Edhe këtë vit, Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit, hapi dyert e saj për të mirëpritur studentët e ardhur nga enori të ndryshme të Kishës sonë. Ata do të studiojnë mësimet formuese, shpirtërore dhe edukative si dhe do të marrin pjesë aktive në ngjarjet e shumta kishtare dhe kulturore që organizohen në vazhdim.
Fillimi i vitit akademik 2010 – 2011 u bekua si përherë me shërbesën e Ajazmës së Vogël, e cila u krye në kishën e Akademisë. Në të morën pjesë gjithë studentët dhe stafi pedagogjik i shkollës. Pas shërbesës, pedagogët uruan mirëseardhjen, një vit të mbarë dhe shumë përparim të gjithë studentëve, në veçanti 12 studentëve të rinj, që me bekimin e Mitropolitëve të dioqezave të tyre, vijnë për të kryer studimet theologjike 4-vjeçare në këtë Akademi.
Fjalën përshëndetëse e mbajti pedagogu Dhimitër Qosja, duke iu drejtuar studentëve dhe sidomos të porsaardhurve për mbarësi dhe suksese, veçanërisht për një mbarëvajtje sa më të mirë të punës së tyre shpirtërore dhe akademike në këtë institucion të lartë dhe të rëndësishëm të Kishës.
Studentët e rinj u shprehën se ndiheshin të gëzuar e të bekuar që iu dha mundësia të studionin në një shkollë të tillë, ku gjenden të gjitha kushtet e përshtatshme për të qëndruar, për të studiuar e sidomos për t’i bërë të aftë që t’i shërbejnë Kishës së Krishtit.
Studimet në këtë Akademi zhvillohen me kohë të plotë të një cikli mësimdhënieje prej 4 vjetësh, duke u dhënë mundësi studentëve të saj të marrin një formim sa më të plotë teologjik, në përmbushje të kërkesave të Kishës për kuadro drejtues në të gjitha departamentet e saj.
Gabriela Dalipi