Edhe këtë vit me bekimin e Kryepiskopit Anastas u zhvillua aktiviteti festiv i Krishtlindjes në disa vende të ndryshme të Shqipërisë. Ky aktivitet mjaft i bukur dhe mjaft tërheqës nisi që nga fillimi i muajit dhjetor, duke hapur kështu atmosferën festive të festës së Krishtlindjes tek fëmijët e kishave të qyteteve dhe fshatrave të ndryshme që u programuan për këtë vit.

    Aktiviteti festiv kishte në programin e tij teatrin me kukulla “Kutia e Krishtlindjes”, mësimin e disa këngëve të krishtera, e lojërave të ndryshme dhe një kokteil në fund. Aktiviteti u realizua mes bashkëpunimit të koordinatorëve të Zyrës Kombëtare të Fëmijëve të Kryepiskopatës, të katekistëve në rrethe të Zyrës Kombëtare të Katekizmit dhe studentëve të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash.

    Fëmijët u gëzuan dhe u ngazëlluan duke kënduar këngë, duke recituar poezi, duke treguar se çfarë kishin mësuar gjatë gjithë vitit në mësimet e katekizmit, duke lozur me lojërat e reja që mësuan, si edhe duke ngrënë e pirë në kokteilin e bollshëm festiv.

    Aktiviteti ishte një theksim i atmosferës së gëzueshme dhe shpresëdhënëse që sjellë për mbarë botën dhe fëmijët në veçanti kjo festë kaq e madhe. Ajo që i tërhoqi edhe më shumë fëmijët pjesëmarrës ishte teatri me kukulla.

    Ky teatër, që u përgatit nga Zyra Kombëtare e Fëmijëve dhe u realizua nga studentët e vitit të parë të Akademisë Teologjike, kishte si qëllim të trajtonte temën e Krishtlindjes dhe në të njëjtën kohë të argëtonte fëmijët me lëvizjet dhe fjalët e përcjellë nga kukullat.

    Në çdo vend që u shfaq teatri i kukullave u mirëprit shumë mirë dhe fëmijët u gëzuan aq shumë sa na ftuan që të ktheheshim përsëri vitin tjetër, ndërsa në ato vende ku teatri i kukullave kishte qenë një vit më parë fëmijët na tregonin të gjithë historinë dhe gjithçka që kishin bërë një vit më parë.

    Dhe ne jemi të sigurt dhe këtë siguri na e dhanë vetë fëmijët se ata do ta kujtojnë këtë teatër kukullash  si një gëzim dhe pjesëmarrje të tyre në mësimin e historisë së lindjes së Krishtit foshnjë.

    Ky aktivitet dhe teatri me kukulla “Kutia e Krishtlindjes” u shfaq përpara 880 fëmijëve: përpara fëmijëve të qytetit të Beratit, të Lushnjës, të Durrësit, të fshatit Shën Vlash si dhe të Shtëpisë Orthodhokse Shpresa në Manastirin e Shën Vlashit, të qytetit të Tiranës në 6 qendrat saj të fëmijëve (Qytetit Studenti, Bathores, Frymë Dashurie, Kinostudios, Qendrës shpirtërore arsimore Thavor, Kishës Ungjillëzimit), të Shkodrës dhe të fshatit Vrakë, të qytetit të Elbasanit dhe fshatrave të tij: të Shën Joanit Vladimirit, të Fikasit, të Kuqanit, të Shelcanit, të qytetit të Gramshit, të qytetit të Kavajës si edhe të fshatrave Shën Pjetër e Topojë të Fierit.

    Ky aktivitet festiv i la vendin ditëve më pas një aktiviteti tjetër festiv në këto fshatra e qytete por edhe në të gjithë grupet e katekizmit të fëmijëve në çdo dioqezë duke përfshirë tashmë edhe disa punë dore ku mes tyre ishte edhe formimi e ngjyrosja e ikonës së Krishtlindjes duke u bazuar në librin që iu dhurua fëmijëve “Ditëlindja më e madhe”, shoqëruar në fund edhe me kokteil.

     Spiro Topanxha