, me himne kishtare, këngë, recitime, interpretime instrumentale etj… Spektatorët ishin të shumtë dhe si një familje e madhe kaluan së bashku momentet e gëzueshme të vigjiljeve.
Padyshim që 25 Dhjetori i vendos kurorën gjithë aktiviteteve të lartpërmendura. Është dita e lindjes së Shpëtimtarit tonë, Zotit Jisu Krisht. Besimtarë të shumtë, erdhën në Kishë, ndoqën Liturgjinë e drejtuar nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati, si dhe kunguan Trupin dhe Gjakun e Zotit Krisht. Këtë ditë u lexua mesazhi i festës, shkruar nga Mitropoliti ynë, drejtuar klerit dhe besimtarëve shpresëtarë të mitropolisë. Mesazhi ishte i frymëzuar nga Shën Joan Gojarti, aty thuhej ndër të tjera se:
“Sot djalli u shpartallua. Demonët u arratisën. Vdekja u anullua. Parajsa u hap. Mëkati u dëbua. Mashtrimi u largua. Mbretëria e Qiejve u vendos në tokë. Engjëjt flasin me njerëzit. Të gjitha u bënë një. Perëndia zbriti në tokë, dhe njeriu u ngjit në qiej. Zbriti Perëndia në tokë dhe përsëri gjendet në qiell. U bë njeri dhe është Perëndi. Është Perëndi dhe mori mish. Mbahet në gji virgjëror dhe në duart e Tij mbanë gjithësinë. Rendin pranë Tij magët. Rendim edhe ne. Rend edhe ylli, që të shfaqë Zotin e qiejve. Krijuesin dhe grazhdin shikoj… Foshnjën dhe shpërgenjtë, lehonën e virgjër, të përbuzur. Varfëri e madhe… I pasuri u bë i varfër për hirin tonë”.
“Ndaj Tij pra, Fjalës së Perëndisë dhe Birit të Virgjëreshës, të drejtojmë lavdërim bashkë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë në jetë të jetëve”, na nxit Gojarti i hirshëm. Prandaj Perëndia i lart u bë njeri i përulur, që të na tërheqë nga poshtërsia e jetës dhe të na ngrejë drejt lartësisë së Tij, Mbretërisë së Tij të përjetshme. Trupëzimi i Tij, domethënë lindja dhe shfaqja e Tij si njeri midis nesh, nuk shfaq vetëm njeridashjen hyjnore të paanë, nderin ndaj shëmbëlltyrës së Tij, njeriut, por zbulon edhe madhësinë e shkeljes sonë. Shfaq edhe situatën dëshpëruese dhe tragjike në të cilën kishim arritur.
Ky është mesazhi i madh i Krishtlindjeve. Njeriu i plagosur i çdo epoke, mundet, nëse dëshiron, të pasqyrojë veten e tij, në grazhdin e varfër të Betlehemit. Dhe, duke shikuar gjendjen e tij të mjeruar, të tronditet, të bëhet i vetëdijshëm për dobësinë dhe varfërinë e tij të skajshme, në mënyrë që të ndjejë dhe të gjejë veten e tij.”
Në fund të Liturgjisë, erdhën për të uruar Krishtlindjet, autoritetet vendore me në krye kryetarin e Bashkisë së Beratit, z. Fadil Nasufi, përfaqësuesit e partive politike, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe besimtarë të shumtë.
Joan Qako