| Nga data 20 – 30 shtator, Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me organizatën World Vision, zhvilloi një kamp ditor për fëmijë me temë: “Duaj Perëndinë me gjithë zemrën tënde dhe të afërmin si veten tënde”. Ky kamp u zhvillua në ambientet e Kishës Orthodhokse në Qendrën shpirtërore-arsimore “Thavor”, Tiranë. | |
|---|---|
| Tetëdhjetë fëmijë nga mosha 6 – 12 vjeç u bënë pjesë e këtij kampi. Fëmijët vinin nga Lagjja e Fabrikës së Traktorëve në Tiranë. Ata ishin kryesisht nga familje me nivel të ulët ekonomik. Tema e kampit u zhvilloi fëmijëve më tepër ndjenjën e dashurisë dhe respektit kundrejt njëri-tjetrit. Përgjatë kampit, fëmijët morën pjesë në aktivitete në grupe të vogla dhe në grupe të mëdha. | |
| Çdo grup i vogël mbante një emër, si për shembull: dashuria, respekti, liria, vetëkontrolli etj. Programi konsistonte në bashkëbisedime në grupe të vogla rreth vlerave të të qenit njerëz të moralshëm; rreth dashurisë së madhe të Perëndisë për çdo njërin nga ne; rreth dashurisë që duhet të tregojmë ndaj njëri-tjetrit. Aktivitete të tjera të programit të kampit përfshinin këngë për fëmijë; lojëra në grupe të vogla dhe në grupe të mëdha; punëdore etj. | |
| Përgjatë këtyre ditëve, fëmijët mësuan shumë gjëra të reja, të dobishme dhe gëzuan kohën në prani të mësuesve që tregonin aq shumë kujdes dhe dashuri për ata dhe në prani të bashkëmoshatarëve të tyre. Një ditë e kampit ishte e mbushur vetëm me lojëra dhe u titullua “Dita e lojërave Olimpike”. Fëmijët luajtën lojëra përgjatë kësaj dite dhe në fillim të lojërave një drejtues i kampit foli përpara fëmijëve duke ju mësuar dhe shpjeguar kuptimin e lojërave olimpike që është respekti ndaj njëri-tjetrit përgjatë lojërave; të qënit të gëzuar kur tjetri fiton; ndershmëria përgjatë lojërave dhe mos konkurrimi me inat. | |
| Ditën e fundit të këtij kampi, fëmijët dhe mësuesit e tyre kishin organizuar një festival. Fëmijët interpretuan para njëri-tjetrit dhe prindërve të tyre ato gjëra që ata kishin mësuar në ato ditë kampi. Prindërit ishin mjaft të lumtur të ishin pjesë e këtij festivali dhe shumë nga ata shprehën vlerësimin e tyre për dobinë dhe vlerat e këtij aktiviteti. Disa nga prindërit ishin të pranishëm përgjatë disa pjesëve të zhvillimit të këtij kampi. Ata shpreheshin thjesht se fëmijët e tyre edukohen shumë dhe argëtohen shumë në këto aktivitete. | |
| Tetë persona nga stafi i Zyrës Qendrore të Fëmijëve të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ofruan kohën dhe talentet e tyre në zhvillimin e këtij kampi. Ata u trajnuan nga zyra për çdo pjesë të programit të kampit. Ata punuan me shumë devocion dhe gëzim, për fëmijët e kësaj lagjeje të Tiranës, duke e ditur se këto aktivitete i mësojnë fëmijët rreth dashurisë së Perëndisë për ata dhe se si ata të rriten njerëz me vlera. Ky kamp ishte mjaft i suksesshëm dhe ky sukses bëhet i dukshëm nga pjesëmarrja e lartë e fëmijëve, opinioni i prindërve, opinioni i mësuesve të këtij kampi dhe nga mendimet e shprehura nga pjesëtarë të ndryshëm të këtij komuniteti. |
Ana Kërçyku