Siç ndodh gjithmonë, me afrimin e të kremteve të mëdha të Kishës sonë, edhe me ardhjen e Krishtlindjes një atmosferë festive dhe e gëzueshme u krijua në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit. Edhe këtë vit u takonte studentëve të vitit të dytë të organizonin festën, gjë e cila prej vitesh është bërë si një traditë në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.

    Programi festiv u zhvillua në dt. 19 dhjetor përpara se studentët të largoheshin nga shkolla për të festuar me familjet e tyre dhe për të ndihmuar në kishat e qyteteve dhe fshatrave nga vijnë. Në këtë program ishin të pranishëm dhe nxënësit e Liceut të më të ri kishtar “Kryqi i Nderuar”, në Sukth të Durrësit, si edhe fëmijët e “Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës”. Ishin të pranishëm edhe Hirësi Nikolla, ndihmësdrejtor i Akademisë, si dhe Hirësi Andoni, i cili është pedagog në këtë Akademi.

   Programi i përgatitur ishte mjaft i larmishëm dhe zgjati gati dy orë. Në të përfshiheshin psalme, këngë dhe tropare të ndryshme, një pjesë e të cilave u përcollën nga kori i Akademisë. Liceu kishtar veç të tjerash kishte përgatitur skeçin “Sekreti i dhuratave”.  Në këtë program foli mbi Krishtlindjen dhe rëndësinë e saj edhe pedagogu i Akademisë z. Vlash Plepi.

    Në fund, Hirësi Nikolla përcolli mesazhin e tij për festën, duke iu bërë thirrje pjesëmarrësve të hapin zemrat për Krishtin foshnje dhe të jetojnë me Shpëtimtarin deri në fund të jetës.

     Nestilda Dangaj

     Studente e Akademisë