Në këtë stinë të ftohtë e të akullt dimri, besimtarët e krishterë marrin ngrohtësi nga rrezet e Diellit të Drejtësisë. Ky Diell lind për të ndriçuar gjithë popujt pa ndonjë përjashtim. Le të hapim dyert e shpirtit dhe ta lejojmë që të hyjë brenda nesh për të shkrirë akujt e egoizmit tonë.

    Në atmosferë lutjesh e gëzimi u kremtua në qytetin e Durrësit Trupëzimi i Zotit tonë Jisu Krisht. Në Kishën “Apostull Pavli & Shën Asti” në Durrës gjatë periudhës së kreshmës, që paraprin këtë festë, u krye Sarandari (Liturgji Hyjnore për 40 ditë) ku morën pjesë shumë familje shpresëtare. Gjithashtu u zhvillua edhe një lutje e pandërprerë, 24-orëshe, në të cilën besimtarë të shumtë u organizuan që të luten në çdo orë të ditës dhe të natës.

    Në Vigjilje të Krishtlindjeve, datë 24 dhjetor, fëmijët dhe të rinjtë e katekizmit shkuan nëpër shtëpitë e besimtarëve për të përhapur lajmin gazmor të Lindjes së Shpëtimtarit Jisu. Duke mbajtur ikonën e Lindjes së Krishtit në duar dhe duke kënduar këngët tradicionale të Krishtlindjeve, ata vizituan shtëpi të shumta për orë të tëra.

    Me mbledhjen e kontributeve të besimtarëve u përgatitën mbi 70 pako ushqimore, të cilat u ndanë tek disa familje në nevojë.

    Rënia e këmbanave në orët e para të mëngjesit të datës 25 dhjetor lajmëroi të gjithë besimtarët për fillimin e Meshës Hyjnore me rastin e kësaj të Kremteje madhështore që ndryshe quhet Pashka e Vogël. Kjo Meshë u drejtua nga Stavrofor Ikonom Atë Spiro Tola. Në fund të Liturgjisë fëmijët e katekizmit dolën përpara besimtarëve dhe kënduan e uruan të gjithë të pranishmit.

    Në orën 10:00 filloi ceremonia e pritjes zyrtare të autoriteteve lokale të qytetit të Durrësit si edhe të dhuruesve të Kishës. Nën tingujt e psalmeve dhe në shoqërinë këngëve të Krishtlindjeve me gota në duar të gjithë shkëmbyen urime të shumta për Krishtlindje të bekuara dhe një Vit të Ri të mbarë.

    Këto urime ia përcjellim gjithë të krishterëve kudo që ndodhen. Foshnja Hyjnore që lindi në një grazhd le të jetë shembulli dhe udhërrëfyesi ynë në Vitin e Ri 2013. Urime të përzemërta nga kleri dhe populli besimtar i qytetit të Durrësit.

Theano Kostoli